| Në ndihmë të mësuesve të letërsisë | ||
“Zanore”, poezi nga Artur Rembo Esmeralda Kosaxhi |
||
| - Soneti “Zanorë”
është një poezi simboliste, nuk kemi përçim idesh,
por përfitim tingujsh, ngjyrash. Nuk kemi përshkrim realiteti,
por krijimin e misterit. “A është e zeza, E e bardha, I e kuqja, U e gjelbra. Kurse O është bluja: të fshehtat e tyre do të shpjegoj tani” Në vargjet e para, autori pasi u vesh ngjyrat zanoreve, sqaron: “të fshehtat e tyre do të shpjegoj tani”. Por ai pretendon t’i shpjegojë, sepse ajo që bën është t’i kthejë ato në mistere, më të pakuptueshme, duke stimuluar kështu, shqisat e vetë lexuesit, që ky i fundit sipas imagjinatës dhe emocionit të vet, të gjejë atë ç’ka fshihet, ç’ka ndodhet në brendësi të çdo vargu, fjale. “ A është parzmorja në trupin e insekteve të lehta që gumëzhijnë e vërtiten mbi plehrat në periferi” A-ja është e zeza. Zanorja e parë e alfabetit, ky tingull që është dhe kontakti i parë në një tërësi tingujsh, është një tingull i hapur, i lehtë ashtu si trupi i insekteve të lehta që fluturojnë. A është e zezë si parzmorja e këtyre insekteve që gumëzhijnë bezdisshëm, e vërtiten rreth plehrave, rreth pisllëkut, të zezës. A është e zeza E është e bardha e çarçafëve, spitaleve e mjegullave, e ajzbergëve madhështorë dhe miniaturave të fildishta” E është e bardha. Një zanore me strukturë simetrike, të rregullt, e përbërë nga vijëza të drejta. Ashtu është dhe e bardha, si simbol i diçkaje tepër uniforme, tepër të pastër, pa larmi, pa emocion. E bardha e çarçafëve, të cilët ngjajnë njësh me bardhësinë e mureve të dhomës. E bardha e spitaleve, jep pamjen e pastërtisë e të sterilitetit edhe pse në ajër ndihet erë ilaçesh dhe një erë e sëmurë. E bardha e mjegullave, një e bardhë e ftohtë, e lagësht, e pakapshme. - E e bardha e ajzbergëve, e bardhë madhështore , e bardhë e akullt. E bardha e miniaturave të fildishta, e bardhë elegante, e përsosur. Autori lidhet nga një objekt në tjetrin, që përveç të bardhës nuk i lidh asgjë tjetër, duke e bërë disi të pakuptueshme, sikur ka diçka, një lidhje mes tyre, që s’e kap dot, që të shpëton. Kështu, ai në çdo fjalë të ofron ndjesi, të sugjeron perceptime të reja, e të pastron imagjinatën me fantazitë e tij. - “I është gjaku i gjallë i plagëve dhe i dhimbjeve, buzët e skuqura nga sharjet apo elozhet e trishta”. I është e kuqja, ngjyrë e ndezur, ngjyrë e pasionit. I është forma e gjakut kur rrjedh. E kuqe është I-ja dhe gjaku i gjallë që rrjedh nga plagët, e në këtë të kuqe, përzierë me dhimbjet lëvrin një afsh, një nxehtësi jo e zakonshme. Buzët e skuqura nga sharjet, apo elozhet e trishta bëhen gati, marrin formën dhe nxjerrin tingulin I, I-në e kuqe. “U është kreshta e dallgëve të mëdha të gjelbra, qartësia e luginave dhe e rrudhave të thella në ballin fisnik të alkimistëve të ditur” U është e gjelbra, dallgët e mëdha janë të gjelbra, dhe ashtu si U-ja që ulet, ashtu dhe ato sa më poshtë të ulesh, aq më të gjelbra duken. Luginat, të cilat përshkohen në mes nga lumenjtë, ashtu dhe U-ja, e cila me boshllëkun e saj, me formën e saj duket sikur gjithashtu e përshkon diçka e tejdukshme, fluide si uji. Luginat janë të gjelbra, U është e gjelbra. Rrudhat kanë formën e U-së, që në ballin fisnik të alkimistëve duken si shumë U. “O është klithma e zogut, tronditëse, e pakuptueshme fluturimi i ëngjëjve në infinitet e amëshueshme O është rrezatimi i syve të tu të ndritur”. O është bluja, ngjyrë e thellësisë, e çiltërsisë. Zogjtë fluturojnë lart, në qiell dhe klithma e tyre përhapet në formë rrethore të O-së duke u bashkuar me blunë e qiellit, dhe vjen te ne ashtu, tronditëse, e pakuptueshme. Engjëjt, këto krijesa hyjnore, me aureolat e tyre mbi kokë në formën e O-së, me dritën që përhapin, në formën e O-së. Fluturimi i tyre në infinit, infinite që devijojnë duke u rrumbullakosur, me dritën engjëllore që kanë lënë pas në formën e O-së. “O është rrezatimi i syve të tu të ndritur.” Formën e O-së ka irisi i syve të tu, ngjyrën e O-së, blunë e thellë, blunë e çiltër, ka vështrimi yt. Në këtë poezi, Rembo, gjen ekuivalentin e tingujve në ngjyra, duke zbuluar harmoni të fshehta mes tyre. Ai, ashtu siç e quanin simbolistët veten, është “magjistari i vargut”. Poezia e tij është e mrekullueshme, art i lartë, fin. Arti i vërtetë është e vetmja gjë plotësisht e përsosur, poezia e tij është e përkryer.. Esmeralda
Kosaxhi, nxënëse e klasës IIIA “Kristaq Capo” |
||
| Lajmetari...gazeta nr.90, Prill 2005 |
||