u ndryshua me21.04.2004 e-mail E Merkure nr.41

Këshilli i qarkut kyç raportin e kontrollit të shtetit
Kohët e fundit Kontrolli i Lartë i Shtetit erdhi në këshillin e qarkut të Beratit për të ushtruar kontroll. Ende nuk dihet nëse ky kontroll erdhi vetë apo e thirrën. Ndonëse inspektorët kanë kryer kontrollin e planifikuar nga institucioni i tyre, ende nuk dihet mirë përmbajtja e raportit të hartuar nga kontrollorët e specializuar. Reporterë të gazetave qendrore kanë dashur të njihen me përmbajten e raportit, por nga zyrtarët e këshillit të qarkut nuk kanë gjetur mirëkuptim.
I pyetur nga gazeta "Lajmëtari i Beratit" me telefon, kryetari i qarkut z. Pelivan Shatri nuk pranoi të prononcohej, madje u shpreh se nuk po ju kuptoj se për çfarë kontrolli e keni fjalën. Përballë kësaj heshtjeje zyrtare, publiku ka mbetur i painformuar për këtë çështje delikate. E drejta e informimit është një nga të drejtat themelore të qytetarit e njohur edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Natyrisht, në Shqipëri të drejtat e qytetarëve shkelen me të dy këmbët, ndaj nuk është çudi kur Këshilli i Evropës javën që shkoi jo vetëm që nuk pranoi t'i heqë monitorimin Shqipërisë, por i ka vënë kushte të forta, ndryshe mund ta përjashtojë fare nga ky këshill. Lajmetari

Edije Pone debaton me Krenar Sukun
Në mbledhjen e këshillit të bashkisë së Beratit, e cila u zhvillua javën e kaluar, u miratuan strukturat e reja të institucioneve dhe ndërmarrjeve që varen nga bashkia e Beratit dhe struktura e bashkisë.
Pozita në këtë mbledhje të parlamentit të qytetit u paraqit me dy projekte: një projekt u paraqit nga kryetari i bashkisë, z. Fadil Nasufi, projekt që u shpërnda te këshilltarët pesë ditë para, duke respektuar afatin ligjor, dhe një projektligj i lindur nga drejtues institucionesh dhe drejtorë në bashkinë e Beratit, në unison me strukturat drejtuese të PS-së.
Te projekti i parë strukturohej bashkia dhe institucionet sipas ideve të kreut të ri të bashkisë, z. Fadil Nasufi, ku mjaft drejtori pushonin së qeni dhe zëvendësoheshin me sektorë. Në këtë projekt kurseheshin lekë nga kontributi i taksapaguesve të qytetit të Beratit, lekë që do të përdoreshin për rrugë, shërbime shëndetësore, gjelbërim e arsim.
Ndërsa projekti i dytë, i endur nëpër zyra e kafene, kërkonte ruajtjen e strukturave butaforike ku do të marrin pagën e drejtorit të drejtorisë drejtorë pa drejtori, me vetëm 1 vartës apo edhe 2. Në çastin e diskutimit të strukturave, projektin e kreut të bashkisë Nasufi e kundërshtoi nënkryetari i bashkisë, Krenar Suku.
Këshilltarja demokrate Edije Pone debatoi me z.Suku: "Ti sjell projektstrukturën në këshillin e bashkisë dhe në vend që ta mbrosh atë para këshilltarëve e hedh poshtë. Nuk është pakëz i çuditshëm ky veprim?", pyeti këshilltarja Pone.
Lajmëtari

Ndërrimi i prefektëve, pagëzohet me protesta
Nuk ka shkuar ashtu siç ishte parashikuar nga autoritetet e pushtetit qendror e atij vendor ceremonia e dorëzimit dhe marrjes së detyrës së prefektit të Beratit. Gjithçka është venitur në kohën kur në sallën e prefekturës zhvillohet ceremonia e dorëzimit të detyrës nga ish-prefektja prefektit të sapoemëruar Thanas Broka, përfaqësues i PBDNJ, ndërsa jashtë rreth 600 vetë protestonin para hyrjes së prefekturës. Para kësaj situate as përfaqësuesja e pushtetit qendror, znj. Natasha Paço, dhe as pjesëmarrësit e tjerë nuk e kanë ndjerë veten mirë. Protestuesit ishin përfaqësues të komunës së Poshnjes ku bëjnë pjesë fshatrat e bregut të lumit, sipas tyre kanë një kohë të gjatë që u mungon energjia elektrike e uji i pijshëm dhe ankesat e tyre deri tani kanë rënë në vesh të shurdhët. Pasi i kanë përdorur të gjitha format e ankesave, banorët e kësaj zone kanë zgjedhur protestën masive, madje pa marrë leje në organet e policisë. Sipas kryeplakut Asqeri Tabaku, nuk është vetëm mungesa e energjisë elektrike dhe ujit, pasi me to tashmë jemi mësuar, por banorët janë të revoltuar me abuzimet që bën KESH-i duke e vlerësuar këtë tallje dhe poshtërim. "Është jashtë çdo logjike, -vazhdon Tabaku, -që drita të mos kesh dhe të paguash 3800 lekë të reja në muaj, kaq sa ç'kërkon KESH-i nga çdo familje". Pikërisht këtë kërkojmë ne, thonë banorët , të paguajmë aq sa harxhojmë. Dhe me të drejtë protestuesit kërkuan me këmbëngulje vendosjen e matësave elektrikë dhe pas kësaj ata të pranojnë pagesën e faturave. Nëse kjo nuk ndodh, pra, nëse KESH-i nuk lidh energjinë që e ka prerë dhe nëse nuk vendos matësa elektrikë, banorët do të përshkallëzojnë protestat deri në bllokimin e rrugës nacionale Berat-Lushnje. Bisedimet priten të vazhdojnë me prefektin e ri.
Dilaver Xhelili

