nga Simon Vrusho
Që kali i bardhë të mos nxihet rrugës

Radikal për të çrrënjosur të keqen, konservator për të ruajtur të mirën

-Ndërrimi i pushtetit, formimi i qeverisë së re janë çështje ditësh. Çështje ditësh në kohë për t’u formatizuar, por çështje dite në biseda, arsyetime, argumentime. Fushata ka mbetur pas, por premtimet kanë dalë përpara si sfida, si probleme që duhen përballuar e zgjidhur me urtësi e vendosmëri. Për pushtetin e mirë, të drejtë e vital përdoret edhe metafora “Kali i Bardhë”, por kujdes: Kali i Bardhë i pushtetit mund të nxihet gjatë rrugës. Si zogjtë e korbit kur rriten.

***
Përvoja e këtyre viteve të pas ’90-ës ka dëshmuar se në pushtet, nga nivelet më të epërme deri te kryeplaku i fshatit apo portieri i institucionit kanë gjëllitur edhe qenie të papërgjegjshme, të keqedukuar e të paarsimuar, të mpleksur me vese e me mllefe, me paragjykime banale e gjykime të cmirta, kapadainj të pështirë e makutër me brirë, madje edhe horra që të shartuar me ligjin kanë pjellë një monstër të re, maliqorët apo maliqozaurët e tranzicionit shqiptar. Shtrati që i pjell, i tund dhe i hedh në rrugë nuk është shterpëzuar. Në prill të vitit 1996 kam redaktuar, para se të botohej te gazeta “Mesazh”, një poezi të shkurtër, por kuptimplotë, të titulluar “Marshi i horrave”, e cila kishte vetëm katër vargje:

Ne jemi horra, ne jemi horra,
Si vezë klluka i kemi ne trutë
Në e paçim ne fuqinë në dorë
Pushtetin e kthejmë në prostitutë.

Vetkuptohet se ka horra edhe me diplomë, edhe që mund të bëhen deputetë, ministra, shefa dhe atëherë mjerë vendi, mjerë qytetari, mjerë, mjerë, mjerë... Ka horra që janë militantë të thekur partie që e puthin me shkumë tërbimi liderin, por realisht pas “militantizmit” të tyre nuk fshihet programi i partive, por vjedhja në doganë, në KESH, në tatime, në zyrat e ndryshme, fshihet vjedhja në tendera, vjedhja kudo, kudo, fshihet privatizimi arbitrar dhe grabitja e pronës së tjetrit, fshihen emërimet e gabuara dhe dokumentet e falsifikuara, fshihet korrupsioni dhe trafiqet, fshihen abuzimet në shkolla, spitale, komisariate e gjykata ... Riciklimi i këtij takëmi është dënim me vdekje për demokracinë, për ligjin, për drejtësinë; riciklimi i kësaj skote të neveritshme është poshtërim e fyerje për dinjitetin e personalitetin e cilitdo qytetar që do shtet e pushtet normal. Edhe uzurpimi nga fise e klane i pushtetit çon në një nepotizëm anadollak e primitiv që nuk shohin mbi kokën e tyre të ngurtë se kalendari i varur në mur tregon shekullin e 21-të, vitin 2005.
***
Kriza morale që e ka kapërthyer shoqërinë shqiptare sot vjen ngaqë vullnete politike drejtuese janë mbështetur dhe kanë ndarë pushtetin me antivlerat. Padituria, lakmia e etja për zhvatje e sundim e denigrim e kapërdisje i dallon që larg këto vemje, që në mitingje i shpalosin flamujt si flatra (e duken si flutura të partisë) por, jo pak prej tyre shpejt do të shndërrohen në krimba, (jo krimba mëndafshi që ushqehen me gjethe mëni, po krimba që ushqehen me gjethe monedhash në pyllin e buxhetit të shtetit), shndërrohen në shushunja që i thithin gjakun qytetarit që rropatet e robtohet ta sigurojë jetën me djersë të ndershme. Kështu, a nuk duhet të jesh radikal për të çrrënjosur të keqen dhe konservator për të ruajtur të mirën, siç thotë një shprehje e njohur angleze.

