u ndryshua me21.04.2004 e-mail E Merkure nr.41

Bashkia e Beratit shpall konkurimin për 12 vende pune
Bashkia e Beratit, në zbatim të ligjit për shërbimin civil, shpalli konkurimin për 12 vende pune. Këto pozicione në bashki kanë të bëjnë me shërbimin civil dhe ligji kërkon që përzgjedhja e specialistëve të fusahve përkatëse të bëhet me konkurs.
Bien në sy pozicione të rëndësishme, si specialistë për marrëdhëniet me jashtë dhe turizmit, ku edhe kërkohen që kandidatët të kenë specializime të larta. Po kështu do të plotësohen me konkurs edhe vendet e specialistëve për ndriçimin, dekorin dhe infrastrukturën, shërbime në të cilat në të kaluarën kanë qenë të dobëta dhe spontane. Bashkia e Beratit ka çelur degë të reja pranë drejtorisë së shërbimeve, si dega që do të përgjigjet për ndriçimin e qytetit, dekorin e tij dhe infrastrukturën. Ky fakt synon përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Sot në lagjet e qytetit duhet të shkosh ose me elektrik dore ose në mungesë të tij me një pishtar. Errësira pengon lëvizjen normale të qytetarëve midis lagjeve, brenda lagjes apo edhe rrugicës. Bashkia ka dhënë mjaft fonde për ndriçimin e qytetit, fonde të cilat janë menazhuar nga filiali i KESH-it. Leku i hedhur nuk ka shkuar atje ku ishte nisur
Faturat e materialeve dhe punimeve të sjella nga KESH-i kanë qenë të fryra, ndërsa ndriçimi i dobët. Një tjetër shërbim që deri tani ka qenë pothuajse inekzistent, është shërbimi veteriner.Zoti i ka mbrojtur qytetarët deri tani nga epidemitë për shkak të qumështit të pakontrolluar, mishit që s'dihet nga vjen.
Të sëmurë ka patur, madje edhe të shtruar në spital për shkak të ushqimeve të skaduara, qumështit, që tregtohet me bidona plastikë të marrë drejt e nga kazanët e plehrave, mishit të pakontrolluar. Një tjetër specialist që do të merret me konkurs është dhe ai i urbanistikës. Nëse në këtë pozicion do të vendoset një specialist i mirë dhe i përgjegjshëm, do të vihen në kontroll ndërtime pa leje, shmangiet nga projektet e paraqitura, etj. Le të presim dhe të shpresojmë.
Lajmëtari

Edije Pone debaton me Krenar Sukun
Në mbledhjen e këshillit të bashkisë së Beratit, e cila u zhvillua javën e kaluar, u miratuan strukturat e reja të institucioneve dhe ndërmarrjeve që varen nga bashkia e Beratit dhe struktura e bashkisë.
Pozita në këtë mbledhje të parlamentit të qytetit u paraqit me dy projekte: një projekt u paraqit nga kryetari i bashkisë, z. Fadil Nasufi, projekt që u shpërnda te këshilltarët pesë ditë para, duke respektuar afatin ligjor, dhe një projektligj i lindur nga drejtues institucionesh dhe drejtorë në bashkinë e Beratit, në unison me strukturat drejtuese të PS-së.
Te projekti i parë strukturohej bashkia dhe institucionet sipas ideve të kreut të ri të bashkisë, z. Fadil Nasufi, ku mjaft drejtori pushonin së qeni dhe zëvendësoheshin me sektorë. Në këtë projekt kurseheshin lekë nga kontributi i taksapaguesve të qytetit të Beratit, lekë që do të përdoreshin për rrugë, shërbime shëndetësore, gjelbërim e arsim.
Ndërsa projekti i dytë, i endur nëpër zyra e kafene, kërkonte ruajtjen e strukturave butaforike ku do të marrin pagën e drejtorit të drejtorisë drejtorë pa drejtori, me vetëm 1 vartës apo edhe 2. Në çastin e diskutimit të strukturave, projektin e kreut të bashkisë Nasufi e kundërshtoi nënkryetari i bashkisë, Krenar Suku.
Këshilltarja demokrate Edije Pone debatoi me z.Suku: "Ti sjell projektstrukturën në këshillin e bashkisë dhe në vend që ta mbrosh atë para këshilltarëve e hedh poshtë. Nuk është pakëz i çuditshëm ky veprim?", pyeti këshilltarja Pone.
Lajmëtari