Abuzimet në bashki bien në Berat kontrollin e shtetit
Me kërkesë të kryebashkiakut të ri Fadil Nasufi, ka disa ditë që në këtë bashki ka zbritur një grup kontrolli, që po kalon në sitë të gjithë sektorët që ka në varësi kjo bashki. Kryebashkiaku Nasufi, i ndodhur përballë përfoljeve të qeverisjes trevjeçare në këtë bashki, ka vendosur që të gjithë sektorët e përgojuar për abuzime të kalojnë në një kontroll të mirëfilltë. Nga rezultatet paraprake, kontrolli ka nxjerrë në pah abuzime në dieta, shërbime jashtë vendit, në infrastrukturë, në urbanistikën e qytetit, etj. Fillimisht janë sektorët e financave, të urbanistikës që zhbirohen nga grupi i kontrollit në fjalë, madje, nga ky kontroll pritet të dalin shifra konkrete të abuzimeve. Burime tepër të besueshme brenda bashkisë pohuan për gazetën se ky kontroll përfshin një periudhë 3-vjeçare, në të cilën, nga rrezultatet paraprake, kanë dalë në pah abuzimet e bëra në dieta e infrastrukturë nga ish-drejtuesit e institucionit të bashkisë, të cilët do të mbajnë përgjegjësi konkrete. Madje, nuk do të mungojnë edhe denoncimet në prokurorinë e rrethit Berat. Gjithsesi, në këtë bashki nuk do të mungojnë edhe largimet nga detyra. Kontrolli do të shtrihet dhe më tej. Rezultatet përfundimtare do të dalin pas disa ditësh. Gjithsesi, bëhet e ditur se, një kontroll i tillë, ka nisur edhe në institucionin e këshillit të qarkut.
Dilaver Xhelili

Kontrolli i shtetit zbardh abuzimet në bashki në shifrat 20 milionë e 600 mijë lekëj
Me kërkesë të kryetarit të ri të bashkisë Fadil Nasufi, në Berat ka zbritur Kontrolli i Lartë i Shtetit, i përbërë nga Sotir Kozdina e Piro Ymeraj. Grupi i kontrollit kaloi në sitë të gjitha institucionet që ka në vartësitë e veta kjo bashki. Nga rezultatet përfundimtare ka zbardhur abuzimet e mundshme në këtë bashki që kapin shifrat 20 milionë e 600 mijë lekë të vjetra. Këto abuzime janë konstatuar në tejkalim rrogash si në ndërmarrjen rrugë-trotuare në shumën 59.045 lekë (pagë e tepërt) dhe vetë drejtori ka marrë më tepër karta celulari 33 copë për vleftën 33.000 lekë, veprim që bie ndesh me vendimin e KM Nr. 343, datë 11.07.2002. Pagesa të tepërta në shkollën e mesme bujqësore ka përgjegjësja e financës, që ka përfituar më tepër në shumën 36.542 lekë (pagesë e tepërt). Gjithsesi shkelje ligjore në shpërblime, dieta të qendrës kulturore, klubin "Tomori", që kapin shifrat 758.012 lekë, të cilat kontrolli i ka quajtur veprim që bie ndesh me vendimin e KM Nr. 309, datë 21.06.1993, "Për shpërblimet e cilësisë artistike". Sipas rezultateve përfundimtare të këtij kontrolli, rezulton se për vitin 2003 janë ndërtuar objekte të reja me sipërfaqe fasade prej 7 225 m2 që zë shumën 108.375 lekë, e cila duhet të ishte arkëtuar në arkën e bashkisë. Burime të bashkisë së Beratit bëjnë të ditur se ky kontroll përfshin një periudhë njëvjeçare, vetëm vitin 2003.
Dilaver Xhelili

