u ndryshua me 19.09.2004 e-mail E shtune nr60
 
 

LSI në Berat


Ditën e enjte, më 30 shtator 2004, kreu i LSI-së Ilir Meta erdhi në Berat. Ai shoqërohej nga deputetët e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Spartak Braho, Mustafa Muçi, Dritan Prifti, Sabit Brokaj.
Në orën 16.00 salla e shfaqjeve ishte mbushur plot me qytetarë të Beratit dhe të rrethinave. Mjaft simpatizantë të LSI-së qëndronin në këmbë në galeri dhe pranë dyerve të sallës. Jashtë skemave të zakonshme ky takim nuk pati një presidium. Një nga të pranishmit prezantonte oratorët, të cilët ngjiteshin në foltore.
Në fillim foli kryetari i LSI-së për degën e Beratit, kirurgu Eduard Bejko, i cili prezantoi kryesinë e degës. Binin në sy emrat e mjaft intelektualëve të njohur si mjekë, ekonomistë, mësues dhe inxhinierë, si: Eduard Bejko, Neritan Vito, Zana Ago, Bledar Çili, etj.
Zoti Bejko tha se LSI nuk është parti krahinore siç na etiketojnë kundërshtarët tanë, por parti e të rinjve të rejave, intelektualëve, qytetarëve, të cilët duan dhe meritojnë një politikë ndryshe nga ajo e zbatuar nga dy forcat e mëdha politike gjatë këtyre 12 vjetëve. Këtë fakt e tregon kjo sallë këtu, ku janë mbledhur të gjithë ata që besojnë dhe shpresojnë te LSI-ja.
Pas kryetarit të degës së LSI-së u ngjit në foltore gjeneral Veli Llaka. Ai e përcaktoi LSI-në si forcë politike që mbart te vetja vlerat më të mira të qytetarëve shqiptarë, ato të luftës antifashiste, vlerat e atyre që punuan për transformimin e Shqipërisë, por edhe të atyre që u persekutuan nga Hoxha.
U duartrokit fort këngëtari i njohur beratas Kozma Dushi, ndërsa u ngjit në skenën e teatrit, jo për të kënduar, por për të deklaruar se ai mbështet fort LSI-në dhe Ilir Metën.
Këngëtai Dushi u bëri thirrje bashkëqytetarëve të tij të mbështesin LSI-në, si shprehëse e mbrojtëse e interesave të njerëzve të thjeshtë.
Përshëndeti edhe Sabit Brokaj, nënkryetar i LSI-së. Në fund e mori fjalën ish-kryeministri Ilir Meta, kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Zoti Meta vuri në dukje se dy partitë e mëdha PS dhe PD e kryen misionin e tyre. Ato do të dalin në opozitë në pranverën e vitit 2005, siç ndodhi edhe në Bullgari, ku partia e djathtë dhe partitë e majtë, të cilat patën qeverisur deri para disa vitesh, dolën në opozitë nga alternativa e Mbretit Simeon, tani kryeministër i Bullgarisë.
“Në Shqipëri, tha zoti Meta, Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike nuk do t’i nxjerrë në opozitë PLI-ja (Partia Lëvizja e Legalitetit) si në Bullgari, por LSI-ja”
Më poshtë Meta theksoi se nga LSI-ja do të përfitojnë jo vetëm anëtarët dhe simpatizantët e saj, por të gjithë socialistët, natyrisht socialistët e ndershëm, jo servilët të cilët janë arratisur sot nga Berati, që të mos përballen me Ilir Metën. Këta dallkaukë vinin para disa kohësh 4 orë para për të takuar po Ilir Metën. Takimi u mbyll me thirrjet Ilir Meta, Ilir Meta!
Lajmëtari

Ja lista e kryesisë së LSI-së Berat


1. Eduard Bejko, kryetar
2. Vladimir Mema, n/kryetar
3. Mina Kusta, n/kryetar
4. Edmond Zylyftari
5. Neritan Vito
6. Zana Ago
7. Luan Buba
8. Kastriot Rrapaj
9. Luman Spathara
10. Agim Spata
11.Bledar Çili
12. Irfan Metohu

Një arsye më tepër për të qenë anëtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim

Bashkëqytetarët e mi, profesioni i mjekut që unë ushtroj më bën që të jem gjithmonë pranë jush, pranë shqetësimeve dhe halleve tuaja të përditshme. Jam mësuar të flas me ju, t’ju dëgjoj e t’ju sugjeroj këshilla për të përmirësuar gjendjen tuaj shpirtërore e shëndetësore. Ndërsa sot po ju them me zemër të pastër se ka edhe një arsye më shumë për të qenë anëtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Unë kam qenë anëtar i PS që në orët e para të formimit të saj. Kjo për bindjen time personale, por edhe për të ndjekur një rrugë tashmë tradicionale të familjes sime.
Kam pasur bindjen e njeriut të ndershëm se kjo parti do të luftonte për të realizuar mirëqënien e masës dhe jo të një grupi të caktuar njerëzish, se do të aspirohej për një Shqipëri më të zhvilluar me një fytyrë të re.
Kështu, një ditë ndjeva zhgënjimin për veten dhe për forcën politike së cilës i kisha besuar idealet e mia, se brezi im është brezi i idealeve, i ëndrrave.
Lëvizja Socialiste për Integrim është pjesë e asaj lëvizje të fuqishme të intelektualëve, por edhe e të gjithë njerëzve të ndershëm për të respektuar vullnetin demokratik të zgjedhjeve (çdo anëtar një votë).
Gjithashtu është i drejtë mendimi për të mos absolutizuar pushtetin në duart e një njeriu. Kjo gjë do t’i japë më shumë frymëmarrje mendimit të lirë dhe demokratik.
Përfshirë edhe të gjitha detajet e tjera të programit, më bëjnë të sigurt në mendimin tim si dhe në kërkesën që do t’ju bëj të gjithë atyre që më dëgjojnë dhe që më njohin. Kjo lëvizje është e ardhmja e Shqipërisë dhe në emër të saj ne kërkojmë mbështetjen tuaj për ta çuar më tej këtë alternativë të suksesshme për t’i thënë një po të madhe të ardhmes dhe Shqipërisë së nesërme.
Mbështetja juaj është detyrimi ynë!
Me respekt
Edmond Zylyftari