Ndërrimi i prefektëve, pagëzohet me protesta
Nuk ka shkuar ashtu siç ishte parashikuar nga autoritetet e pushtetit qendror e atij vendor ceremonia e dorëzimit dhe marrjes së detyrës së prefektit të Beratit. Gjithçka është venitur në kohën kur në sallën e prefekturës zhvillohet ceremonia e dorëzimit të detyrës nga ish-prefektja prefektit të sapoemëruar Thanas Broka, përfaqësues i PBDNJ, ndërsa jashtë rreth 600 vetë protestonin para hyrjes së prefekturës. Para kësaj situate as përfaqësuesja e pushtetit qendror, znj. Natasha Paço, dhe as pjesëmarrësit e tjerë nuk e kanë ndjerë veten mirë. Protestuesit ishin përfaqësues të komunës së Poshnjes ku bëjnë pjesë fshatrat e bregut të lumit, sipas tyre kanë një kohë të gjatë që u mungon energjia elektrike e uji i pijshëm dhe ankesat e tyre deri tani kanë rënë në vesh të shurdhët. Pasi i kanë përdorur të gjitha format e ankesave, banorët e kësaj zone kanë zgjedhur protestën masive, madje pa marrë leje në organet e policisë. Sipas kryeplakut Asqeri Tabaku, nuk është vetëm mungesa e energjisë elektrike dhe ujit, pasi me to tashmë jemi mësuar, por banorët janë të revoltuar me abuzimet që bën KESH-i duke e vlerësuar këtë tallje dhe poshtërim. "Është jashtë çdo logjike, -vazhdon Tabaku, -që drita të mos kesh dhe të paguash 3800 lekë të reja në muaj, kaq sa ç'kërkon KESH-i nga çdo familje". Pikërisht këtë kërkojmë ne, thonë banorët , të paguajmë aq sa harxhojmë. Dhe me të drejtë protestuesit kërkuan me këmbëngulje vendosjen e matësave elektrikë dhe pas kësaj ata të pranojnë pagesën e faturave. Nëse kjo nuk ndodh, pra, nëse KESH-i nuk lidh energjinë që e ka prerë dhe nëse nuk vendos matësa elektrikë, banorët do të përshkallëzojnë protestat deri në bllokimin e rrugës nacionale Berat-Lushnje. Bisedimet priten të vazhdojnë me prefektin e ri.
Dilaver Xhelili

Abuzimet në bashki bien në Berat kontrollin e shtetit
Me kërkesë të kryebashkiakut të ri Fadil Nasufi, ka disa ditë që në këtë bashki ka zbritur një grup kontrolli, që po kalon në sitë të gjithë sektorët që ka në varësi kjo bashki. Kryebashkiaku Nasufi, i ndodhur përballë përfoljeve të qeverisjes trevjeçare në këtë bashki, ka vendosur që të gjithë sektorët e përgojuar për abuzime të kalojnë në një kontroll të mirëfilltë. Nga rezultatet paraprake, kontrolli ka nxjerrë në pah abuzime në dieta, shërbime jashtë vendit, në infrastrukturë, në urbanistikën e qytetit, etj. Fillimisht janë sektorët e financave, të urbanistikës që zhbirohen nga grupi i kontrollit në fjalë, madje, nga ky kontroll pritet të dalin shifra konkrete të abuzimeve. Burime tepër të besueshme brenda bashkisë pohuan për gazetën se ky kontroll përfshin një periudhë 3-vjeçare, në të cilën, nga rrezultatet paraprake, kanë dalë në pah abuzimet e bëra në dieta e infrastrukturë nga ish-drejtuesit e institucionit të bashkisë, të cilët do të mbajnë përgjegjësi konkrete. Madje, nuk do të mungojnë edhe denoncimet në prokurorinë e rrethit Berat. Gjithsesi, në këtë bashki nuk do të mungojnë edhe largimet nga detyra. Kontrolli do të shtrihet dhe më tej. Rezultatet përfundimtare do të dalin pas disa ditësh. Gjithsesi, bëhet e ditur se, një kontroll i tillë, ka nisur edhe në institucionin e këshillit të qarkut.
Dilaver Xhelili

