| Editorial nga Yzedin HIMA | ||
| Heronjtë e rremë |
|
|
| -Trualli ynë ka shumë heronj dhe
pak qytetarë. Për nga sjellja heronjtë dallohen prej së
largu. Ata flasin gjithmonë me zë të lartë dhe nuk dëgjojnë
kurrë. Heronjtë janë aq seriozë sa të fusin datën.
Kur kalon heroi në bulevardin e vetëm të qytetit, për
nga serioziteti dhe vjetërsia të kujton gazin 69 të sigurimit
famëkeq të diktaturës. Madje pikërisht nga kjo ngjashmëri
ka lindur krahasimi “serioz si gazi i degës”. Heroi nuk e njeh sjelljen qytetare as në elementët fillestarë të saj. Bie fjala, heroi nuk troket kurrë në derën e zyrave të shtetit. Ai hyn vrullshëm dhe, para se të paraqesë hallin apo problemin e tij, flet për bëmat e tij, për disidencën përballë diktaturës komuniste ose për luftën e madhe për të mbrojtur bustin dhe emrin e komandantit legjendar, për qëndresën përballë arbitraritetit të pushtetarëve socialistë. Heroi nuk pret ta ftosh të ulet as në kafene, as në zyrë. Ai shkon dhe ulet drejt e në qoshe. Nëse zyrtari apo qytetari i kërkon ndjesë se është ca i zënë me punë apo edhe thjesht i duhet të meditojë pakëz dhe më vonë do të gjejë kohën për të dëgjuar bëmat e tij prej heroi, heroi mërzitet shumë dhe nis të bërtasë sa ia lejon gërmazi: ja kështu më kanë pritur edhe komunistët mua! apo: Edhe demokratët kështu më përcillnin! Heronjtë janë një, por shfaqen në dy kohë të ndryshme dhe në ngjyra të ndryshme. Kur njëri është hero, sivëllai i tij i ngjyrës tjetër nuk është kurrësesi qytetar, por dordolec pa ngjyrë. Sapo heronjtë e parë dalin nga moda, dordolecët pësojnë një metamorfozë të hatashme. Ata shfaqen si heronj e qëndrestarë dhe kërkojnë lavdinë e mohuar. Dhe kjo farsë përsëritet përherë, si rregull çdo katër vjet. Disa heronj i vunë flakën gjithë qytetit para ca viteve për të treguar në sy të popullit të dehur se sa trima dhe heronj qenë. Më pas, për merita të veçanta, kapën kreun e institucioneve, ndonëse si heronj që qenë nuk kishin patur as rastin as kohën për të kryer ndonjë shkollë. Trualli ynë gëlon nga heronjtë. Ata janë njerëzit më të sukseshëm në një farë mënyre. I gjen kudo në krye të vendit. Ja hap librin e leximit, cit me heronj, nga klasa e parë e deri në dispencat e akademisë. Le të mos flasim pastaj për historinë tonë të shkruar, më shumë heronj se sa shkronja. Para pytjes naïve të një shkollari, nip i Zenelit të Migjenit : “Zotni mësues kemi kaq shumë heronj dhe kaq pak rrugë të mira, kaq shumë heronj dhe kaq pak shtëpia higjenike, kaq shumë heronj dhe kaq shumë varfëri”, çdo mësues do të ndihej keq. Dhe mësuesit i troket fort në tëmtha : Po cilat kanë qënë frytet e heroizmave të heronjëve tanë në shekuj? Një vend i tkurrur, i mjerë, qartësisht i dallueshëm për keq midis fqinjëve. Këta heronjtë ia kanë futur historisë apo na e fusin neve çdo ditë? (Ca qytetarë shqiptarë që quhen Buzuku, Budi, Bardhi , Bogdani, etj. mezi dallohen në relievin fantazmagorik shqiptar të heronjëve). Heronjtë kanë pushtuar jo vetëm këngët, përrallat dhe legjendat shqiptare, jo vetëm historinë dhe letërsinë, pikturën dhe skulpturën, leksikun e gjuhës shqipe, jo vetëm sheshet publike në qëndër të qyteteve, muzetë, parqet, vorrezat, lapidarët, por para së gjithash mendjet e shqiptarëve. Heroi i ditëve tona është më pak romantik se kurrë. Ai është një hero pragmatik. Hidhni një sy njerëzve më të suksesshëm. Si biznesmen, si shkrimtar, si qëndrestar, si kryetar bashkie, heroi është i parë. Ai gjendet me shumicë në sallën e parlamentit, në zyrat e partisë. Noli pozon para Parlamentit herë si mendimtar e herë si hero. Tani është stina e heronjëve. Heronjtë nuk pjerdhin për shtetin dhe ligjin, ndaj edhe sfida e shtetit të sotëm është sfida ndaj heroit që ka mbërthyer ose pret ta mbërthejë doganën, komisariatin, drejtorinë, ministrinë. Yzedin Hima |
||
| Lajmetari...gazeta nr.106. 05/09/2005 |
||