Editorial nga Yzedin HIMA
Dorëheqja, një akt fisnik dhe demokratik
-Në kulturën e paktë demokratike në Shqipërinë e postdiktaturës dukuria e dorëheqjës është tepër e rrallë. Në vendet e qytetëruara dorëheqja është një dukuri më se e zakonshme. Një lider politik jep dorëheqjen kur veprimi i tij politik nuk i ka sjellë rezultatin e duhur formacionit politik që ai drejton. Një kryeministër jep dorëheqjen kur vëren se qeveria e tij nuk ka sjellë progres në të mirë të qytetarëve të atj vendi. Një zyrtar jep dorëheqjen kur shikon se idetë e tij nuk kuptohen nga eprori i tij, ose nuk gjen hapsirën e duhur për të realizuar ato ide.
Natyrisht dorëheqja bëhet nga individë të cilët kanë një integritet të fortë profesional dhe moral. Ata nuk mund të bëjnë lëshime në dëm të profesionit të tyre, në dëm të dinjitetit dhe integritetit të tyre, në dëm të qytetarëve dhe komunitetit, para të cilëve janë zotuar. Te ne ndodh rëndom që zyrtarët të saldohen me karriken e tyre deri në atë masë sa të kenë humbur çdo lloj ndjeshmërie e dinjiteti profesional. Bie fjala, pas zgjedhjeve ndërrohen formacionet politike, ndërrohen programet politike të asaj fushe ku punon zyrtari në fjalë, ndërsa ai qëndron stoik në të njëjtën karrike, me të njëjtin konceptim për punën, në gatishmëri për t’u përshtatur, ndonëse me vështirësi, me politikat e reja, me reformat e reja. Përshtatja e tij është thjesht tjetërsim në kushte të reja, pa pikë energjie pozitive dhe aftësie krijuese. Le të sjellim një shembull nga fusha e edukimit (arsimit) : një drejtues për 8 vite e ka konceptuar punën e tij në shkollë si një vendosje të rendit të fortë formal : qetësi absolute në korridore e klasa, disiplinë formale në orare nga ana e stafit pedagogjik, tradicionalizëm në formimin e nxënësve dhe herë-herë politizim të shkollës në të mirë të partisë në pushtet, shpërdorim të tubimeve të nxënësve për nevoja politike etj. Në rrjedhat ku po hyn vendi lipset urgjentisht krahas vendosjes së rendit në korridore e klasa edhe një rend i ri në përmbajtjen e shkollës: një edukim (arsimim) tjetër, ku të synohet qartësisht formimi i qytetarit të nesërm europian me mendje të lirë, me mendje të hapur, qytetarit që respekton fort lirinë e tij dhe atë të tjetrit, qytetarit që nuk bën asnjë kompromis në dëm të lirisë së tij, qytetarit me shpirt të fortë dyshues dhe kritik, qytetarit me shije të holla estetike, formim të cilin Europa e qytetëruar e siguroi shkallë- shkallë përmes shekujve. Po si mund të përshtatet një drejtues me mendje dogmatike, i cili kur u del para nxënësve më tepër se edukator u ngjan atyre me një dinosaur?
Të integrohesh në Europë, së pari do të thotë të respektosh dhe të bësh të tuat parimet europiane të cilat i përmenda më lart. Nëse nuk realizon një formim të tillë te qytetarët e tu, atëherë Europa është vërtetë larg. Nëse zyrtarë që nuk i përgjigjen politikave të tilla të edukimit (arsimit), nuk e kuptojnë domosdoshmërinë e lëvizjes dhe dorëheqjes si lëvizje e butë, atëherë për nevoja emergjente të ndryshimit në të mirë të qytetarëve, duhen lëvizur.
Dorheqja është një akt fisnik dhe demokratik, sepse u hap udhën njerëzve të tjerë, të cilët, nëse zgjidhen pa pasione dhe me urtësi, i përgjigjen më së miri kohës dhe kërkesave të saj.
Yzedin Hima

Lajmetari...gazeta nr.110. 05/10/2005