Astrit Qafa sqaron pozicionin e tij
Kryetari i grupit të këshilltarëve të PD-së në këshillin e bashkisë, z. Astrit Qafa, në lidhje me qëndrimin e këshilltarëve të opozitës gjatë diskutimit dhe miratimit të strukturave të qendrës kulturore të bashkisë Berat, sqaron:
"Në shkrimin e Y. Himës me titull "Shpëtim Dyrmishi shpallet monument kulture dhe mbrohet nga shteti" përmendet edhe reagimi joadekuat i këshilltarëve të opozitës në lidhje me gjendjen e institucioneve të kulturës në Berat dhe reformimin e tyre. Dua të sqaroj lexuesin e nderuar të gazetës "Lajmëtari" se z.Hima nuk ka qenë plotësisht i saktë, kur shkruan se "U dëgjua ndonjë zë këshilltari opozitar se punët e kulturës vitin e kaluar nuk kanë shkuar mirë dhe më në fund u votua për të hedhur në gropën e zezë nja 180 milionë lekë". Personalisht, por edhe në emër të këshilltarëve të Partisë Demokratike për këtë çështje e kam ngritur zërin, madje fort, duke kërkuar reformimin urgjent të qendrës kulturore dhe institucioneve që varen prej saj. Kam bërë edhe propozime konkrete, si: 1. Qendra kulturore të kthehet në qendër të menazhimit artistik e kulturor me 2-3 punonjës, specialistë të menazhimit të artit dhe veprimtarive kulturore. Pjesa tjetër e punonjësve të merrte pjesë në projekte artistike e kulturore, gjë që do ta trefishonte fitimin e tyre vjetor nga rroga që marrin pa bërë asgjë.
2. I kam kërkuar kryetarit të bashkisë, z.Fadil Nasufi, të shohë me përgjegjësi pozicionin antiligjor të drejtueses së muzeut historik të Beratit, e cila e ka kthyer institucionin në shtojcë të organizatës së veteranëve të LANÇ-it.
3. Në emër të këshilltarëve të Partisë Demokratike shpjegova votën time kundër strukturës së vjetër të qendrës kulturore.
Lajmëtari

Toska: Pa rend e siguri, nuk ka turizëm
Në një takim të përbashkët, komunitet-polici-pushtet vendor, të zhvilluar në një nga sallat e bibliotekës së qytetit "Vexhi Buharaja", ishin të pranishëm Ministri i Rendit Publik Igli Toska, Ministri i Shtetit Marko Bello dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kryekomisar Bajram Ibraj, përfaqësuesë të bashkive të qarkut, prefekturës, komunave, biznesit dhe kominitetit civil. Qëllimi i takimit ishte sensibilizimi i opinionit dhe bashkërendimi i masave për parandalimin e krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe prostitucionit. Ministri i Rendit Publik Igli Toska që në fillim e ka cilësuar Beratin si qytetin e dramave të mëdha, duke nënkuptuar jo vetëm ngjarjet e vitit 1997, por edhe ngjarjet e rënda kohët e fundit. Sipas Toskës Berati bën pjesë në hartën e qyteteve që kanë kurbë të lartë të aktivitetit kriminal, trafiqeve të paligjshme të prostitucionit, ku shumica e tutorëve janë ende në aktivitet. Ministri, ndoshta në kuadër të transparencës, ka ekspozuar para përfaqësuesve të komunitetit e atyre vendorë shifra që vërtet janë tronditëse. 334 raste trafikimi femrash ku janë implikuar 209 persona, 212 vrasje, 513 vepra penale të pazbuluara, 127 të shpallur në kërkim, nuk janë pak për një qytet si Berati i cili është përfshirë prej kohësh në nismën e zhvillimit të mijëvjeçarit të ri dhe që synon të integrohet plotësisht në UNESKO. Në këtë kuptim, Toska ka qenë kategorik, kur deklaroi se pa rend e siguri nuk mund të bëhet fjalë për turizëm e turistë. Më shqetësuese është situata e pritshme e krimit të organizuar, ku në qarkun e Beratit janë ende në duart e popullsisë 44% e armatimit e municionit të grabitur në vitet '97. Madje, mund të thuhet se aksioni i mbledhjes së armëve është harruar fare dhe 34 armë të grumbulluara në 3 muaj janë qesharake për një polici si ajo e Beratit. Në të njëjtën linjë me Ministrin e Rendit Toska ka qenë edhe Ministri i Shtetit Marko Bello, i cili, për veç të tjerave, ka kërkuar nga komuniteti që të denoncojë me forcë organizatorët e trafiqeve dhe protitucionit dhe ka përmendur si shembullin më të keq tërheqjen e denoncimeve nga prindërit apo të afërmit e viktimave. Bello ka përfunduar idenë e Toskës që, në radhët e policisë, ka ende punonjës të inkriminuar. .
Dilaver Xhelili

