Editorial nga Yzedin HIMA
Universitet apo kioskë universitare?!
-Në Berat kanë filluar regjistrimet në atë që një pllakë me mermer të lirë varrezash në ngjyrë gri e emërton si Universiteti i Beratit. Pa dyshim hapja e një universiteti është një ngjarje e shënuar për çdo qytet. Universiteti i jep qytetit ku çelet një dimesion të ri. Për Beratin, si emblema e qytetërimit shqiptar, çelja e universitetit është një mrekulli. Po nga erdhi kjo mrekulli në këtë fundvere? As Partia Socialiste që po ikën nga pushteti, as Partia Demokratike me aleatët që po vjen në pushtet nuk e premtuan në asnjë rast një universitet për Beratin. Zoti Berisha ka premtuar në një takim elektoral në qytetin e Durrësit një universitet për Durrësin gjatë 4 viteve qeverisje, pa specifikuar se sapo të ulej në kolltukun e kryeministrit do të çelte këtë universitet. Si shpjegohet nxitimi i qeverisë që po ikën për hapjen e tre universiteteve në Berat, Fier dhe Durrës?
Disa zëra komentojnë se hapja e këtyre universiteteve bëhet për të sistemuar në punë disa zyrtarë të lartë të Ministrisë së Arsimit me drejtoritë përkatëse në qendër dhe rrethe dhe zyrtarëve të tjerë të majtë që priten të lënë pa lavdi karriget e pushtetit. Zoti Genc Pollo e komentoi këtë aventurë të qeverisë së rrëzuar me votën e qytetarëve si një veprim neronian që do të shkatërrojë arsimin e lartë në Shqipëri, edhe ashtu mjaft i rrënuar gjatë këtyre viteve tranzicion.
Po çfarë po ndodh në të vërtetë?
Në Berat numri i të regjistruarëve e ka kaluar 700 –ën. Regjistrimet vazhdojnë. Po cilët janë kandidatët për studentë të Universitetit të Beratit? Nxënës me notë mesatare pesë. Nxënës që e kanë kryer shkollën e mesme me korrespondencë. Rrallë, tepër rrallë mund të gjesh kandidatë për studentë me notë mesatare mbi pesë. Janë regjistruar në këtë shkollë kontigjente problematikë të shkollave tetëvjeçare dhe të mesme, të cilët kanë shkuar a nuk kanë shkuar në shkolla gjatë 12 viteve nja 2-3 javë. Mësuesit i kanë toleruar për shkak të bezdisë së madhe që shkaktonte prezenca e tyre në orën e mësimit.
Atëherë si do të ngrihet Universiteti i Beratit? Cilët di të jenë studentët e tij? Si do të mundin të konkurojnë këto kontigjente dhe të fitojnë me konkurs statusin e studentit?

Merret me mend se komisionet do të nxjerrin “fitues” nja 500 syresh (sa numri i paracaktuar nga MASH-i), nga ata që përmendëm më lart. “Studentët” do të paguajnë “taksën e injorancës” dhe do të nisin jetën studentore me njërën dorë në xhep për të paguar taksën e lartpërmendur për çdo provim, apo në rastin më të mirë për shumicën e tyre. Atëherë Universiteti i Beratit është thjesht kioska universitare e Beratit, nga i cili Berati nuk do të gëzojë kurrfarë dimesioni universitar. Nuk dua të flas këtë herë për stafin e pedagogëve, sepse nuk dua të paragjykoj askënd nga ata që kanë vrapuar për konkurim për të zënë vend në stafin e këtij universiteti.
Cila do të qe zgjidhja? Nëse Qeveria Socialiste do ta kishte seriozisht çeljen këtyre universiteteve, atëhere shumë kohë më parë do të niste punën për krijimin e infrastrukturës universitare, stafit të pedagogëve, fondet e nevojshme etj.etj. Gjatë tetë viteve në pushtet dorë pas dore do të realizohej çelja e këtyre universiteteve dhe jo në mënyrë traumatike siç po çelen tani. Për mendimin tim qeveria e re duhet ta marrë seriozisht këtë problem për t’i prerë udhë abuzimit dhe zhvelerësimit të një akti të madh siç është çelja e një universiteti. Po si? Tani Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka në dorë të vëzhgojë konkurimin e kandidatëve për studentë dhe nëse ka vërtetë të tillë, atëherë bujrum le të fitojnë dhe të nisin studimet. Nëse jo, le të hapet qoftë edhe një degë e vetme këtë vit për të lënë hapur çeljen e degëve të tjera vitin tjetër kur të paraqiten për konkurim studentë të vërtetë. Vit pas viti universiteti do të marrë formë dhe do të shpëtjmë nga kioska universitare.
Yzedin Hima


Lajmetari...gazeta nr.106. 05/09/2005