Toska: Pa rend e siguri, nuk ka turizëm
Në një takim të përbashkët, komunitet-polici-pushtet vendor, të zhvilluar në një nga sallat e bibliotekës së qytetit "Vexhi Buharaja", ishin të pranishëm Ministri i Rendit Publik Igli Toska, Ministri i Shtetit Marko Bello dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kryekomisar Bajram Ibraj, përfaqësuesë të bashkive të qarkut, prefekturës, komunave, biznesit dhe kominitetit civil. Qëllimi i takimit ishte sensibilizimi i opinionit dhe bashkërendimi i masave për parandalimin e krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe prostitucionit. Ministri i Rendit Publik Igli Toska që në fillim e ka cilësuar Beratin si qytetin e dramave të mëdha, duke nënkuptuar jo vetëm ngjarjet e vitit 1997, por edhe ngjarjet e rënda kohët e fundit. Sipas Toskës Berati bën pjesë në hartën e qyteteve që kanë kurbë të lartë të aktivitetit kriminal, trafiqeve të paligjshme të prostitucionit, ku shumica e tutorëve janë ende në aktivitet. Ministri, ndoshta në kuadër të transparencës, ka ekspozuar para përfaqësuesve të komunitetit e atyre vendorë shifra që vërtet janë tronditëse. 334 raste trafikimi femrash ku janë implikuar 209 persona, 212 vrasje, 513 vepra penale të pazbuluara, 127 të shpallur në kërkim, nuk janë pak për një qytet si Berati i cili është përfshirë prej kohësh në nismën e zhvillimit të mijëvjeçarit të ri dhe që synon të integrohet plotësisht në UNESKO. Në këtë kuptim, Toska ka qenë kategorik, kur deklaroi se pa rend e siguri nuk mund të bëhet fjalë për turizëm e turistë. Më shqetësuese është situata e pritshme e krimit të organizuar, ku në qarkun e Beratit janë ende në duart e popullsisë 44% e armatimit e municionit të grabitur në vitet '97. Madje, mund të thuhet se aksioni i mbledhjes së armëve është harruar fare dhe 34 armë të grumbulluara në 3 muaj janë qesharake për një polici si ajo e Beratit. Në të njëjtën linjë me Ministrin e Rendit Toska ka qenë edhe Ministri i Shtetit Marko Bello, i cili, për veç të tjerave, ka kërkuar nga komuniteti që të denoncojë me forcë organizatorët e trafiqeve dhe protitucionit dhe ka përmendur si shembullin më të keq tërheqjen e denoncimeve nga prindërit apo të afërmit e viktimave. Bello ka përfunduar idenë e Toskës që, në radhët e policisë, ka ende punonjës të inkriminuar. .
Dilaver Xhelili

Genc Pollo në Kuçovë
Ditën e mërkurrë, në datën 21 prill 2004, kreu i Partisë Demokrate të Re, Genc Pollo erdhi në Kuçovë. Ai shoqërohej nga Sali Kelmendi, shef i departamentit të organizimit në PDR dhe Vangjel Kondo, punonjës i këtij departamenti. Takimi u organizua me kryesinë e degës së PDR-së në Kuçovë, të zgjedhurit në pushtetin lokal të kësaj partie. Merrnin pjesë edhe drejtues të degës së PDR-së në Berat.
Mjeku Artan Asllani, kryetar i degës së PDR-së për Kuçovën, mbajti një raport, ku theksoi punën e degës gjatë fushatës së zgjedhjeve të 12 tetorit dhe pas saj. Kreu i PDR-së lokale, Asllani, nënvizoi se PDR-ja në Kuçovë mori një rezultat të mirë në zgjedhjet vendore. Numri i votave të marra është i barabartë me ato të të qershorit 2001, në zgjedhjet parlamentare. Zoti Artan Asllani, anëtar i këshillit të bashkisë Kuçovë, nënvizoi se dega e PDR-së në Kuçovë po i kushtonte një rëndësi të madhe afrimit të të rinjve pranë kësaj dege.Ai foli me mjaft optimizëm për të ardhmen e degës dhe PDR-së në përgjithësi, në zgjedhjet politike të vitit 2005.
Më pas e mori fjalën z. Genc Pollo. Ai u ndal te përtëritja e njësive të PDR-së, domosdoja e mbulimit të çdo kutie votimi me njësi të PDR-së, motivimi i banorëve për të shkuar në kutitë e votimit dhe për të votuar për PDR-në, si parti pa ngarkesa as nga e djeshmja e largët as nga e djeshmja e afërt, si parti me vizion të qartë perëndimor. Gjithashtu ai la detyrë parësore hartimin e listave me komisionerë për çdo qendër votimi, për çdo fshat e komunë, për çdo zonë zgjedhore. Kreu reformator foli edhe për mardhëniet me spektrin politik të PDR-së. Ai theksoi se mardhëniet në parlament kanëqënë korrekte, në përputhje të plotë me vijën tonë politike si parti e qendrës së djathtë. Një pyetje se çfarë ka ndryshuar në koalicionin "Bashkimi për fitore", të udhëhequr nga PD-ja, z.Pollo tha se nuk shoh asnjë ndryshim nga viti 2000. I vetmi ndryshim është se tani aty bëjnë pjesë ca anëtarë të rinj si Nikollë Lesi, Arben Imami dhe Preç Zogaj.
Në takim folën edhe zotërinjtë Sali Kelmendi, Vangjel Kondo. Ata u ndalën veçanërisht te problemet e organizimit të PDR-së. Ndërsa nga dega e PDR-së Kuçovë folën edhe zotërinjtë Petro Grillo, Vladimir Zoga dhe ing.Baxhia.
Lajmëtari