| Opinion nga Bardhyl Myftiu | ||
| Fenomeni i konvertimit | ![]() |
|
| -Fjala konvertim ka
kuptimin e ëndërrimit, shkëmbimit dhe kthimit nga një
gjendje, në një tjetër. Zakonisht fjala konvertim përdoret si term në financa dhe veprimtarinë bankare, kurse në zhargonin popullor përdoret kambizëm. Pra, konvertimi është qëllim përfitimi, fitimi dhe leverdie. Pas viteve ‘90 fjala konvertim ka hyrë edhe në një kuptim të ri, në atë shoqëror. Shpesh dëgjojmë të thuhet se filan person u konvertua në ortodoks, islam apo katolik. Tek ne, në Shqipëri, ky konvertim është bërë masiv, sidomos pas hapjes me botën perëndimore. Pas eksodeve biblike të vitit 1991, një pjesë e shqiptarëve u vendos në Greqi, Itali dhe gjetkë. Duke qenë se shqiptarët si emigrantë në këto vende s’kishin mbështetje, nisën të konvertohen nga islamë, në ortodoksë, duke ndërruar edhe emrin, nga Mehmet, Ibrahim, Xhemal etj., në Jorgo, Jani, Kosta etj. Në këtë mënyrë ata duan t’u bëjnë qejfin pronarëve grekë, duke shpresuar edhe përkrahjen e tyre. Ky konvertim nuk u bë i detyruar nga shteti grek, por vullnetarisht, sepse askush nuk të detyron ta bësh një gjë të tillë, askush nuk të detyron të vaftisësh e të pagëzosh fëmijët në kishë, por se kjo gjë i shkonte për shtat grekërve pronarë të këtyre fatkeqëve. Pra, konvertimi masiv ishte vullnetar dhe s’është ashtu siç duan të thonë disa se qenka bërë me detyrim. Kurse në Itali, shqiptarët kanë vënë emra italianë, si Xhuzepe, Mikele, Renato, Antonio etj. Pa dyshim që këtë konvertim vullnetar në Greqi shqiptarët e kanë bërë thjesht për interes. Por ka raste kur një shqiptar që më parë ka qenë komunist, oficer ushtrie, bir gjykatësi, është konvertuar në ortodoks, madje edhe duke e tejkaluar masën, duke u bërë psalltës ose prift. Përfytyroni sesa qesharak duket ky ish-komunist, oficer i veshur me rrasonë e priftit, me mjekër dy pëllëmbë, që psallt në kishat greke të Athinës. Por edhe këtu në Shqipëri ndodhin konvertime spektakolare, nga komisar i rangut të lartë në myfti në Elbasan. Si rasti i priftit të Kosinës, nga mysilman i një ish-punëtori kooperative në prift s’është asgjë para këtyre dy shembujve të mësipërm. Konvertimi masiv dhe vullnetar, nga një fe në tjetër, rrëzon poshtë propagandën komuniste, e cila i idealizonte shqiptarët, duke iu referuar himinizimit të Naim Frashërit e Vaso Pashës. Ky fenomen ka karakter ekonomik, sepse shqiptarët para vitit ‘90 ishin punëtorë të shtetit me mëditje, të zhveshur nga çdo pronë, pra skllevër të bindur, që i shërbenin nga halli ambicjeve të çmendura të kastës komuniste dhe për të përfituar diçka nga regjimi, bënë edhe veprime të ulta në shërbim të shtetit e në dëm të atyre që shteti komunist i quante armiq të klasës. Fenomeni i konvertimit sot është shtrirë edhe në politikë, sepse s’ka si shpjegohet ndryshe konvertimit i komunistëve në demokratë, socialistë, republikanë, etj. Ky proces vazhdon edhe sot tek sheh N. Ndokën , që nga demokrat bëhet reformator dhe prej këtej në demokristian. Pra, njerëzit kalojnë nga një anë në tjetrën kur shohin që tava ka dy kokrra oriz më tepër. Siç rezulton nga faktet, duket se shqiptarët janë interesaxhinjë, materialist, dhe aspak ashtu siç siç përshkruhet nëpër libra, ku himnizohen. Por fenomeni i konvertimit duket edhe në shumë shqiptarë, të cilët bëjnë çmos të gjejnë dokumente për t’i paraqitur në Greqi sikur janë grekë dhe shumica vllah, sigurisht për qëllime përfitimi. Nga të gjitha këto duket se në Shqipëri s’paska pasur shqiptarë ortodoksë, por origjina e tyre na paska qenë vllahe. Këtu përfshihen edhe shumë të tjerë që paraqiten si romë apo egjiptianë dhe më pak arabë. Sot në Shqipëri, ndonëse shumë më pak, ka raste që nga propaganda islame po shfaqen edhe sekte, si sunitë, shihikë të arabisë, madje ka tendenca që këto grupe sektesh të radikalizohen në elemente integraliste, fondamentaliste islame. Për këtë rast unë nuk besoj, sepse shqiptarët nuk para besojnë në fe, më tepër e respektojnë atë, por asnjëherë s’mund të fanatizohen, apo të jenë praktikues të devotshëm të fesë. Ky është realiteti i sotëm shqiptar i fenomenit të konvertimit dhe çdo përpjekje tjetër për idealizim nuk është realist. |
||
| Lajmetari...gazeta nr.144 dt 12/06/2006 |
||