u ndryshua me 19.09.2004 e-mail E shtune nr60
 
 

LSI e Beratit hidhet në ilegalitet


Ndonëse Berati ka një media të zhvilluar (të paktën si sasi), me dy TV-lokale dhe dy gazeta të tilla, Lëvizja Socialiste për Integrim në Berat, megjithse premtoi nëpërmjet një anëtari të bordit të saj se do të dilte së shpëjti në një konferencë për shtyp, nuk u duk gjëkundi. Pas një prononcimi me gjysmë zëri të një segmenti të saj, kjo Lëvizje heshti deri në mosqenie. Disa nga anëtarët e bordit të kësaj Lëvizjeje në Berat janë parë në shoqëri me shefin e LSI-së, z.Ilir Meta, dhe flitet se i janë përbetuar se janë me të, se ndiejnë neveri për fenomenin “Angjeli”, se i bashkohen kësaj Lëvizjeje, jo thjesht për para e karrierë, por për qëndrime programore dhe parimore. Disa nga anëtarët e bordit të kësaj Lëvizjeje, siç flasin nëpër kafene, i telefonojnë darkë e saba Ilir Metës dhe i konfirmojnë se Lëvizjes po i bashkohen të gjithë socialistët që janë të zhgënjyer nga slogani politik i kreut të PS-së , Nano:
“ Me mua bëni më shumë para!”, madje po i bashkohen edhe persona të pazotuar deri tani në politikë, por që kanë bindje politike të majta.
Pas zhvillimeve të vrullshme të ditëve të fundit, që përfshinë këtë Lëvizje në Tiranë e gjetkë, pas përvijimit të qartë të saj si një parti politike e spektrit të majtë, lësëistët tanë në Berat u hutuan, u trembën, u fshehën.
Në mesditën e ditës së enjte, në datën 2 shtator 2004, kërkuam të takonim një anëtar të bordit të kësaj Lëvizjeje për një prononcim në gazetën lokale “Lajmëtari i Beratit”, një anëtar të identifikuar në opinionin publik si i tillë, por ai refuzoi të bënte koment, i terrorizuar. E provuam edhe ditën e premte më 3 shtator, por… nuk kishte bir kurve ( siç thotë Edi Rama), të gjente një njeri që t’i dilte zot Lëvizjes Socialiste për Integrim në gjithë qytetin e Beratit. Të kenë kaluar në ilegalitet?! Të ketë triumfuar dukuria e shëmtuar “Angjeli” edhe në radhët e LSI-së së Beratit?
Te të kontaktuarit (kurrsesi nuk mund t’u themi anëtarë të LSI-së), u pa një frikë që të kujtonte mikun e dikujt që sapo ishte arrestuar për agjitacion e propagandë në kohën e Hoxhës. Madje njeri u shpreh: “ Pse të dal unë, kur të tjerët e drodhën?!”
Çfarë ka ndodhur?
Reagimi brutal, i cili rrjedh nga mentaliteti i vështrimit bardh e zi, rrënjosur te shoqëria shqiptare (biologët thonë se vetëm qeni sheh bardh e zi), e kishte bërë punën e tij.. Reagimi brutal i PS-së, e cila topin e vjetër ZP e ka drejtuar drejt LSI-së, të kujton dënimin e armiqve brenda partisë gjatë atyre 45 vjetëve ferri. Parullat e vjetra për luftën e klasave janë zhvendosur nga shpatet e kodrave dhe maleve me “pakëz” shkallë zvogëlimi në krye të faqes së parë të ZP-së. Në fytyrat e tyre dallohej qartë se e kishin marrë paralajmërimin për humbjen e postit, humbjen e zyrës, humbjen e makinës, humbjen e rrogës së lartë, humbjen e … Madje kërcënimet dhe penalizimet kanë pas “salltanetet” dhe i janë afruar bukës së gojës. Në Shqipëri ca dritëshkurtër ende mendojnë se Shqipëria me tërë resurset e saj u takon atyre si dhuratë nga partia për popullin socialist. Zoti i ruajtë këta të gjorë kur të jenë pjesë e popullit opozitar nga e njëjta mëndësi që zotëron edhe segmente të rëndësishme të palës tjetër!
Mentaliteti stalinist dhe ai klanor tipik shqiptar po e mban të mbërthyer shoqërinë shqiptare dhe ka ngritur mure të frikshëm me pjesën tjetër të botë së qytetëruar. Eshtë e trishtueshme se në Shqipëri mungon guximi qytetar, ai guxim që ka vënë në lëvizje energji të mrekullueshme në vendet e qytetëruara, ndaj (megjithëse nuk dua të bëj Kasandrën), dukuria tragji-komike e kongresmenëve do të triumfojë mbi përpjekjet e një grupi socialistësh për reformimin e së majtës.