| nga Simon Vrusho | ||
| Mbresa të kandidatit për deputet të PDR-së në zonën 77 Simon Vrusho | ![]() |
|
| -Sidoqoftë, ka një ngushëllim:
Sikur zgjedhjet të zhvilloheshin më 22 dhjetor, në një
natë dimri, KZZ-ja e Urës do ta kishte mbuluar me fantazma gjithë
zonën. Para se t’i thosha “Natën e mirë!” Kujtim Merkajt, në mbrëmjen e 2 korrikut, e porosita edhe një herë që të nesërmen, në orën gjashtë e gjysmë të ishte para qendrës së votimit Nr. 3485/1, Ura Vajgurore, si përfaqësuesi im i ligjshëm, i vërtetë, pasi këtë të drejtë ma kishte sanksionuar ligji. Dhe përfytyroni tani çudinë time, kur të nesërmen, të dielën në mëngjes, ditën e votimeve, te kinemaja e Urës Vajgurore (ku ndodhej edhe KZZ-ja e 77-ës), vjen Kujtimi, i habitur dhe më thotë: “Çfarë kam bërë që më paske zëvendësuar mbrëmë në mes të natës?” Dhe më tregoi se si kishte shkuar që më gjashtë e gjysmë para qendrës së votimit, por në orën 7, kur ishte mbledhur komisoni, atij i thonë se emri yt nuk figuron si përfaqësues i PDR-së, është ky tjetri. Tjetri! Nga kishte zbritur tjetri? Nga kishte mbirë? Takoj kryetarin e komisionit të zonës zgjedhore 77, Astrit Pelivani, dhe, pasi i kërkoj shpjegime për këtë skandal, vë re se një re e sëmurë, tmerrësisht e zbehtë, një re shafrani kalon në atë që mund të quhet fytyra a syfeti i tij! Më vonë, kur marr vesh se fantazma a zogu i qyqes që kishte zëvendësuar përfaqësuesin tim, na qenkej vëllai i tij, atëherë thashë me vete: “Çfarë syfetsëzi paskan bërë kryetar të KZZ-së! Çfarë abuzimi? Çfarë shkelje!” Megjithatë, përpiluam dhe plotësuam shkresat përkatëse për të çuar Kujtimin në vendin që i takonte. Mbërrita me Kujtimin te Qendra nr. 3485/1 me një ndjenjë zemërimi, por edhe kërshërie se do të shihja një Zog Qyqeje në folenë e zgjedhjeve nga duhet të dalin Shqipet e Shtetit, deputetët. Jallan-komisioneri, një falsifikim në formë njeriu, kur i thashë se nga kishte mbirë si përfaqësuesi im, se unë as e njihja, as e kisha takuar ndonjëherë, se duhej të largohej në moment e t’ia linte vendin Kujtimit, ai në vend të ndonjë përgjigjeje, rrinte i heshtur, por as lëvizte. Iu drejtova komisionit, kryetares, me shkresa e argumenta, por më kot. Jo, thoshin, fantazma nuk zëvendësohet. Zogu i Qyqes këtu e ka folenë. Provova të ngre zërin e të ashpërsoj timbrin, por më kot. Atëherë, më vetëtiu në kujtesë thënia e mençur: “Fantazmat mund t’i largojë ose agu i mëngjesit, ose personi që i ka ndjellë, pra ai që i ka sjellë”. Atëherë përsëri te shefi i KZZ-së, Astrit Pelivani. Vetëm kur erdhi i Madhi fantazmabërës, z. Magjistar Astrit Pelivani, i vëllai i vogël u largua vetëm me një gjest të vockël të bërë me thoin e madh të gishtit të vogël. Mësova një gjë të re: Fantazmat na qenkan të një fisi me thonjtë. I urova punë të mbarë Kujtimit dhe nuk e dija se, duke kaluar në qendrat e votimit, do të takoja të tjerë zog-qyqeje. Në Pashalli fantazma u largua qetësisht, pavarësisht se unë nuk i tregova thoin, por kthetrat e ligjit. Në Urën Vajgurore në qendrën nr. 3485/1, gjeta një fantazmë në formë plaku, nja 77 vjeç, që i kishin rënë dhëmbët, veshët, vetullat, flokët, që i kishte rënë jaka, kujtesa. Një Qyq i plakur. Ai pretendonte se përfaqësonte të djathtën, një Parti që quhej Partia Totalitare Anti-komuniste. Eh, Astrit Pelivani! Prodhove fantazma në qytet e në fshatra, të rinj e pleq! Kjo që bëri ai më 3 korrik është për librin “GINES”. Plot nëntë fantazma komisionerësh prodhove në z. 77 që nga Molishti në Skrevan! Po pse nuk i bëre dhjetë? Kandidati i të dhjetit në formularët e tu mbeti bosh. Është një kuadrat i bardhë që nxin tek emri i komisionerit tim në qendrën e votimit 3482/1. Pse nuk e çoi të dhjetin? Për një arsye të thjeshtë. Të tëra janë bërë natën duke u gdhirë 3 korrik 2005. Por, ndërsa po sajonte fantazmën a zogqyqin e dhjetë, ia kishte behur agu, zbardhja e sabahut. Dhe kur zbardh, nuk ka vend për fantazmat. |
||
| Lajmetari...gazeta nr.102 11/07/2005 |
||