u ndryshua me19.09.2004 e-mail E Shtune nr.60

Partia Demokratike duhet të njohë vetveten

  Parti politike në kuptimin fjalë për fjalë e shqipëruar do të thotë pjesë, grup shoqëror i organizuar që ka si qëllim drejtimin e shtetit, pjesë-marrjen në punët e shtetit. Partia si institucion nuk është diçka e rastësishme, thjesht dëshirë e një grupi njerëzish. Jo çdokush mund të bëhet politikan. Jo çdo njeri që i “vardiset” partive, që arrin të bëhet edhe lider është i aftë për të drejtuar shtetin. Në Shqipëri ndodh ndryshe. Të gjithë kërkojnë të jenë të parë, të gjithë kërkojnë të jenë mbretër, ku mbi të tjerët spikatin dy tigrat e politikës, PS dhe PD, të cilët për 14 vjet radhazi kafshojnë njeri-tjetrin keqazi.
  
Ne kemi sot një PS që, pa e ekzagjeruar, përbën një “buldozer” në politikën shqiptare. Një gjigande parti, që edhe në ditët më të vështira, e vetme, merr më shumë vota. Një parti që nuk i shkon më për shtat një pluralizmi të ekuilibruar. Ndoshta do të ishte më mirë që për hir të shtetit duhej të sakrifikohej pushteti, në kuptimin e rregullimit të të gjithë konfiguracionit politik shqiptar. E thënë me fjalë ndryshe: e mira e përgjithshme ndoshta kërkon patjetër një copëzim të së majtës.
  
Ne kemi një PD që, përveç meritës se na pruri pluralizmin, nuk ka pasur gjë tjetër për t’u shënuar. Një parti politike që vetëm di të qahet, që ka fituar vetëm një herë, sepse i “grabisin votat”, që “fajtor për të qënkan të tjerët”. Një parti politike, që gjithmonë i ka lënë rastin zonjës Doris Pack të deklarojë se “duhet të ndryshojë klasa politike”, sikur kjo të ishte jashtë standartit. Në fakt, në fakt ne na quajnë i gjithi si komb jashtë standartit. Vetëm kombit shqiptar i kërkohet të plotësojë standartet. Atyre përtej kufirit të 1913-ës i thonë standartet para statusit, neve këtej kufirit na thonë plotësoni kushtet (standartet) për Marrëveshjen e Asociimit. Ne jemi kombi që të huajt na mësojnë jo vetëm se “rakia bëhet nga hardhia” por edhe se nga kush nuk duhet drejtuar partia. Po le t’i kthehemi dhe njëherë kësaj radhe PD-së, e cila nuk po arrin të njohë vetveten. Nuk po arrin të kuptojë se e keqja më e madhe asaj po i vjen nga brenda.
     Ka tri gjëra shumë të forta thotë Beniamin Franklin: çeliku, diamanti dhe të njohësh vetveten
. Mirëpo shkaqet e humbjes PD i kërkon vetëm jashtë saj. I kërkon tek kundërshtarët politikë. Dihet se në këtë botë asgjë nuk është e përkryer. Nga kjo nuk përjashtohet as dhe PD-ja, organizimi, funksionimi, lidershipi i saj. Ky lidership nuk është Jesu Krishti apo Muhameti. Ata që janë sot në drejtimin e PD-së nuk janë profetë, shpëtimtarë, pa të cilët PD-ja nuk do të ekzistonte. Secili prej tyre ka meritën, ka kontributin e tij. Por vjen një moment që, jo vetëm ekipi drejtues, por edhe një njeri i zakonshëm nuk shkon dot më më tutje. Me fjalë të tjera thuhet se ai e ka arritur kulmin e vet. Më pas fillon rënia. Prandaj është e domosdoshme të kapësh momentin, të njohësh vetveten, të monitorosh vetveten. Edhe sikur të jetë përsëri në gjendje lidershipi bën lëvizje taktike sidomos në prag zgjedhjesh vetëm e vetëm për të rritur kredibilitetin e forcës së tij politike. Bën lëvizje duke prurë figura të reja, por me personalitet. Kështu ndodh si nga e majta dhe nga e djathta, si në lindje ashtu edhe në perëndim. Kurse në PD çfarë të shikosh! Që nga 1997 e deri më sot pothuajse janë po ata. Fiton apo s’fiton PD-ja ata janë po aty: “qëndrestarët”. Ata mund të jenë “qëndrestarë”, po s’mund të jenë në zgjedhje fitimtarë. “Qëndrestarët” i kanë sytë tek Berisha. Ata e shikojnë atë dhe vetëm atë në dritën e syrit duke pritur çfarë do t’u thotë, çfarë do të bëjnë. Të vjen keq, por kjo “ajkë” i ngjan më tepër një shoqate shurdh-memecësh që kurrë nuk flasin. E ndërsa kur flasin të duket sikur e kanë humbur në mënyrë vullnetare arsyen. Me të tilla figura PD ia fut gjumit dhe kujtohet vetëm kur fillojnë fushatat zgjedhore. Thua që PD