***
Edhe ata që nuk bëjnë pjesë te tufa e mësipërme vuajnë mungesën e kurajës, vuajnë konformizmin e sëmurë, bëhen apatikë dhe nuk e denoncojnë kënetën e molepsur. Dinjiteti i tyre është topitur. E vërteta cënon vetveten kur hesht para kallpes e falces. Nuk ka pse të mos ngrenë zërin kur shteti e pushteti privatizohen me klane e fise. Qeveria e re duhet, të riorientohet jashtë klaneve e fiseve të cilat po zgjasin tentakulat e orekseve të vjetra. Sistemi i korrupsionit nuk mund të luftohet nga sistemi i sejmenëve jesmenë. Nuk besohet, le të ulërijë sa të dojë për shtet ligjor ai atje lart, nëse këtu poshtë emëron fisin e tij që vjedh e abuzon me duar e me këmbë, siç ka ndodhur gjithandej gjatë këtyre 15 vjetëve. Me këtë metodë sundohet e nuk qeveriset, por sundimi është tipar i shoqërive të prapambetura orientale, aziatike e jo i shoqërive perëndimore, evropiane. Një shoqëri vërtet qytetare nuk lë hapësrë për të keqen, e ca më pak, në vorbullën e saj të hedhin valle horrat.
***
Rrugeçët nuk dinë ç’është përgjegjësia, dinjiteti, karakteri, morali. Vagabondët nuk dinë ç’janë institucionet, zyra, ligji, shteti. Perversët nuk dinë ç’është noramliteti: zullumqarët nuk dinë ç’është puna e ndershme, dinjiteti: sunduesi satrap nuk se ç’është qeverisja dhe përgjegjësia qytetare. Horri nuk e di se ç’është gjesti fisnik.
Sëmundjet abuzuese me detyrën administrative në këtë vend janë të lashta. Këto baktere të vjetra janë modernizuar. Anadollaku ka veshur xhinse ose kustum firmato, në vend të kalit ka një derro-benz a derro fuoristradë, por thelbi mendor, abuzimi ka mbetur po ai si p.sh. i para 300-vjetëve, i janarit të vitit 1700, kur Arnautistani lëngonte nën zgjedhën osmane. Në një dokument osman (sixhilati i Beratit, dosja nr. 21.fl.766) flitet për ankesën e fshatrave Sadovicë, Sinjë e Molisht të Beratit kundër një farë spahiu me emrin Hysein që abuzonte me taksat e tatimet e kohës (të dhjeta, ispenxhe) aqsa pushteti i Sulltanit habitet e thotë se “këto zullume të tijat nuk paskan të sosur”. Por zullumet e sotme janë ku e ku më flagrante se zullumet e para 300 vjetëve. Ja në çfarë humnerë morale kemi rënë!
Mentaliteti anadollak është ulur këmbëkryq në shiltenë e shtetit e të pushtetit. A do të futet mentaliteti evropian, perëndimor ? Apo batakçinjtë me flamuj e postera modernë do të luajnë ende vallen e çanak-kalasë sikur këtu të rrojë një çanak-milet?
***
Rreth pushtetit, kur ai është në fazën e ndërrimit, aviten hije dhe hijena. Të kalburit në zyra mundohen të mbijetojnë. Në institucione vërtiten oshilacione dhe intoksikacione. Të molepsurit me vese luajnë demokratin e zellshëm, çfarë spektakli pervers!
Një ministër nga më të rëndësishmit e qeverisë që humbi më 3 korrik, një ministër që theu qafën në kutinë e votimit, në një takim të para ca kohe me Havier Solanën i fliste se si ai ishte i angazhuar maksimalisht për ndërtimin e institucioneve, ndërkohë që po ky ministër-batakçi kishte punësuar një njeri të afërt të tij në një zyrë kyçe, një bastarde që merrte ryshfet e tallej me institucionin që mbulon një sektor jetik! Deri kur kështu? Kali i Bardhë i pushtetit mund të nxihet gjatë rrugës...

Lajmetari...gazeta nr.103 18/07/2005