u ndryshua me 31.03.2004 e-mail E Merkure nr.38
Grushta dhe gurë në ndeshjen "Naftëtari"- "Tomori"
Ekipi i futbollit beratas ka marrë tri pikë të vlefshme në fushën e "Naftëtarit". Goli i parë është shënuar në minutën e 75 nga kapiteni i skuadrës "Tomori", Edmond Gjata, pas një penalltie të dhënë nga gjyqtari Pjetrushi. Futbollistët dhe tifozët e "Naftëtarit" nuk kanë qenë dakord me 11-metërshin e dhënë nga gjyqtari. Loja është ndërprerë për 5 minuta. Vendasit kanë barazuar në minutën e 85 me anë të Bllokut. Presioni i ekipit beratas ka kaluar nga fusha në shkallët e stadiumit, ku ka nisur përleshja midis tifozëve, të cilët kanë zbritur dhe në fushë. Gjyqtari ka ndërprerë ndeshjen për 10 minuta. Pas fillimit të ndeshjes, "Tomori" ka shënuar golin e fitores me anë të Devollit. Tani "Tomori" është pretedent për në grupin A1.
Lajmëtari

Trajneri që përgatit shahistët e ardhshëm
Sporti i shahut është i hershëm në Berat. Më kujtohet viti 1942. Në restorantin "Kolombo" të qytetit u organizua veprimtaria shahistike "Turneu i Beratit". Në mbrëmje ndeshjet i ndiqnin edhe disa nxënës të shkollës së Mangalemit, të cilët kishin filluar të luanin. Nismëtari i kësaj veprimtarie, profesori Sotir Qirjako, i organizoi këta nxënës në një kampionat 4 -ditor.
Kampion doli Alfred Stefa.
Në periudhën e viteve 1975-90 trajneri Bardhyl Dardha, si rezultat i punës me fëmijët, formoi plejadën shahistike në Berat, ndër më të mirët e vendit, ku pjesëtarë ishin edhe Mjeshtri Botëror Altin Çela (sot në Amerikë), Arben Dardha (në Belgjikë) e të tjerë.
I solla këta dy shembuj për të treguar se si në Berat është treguar kujdes për të luajtur shah fëmijët, nga dolën edhe emra të shquar në shahun ndërkombëtar.
Pas një pauze 8-vjeçare, në këto vitet e fudnit, është Artur Shehu, që, ashtu si mjeshtrat që u përmendën më lart, po tregon kujdes për këtë brez, duke përballuar vështirësitë me shpenzimet e veta financiare.
Cili është Artur Shehu?
Luante shah i vogël. Shpesh trajneri Dardha i thoshte: "Nëse do që të bëhesh shahist, lexo literaturën shahistike". Ashtu veproi Arturi, madje, edhe koleksionoi këtë literaturë. Praktika dhe teoria shahistike bën që niveli të rritet. Në vitin 1978 fiton kategorinë e tretë, në vitin 1980 kategorinë e dytë dhe në vitin 1984 kategorinë e parë. Në spartakiadën e pestë kombëtare nderohet me medalje bronxi, si pjesëtar i ekipit "Tomori". Tashmë drejton ekipin e shahut në qendrën kulturore të fëmijëve.

I pari kabinet shahu në vend
Arturi, si shahist që e njeh mirë teorinë e shahut, vlerat e njohjes të saj, historinë dhe duke patur nostalgji për atë kabinet të mëparshëm që ishte ngritur edhe me ndihmesën e tij, por që u prish, vendosi të ngrejë një kabinet të ri në mjediset e QKF.
Kabineti tashmë është ngritur. Në stendat e tij pasqyrohet rruga 60-vjeçare e shahut në Berat, figurat e shquara të shahut të Beratit, atë shqiptar e botëror, lojërat e bukura, etj. Sigurisht që kabineti nuk shërben si një dekor në mjediset e QKF, por si një mjet me shumë vlera që i shërben rritjes së cilësisë sportive.

Veprimtaritë shahistike me fëmijët
Trajneri ka organizuar takime me ekipe, si të Kuçovës, Poliçanit, Çorovodës duke i vlerësuar ato si ballafaqime ku maten aftësitë, merret përvojë dhe nxiten rezultatet. Ka organizuar veprimtari me nxënësit e shkollave 8-vjeçare, për të përhapur lojën e shahut te të vegjëlit dhe për nxitjen e talenteve. Kështu ka qenë veprimtaria e muajit mars kupa "Kristaq Capo" në kujtim të dëshmorit shahist. Kupën e fitoi Rinald Guga, nxënës i shkollës "22 Tetori". Në kampionatin midis shkollave u dalluan: Eno Zykollari (fitues) dhe Valia Angjeliu. Shahista me të ardhme janë edhe Petion Mata, Artan Dhrami, Erid Guga. Fituesve iu dhuruan stimuj materialë të financuar nga trajneri dhe fituesi i kupës "Kristaq Capo" vitin e kaluar, Petion Mata.

Shqetësimi i trajnerit
Punët, edhe mirë të ecin, përsëri një trajner që ka pretendime për cilësinë, sigurisht që ka shqetësime. Mësova nga trajneri një shqetësim të ri që i dha mosparaqitja e ekipit të Beratit në kampionatin kombëtar të 16-vjeçarëve. Arsyeja sipas tij është mungesa financiare e klubit shumësportësh "Tomori". Në këto kushte trajneri, për të mos mbetur pa u përfaqësuar, dërgon çdo ditë me makinën e tij në Tiranë dy shahistë duke bërë dy rrugë në ditë. Në kampionat është përfaqësuar me Rinald Guga e Petion Mata.
Siç tregon Arturi, ishte befasuar kur kishte parë në kampionat që Kuçova ishte paraqitur me 7 shahistë të siguruar me mjetin e udhëtimit nga Bashkia (?!).
Shqetësim i trajnerit është edhe mungesa e veprimtarive shahistike që duhet të bëjë klubi shumësportësh. Veprimtari të tilla do të zbulojnë talentet, do të krijojnë mundësi e kushte që në ekipet e mësipërme të bëhen ndryshime, duke i hapur rrugë elementit të ri me të ardhme, sepse vetëm kështu shahu ynë do të eci në traditat e njohura.