na qënka kështu parti elektorale si ato në SHBA. Berisha e ka ditur dhe e di këtë gjë, prandaj disa herë ka përmendur nevojën e hapjes së partisë. Hapje që, për fat të keq, ka rezultuar me ardhjen vetëm të “dushkarëve” Zogaj dhe Imami. Pra nga një parti demokratike PD-ja sot është kthyer në një parti të “qëndrestarëve” dhe “dushkarëve”. Zgjedhjet e fundit vendore e kanë bindur Berishën se figurat nga shoqëria civile të mirë-zgjedhura janë mjete për t’i fituar terren kundërshtarit. Një parti demokratike kërkon një kuvend demokratik. Një kuvend demokratik kërkon një përzgjedhje kuvendarësh. Që këta të fundit të mos jenë si “kongresmenët”, duhet të dish t’i zgjedhësh. Duhet të dihet, fjala vjen, se në Angli, për t’u zgjedhur në kuvend apo kongres, bëhet aplikim nga çdo anëtar, njëlloj siç aplikohet për çdo gjë. Delegat apo kuvendar bëhet ai që plotëson kriteret. Pra, në këtë mënyrë forumet bëhen cilësore, partia bëhet progresive.
   PD gjithmonë ka qënë pjesë e lëvizjeve politike, por si protagoniste. Që nga Lëvizja e Dhjetorit në vitet ’90 e deri te lëvizja “Nano ik”, PD, rrallë ose asnjëherë, nuk ka dalë si parti politike më vete. Pa dyshim që edhe me lëvizje politike merret pushteti, por midis lëvizjes politike dhe partisë politike ka ndryshim. Partitë politike janë më të organizuara dhe, nga mënyra se si rodhën ngjarjet, PD, si pjesë e këtyre lëvizjeve, më tepër ka humbur se sa ka fituar pikë. Lëvizjet politike janë deri diku të përligjura, fjala vjen, kur kemi ndryshim sistemi, apo situatë të luftës civile. Por PD nuk mund të jetë pambarim e fshehur, yzmeqare e partive të tjera. Lëvizjet politike janë tjetër gjë dhe aleancat paszgjedhore janë gjë tjetër. As më shumë dhe as më pak PD ka sakrifikuar nga vetja e saj për të mbajtur në këmbë parti-fantazma. Ka ikur tanimë ajo kohë, kur, për të bërë efekt tek elektorati dhe te ndër-kombëtarët, shpikeshin dhe prodhoheshin parti. Këto mikroparti të mbajtura nën sqetullën e PD-së kanë qënë gjatë gjithë kohës “kalorës të lirë”, dmth parti që kanë përfituar nga aleanca me PD, por që i kanë dhënë shumë pak asaj. Aq më tepër kur disa nga këto parti përbëjnë “opozitën e emëruar” ose, siç po duket, disa prej tyre po i largohen PD-së për t’u bashkuar me lëvizje të tjera politike. Këto parti nuk kanë qënë gjë tjetër veçse parti historike si PLL, PBK. Historike jo se kanë bërë histori, por se emri i këtyre partive lidhet me një të kaluar jo fort të këndshme, madje dhe të hidhur, para dhe gjatë Luftës Antifashiste. Kjo mund të duket si diçka e pa-rëndësishme. Por po ta shikosh në prizmin sa fitoj unë elektorat, PD më tepër ka humbur se sa ka fituar. Të mos harrojmë se kemi të bëjmë me një grup-moshë nga 20 deri në 80 vjeç, që është lindur, rritur dhe po plaket, që drejt-përsëdrejti ose jo ka qënë e lidhur ose e ndikuar me historinë politike, sociale, ekonomike për 50 vjet të PPSH-së, sot PSSH. Në këtë kuptim ka qënë një nga gabimet trashanike të PD-së qëndrimi joobjektiv ndaj historisë në përgjithësi dhe Luftës Antifashiste në veçanti. E çfarë i duhej PD-së të merrej me Luftën Antifashiste? Historia, megjithë vuajtjet e saj, nuk ka nevojë për t’u jetuar përsëri. PD nuk është institut historie, akademi shkencash, komitet vete-ranësh. Në asnjë vend të botës nuk ndodh që partitë të merren me historinë. Pa dyshim që historia ka subjektivitetin e saj, por kjo nuk mund të kurohet nga partiakë të porositur, por nga vet koha. Nuk ka pamje më të turpshme se si festohet Dita e Çlirimit dhe ajo e të rënëve në Shqipëri, aq sa dhe kalamajtë e shkollës, kur i pyet se kur është Dita e Çlirimit, duke qeshur të përgjigjen : është Njëzetecanëndori. Historia ka të vërtetën e saj. E vërteta është gjithmonë argumenti më i fortë. Ata që nuk ndryshojnë kurrë opinionin duan më shumë veten se sa të vërtetën. Të vërtetën e do dhe shumica. Le të bëjmë ashtu siç bën dhe do shumica dhe njerëzit do të flasin mirë për ne dhe do të na besojnë.