"Nano ik!" zbret në Berat
Lëvizja gandiste "Nano ik!" në këtë fundjavë erdhi në Berat. Lideri demokrat Berisha vuri në qendër të akuzave të tij kryeministrin Fatos Nano. Në fjalën e tij ai theksoi se ka ardhur koha që në Shqipëri t'i thuhet ndal korrupsionit, ndal krimit, ndal prostitucionit që tashmë kanë përfshirë strukturat qeveritare dhe gjithë vendin. Më tej Berisha shtoi se shqiptarëve duhet t'u kthejmë shpresën e humbur. Kjo do të vijë vetëm me zgjedhje të lira e demokratike. Kryedemokrati Berisha, në prani të qindra protestuesve tha se lëvizja "Nano Ik!", si një lëvizje mbarëkombëtare, nuk ka kthim, gjersa të rrëzojë Nanon dhe qeverinë e tij të babëzitur, e cila çdo ditë thellon varfërinë në Shqipëri.
"Tashmë njerëzit e kanë provuar se varfëria sa vjen e shtohet për shkak të vjedhjes të Fatos Nanos dhe qeverisë së tij. Këtë po e thotë bota mbarë, po e thonë socialistët, po e thotë vetë Nanoja duke u shprehur se socialistët janë të varfër, ndërsa ministrat janë të pasur."
Oratori Berisha është shprehur para simpatizantëve të tij se bota e ka bërë të qartë se pa zgjedhje të lira nuk ka Evropë. Nanoja e ka braktisur Beratin duke i dhënë vetëm gjysmën e fondeve që i takon këtij qyteti me infrastrukturë të masakruar, me ujësjellës jashtë përdorimit, me arsim me mjaft probleme. Mëkatet që i ka bërë Nanoja Beratit nuk i lan as uji i lumit Osum, që së shpejti do ta mbysë Nanon. Më tej lideri Berisha tha se betohemi sot para jush se lëvizja "Nano Ik!" do t'i kthejë Shqipërisë shpresën. Nano dhe qeveria e tij e babëzisë janë përfshirë nga ethet e frikës për shkak të mëkateve që kanë bërë kundrejt këtij populli fukara.
Takimin e hapi Dritan Haznedari, kreu i degës së PD-së, Berat. Në emër të gruas demokrate të Beratit përshëndeti Ermioni Velagoshti, ndërsa përfaqësoi mendimin e biznesmenëve Stiljano Pushi. Në emër të nacionalistëve të Beratit foli Hiqmet Lapardhaja. Mjeku Mehmet Xheka përshëndeti në emër të intelektualëve të Beratit. Në takim e mori fjalën dhe publicisti i njohur Preç Zogaj, si dhe kreu republikan, Fatmir Mediu.
Petrit Miho