   PD nuk duhet të jetë parti klasore, krahinore, klanore. Përkundrazi duhet të jetë një parti moderne, një alternativë zgjidhjesh për shumicën. PD është partia demokratike e Shqipërisë dhe nuk është PD e Lazaratit, Kakomesë, Mamurrasit apo Bushatit. Shqipëria është më e madhe se kaq. PD nuk është parti e të përndjekurve dhe e të pakënaqurve nga komunizmi. Shqiptarë të tjerë janë më shumë se kaq. Prandaj çdo gjë që bëhet duhet peshuar mirë, duhet menduar thellë. Të mendosh është e lehtë, të veprosh është vështirë, por të bësh tjetrin të veprojë është gjëja më e vështirë. Kur shikon spiralin e lëvizjeve që bën PD të krijohet përshtypja se lëvizja është gjithçka, qëllimi - asgjë. Mitingjet, demostratat, kuvendi, konferencat për shtyp dhe mbi të gjitha komisionet imoromania janë kthyer në qëllim në vetvete. Nuk dihet se sa ka vajtur numri i këtyre komisioneve. E megjithatë kujt i shërbyen ato? Çfarë fitoi PD? I vetmi interes për ata që i ndiqnin nga ekrani ishte gallata, estrada e shtetit që e ka emrin parlament, në vendin ku punon „elita e kombit”. Më e bukur akoma është se PD këmbëngul që punimet të transmetohen drejtpërdrejt në TV. Mirëpo sot të dalësh në TV dhe ta përdorësh atë si mjet të luftës politike është thikë me dy presa. Mund ta shkatërrosh kundërshtarin, ama kur ke argumente dhe kur e bind atë që të dëgjon. Por mund të shkatërrosh dhe veten, kur shkon i papërgatitur. Prandaj, kur di një gjë thuaj që e di atë, kur nuk e di një gjë thuaj që nuk e di atë. Kjo është dituri, e vlefshme edhe kur bëhet politikë. Njerëzit të dëgjojnë dhe të besojnë për ato gjëra që duan ata dhe jo për ato gjëra që duan të famshmit deputetë. Kujt i hyjnë në punë, kujt ia ndjen, kush të dëgjon dhe të beson se Nano na paska Benz të dhuruar, na paska apartament aq dhe kaq m2, kur dihet se edhe shqiptari më i parëndësishëm ka jo një, po tri makina, jo apartament, por vilë me dy dhe tre kate. Nëse përpiqesh të shpjegosh të këqijat e këtij vendi si rezultate te defekteve personale individuale të zotit Nano, atëherë s’kemi bërë gjë për parandalimin e tyre. Në PD dhe në gjithë opozitën ka dëshirë dhe vetëm dëshirë për të folur. Pa dyshim parlamenti për atë punë është, por të vjen keq se diskutimet e deputetëve tanë hera-herës lënë për të dëshiruar. Ato janë pa substancë, pa doganë, janë të tipit „korr e mos lidh”. E pra, një gjendje e tillë nuk të jep shpresë, nuk të ngroh, nuk të mbush mendjen. Aty gjenden figura të tilla që, kur i dëgjon, të bëhet “të ikësh me vrap”. Jozefina Topalli, nënkryetarja e PD-së shkrihet së qeshuri, prapa krahëve të zotit Berisha, kur ky shkon e flet para deputetëve, madje edhe kur problemi është serioz. Ajo deklaron me mburrje para deputetëve se nuk qënka „fshatare e humbur”... Dhe të gjitha këto shikohen drejtpërdrejt nga publiku në TV. E di zonja Topalli se mbi 50% e shqiptarëve janë popullsi fshatare dhe a ka të drejtë morale nesër t’u kërkojë atyre votën? Bamir Topi, nënkryetar i PD-së e mat epërsinë ndaj kundërshtarit politik me fizikun e tij kur thotë se kryeministri është „deri tek shumësi i mbiemrit të tij”. Ja çdo të thotë kur ngatërrohet veterinaria me politikën. E pra, këta dhe të tjerë si këta do jenë ministrat e ardhshëm të Shqipërisë?
  Anastas Pjetri