|
Dekorimi i dhunshëm i jetës sonë
©
Ka kohë që në Berat,
por jo vetëm në Berat ka një përkujdesje maksimale
për të evokuar të kaluarën jo shumë të
largët sipas një kriteri tipik ideologjik, për fat
të keq ende të pranishëm në jetën tonë.
Në qytet ka filluar dekorimi i fasadave, lulishteve, mureve
me pllaka përkujtimore pas të cilave ajo që mungon
më së shumti është ngjarja.
"Kjo shtëpi ka qënë bazë e luftës",
"Këtu ka kaluar brigada x sulmuese", "Këtu
është strehuar shoku Z", deri tek një pllakë
që të bën edhe të qeshësh :"Këtu
u rrëmbye (u vodh- shënimi im, Y.H) nga njësiti gueril
shaptilografi".
Këto pllaka nuk kanë të sosur në qytet, në
fshat, pra në të gjithë Shqipërinë.
Nga lind gjithë kjo përkujdesje për t'na sjellë
të shkuarën e afërt, në mjaft raste edhe të
gënjeshtërt, tani në shekullin e internetit?
C'është ky dekorim i jetës sonë ?
Herë- herë Shqipëria i ngjan të famshmit Haxhi
Qamil, që në një kohë marrëzie totale,(dhe
këto kohra nuk janë të rralla në jetën
e shqiptarëve) u vetëdekorua gjysëm gjeneral e gjysëm
robinhud. (veshi një xhaketë gjenerali europe , vuri në
kokë një kallpak pashai turk dhe poshtë mbante brekushet
e fshatarit tiranas.) Dhe u vu në kërkim të Babës.
Pas e ndiqnin mijra e mijra njerëz më të marrë
se vetë marrëzia.
Edhe sot me keqardhje vëmë re se Shqipëria po dekorohet
si e tillë, por nuk jam fort i sigurtë nëse vërtetë
Shqipëria, ashtu si Haxhi Qamili, është në kërkim
të Babës.
Pllakat përkujtimore, ku flitet për beteja që nuk
janë zhvilluar kurrë, po mbushin çdo rrëpirë
fshati, çdo rrugë dhish, ku prej vitesh nuk kalon njeri.Lapidarë
dhe monumente i ngrihen një kohe, kur përçarja
dhe urrejtja midis shqiptarëve arriti kulmin. C'është
ky vrapim në të shkuarën?
Njihet thënia se kush përtyp të shkuarën, nuk
ka as të sotme as të ardhme.
Po pse bëhet e gjithë kjo? Natyrisht jo thjesht për
të ruajtur traditën, vlerat e saj. Nëse do të
fiksohej e kalura me vlerat e saj tashmë të provuara do
të qe një punë e lavdërueshme. Por e kaluara,
tradita, civilizimi për dekoratorët tanë të
mëngjër nis më 1941.Cinizmi, propaganda, dhuna dekorative
janë të pashembullta në një shoqëri që
trumbetohet si pluraliste, e lirë e demokratike. Sot mund të
thuhet se Shqipëria është vendi më i ideologjizuar
në Europë.
Poeti i madh nobelist Josif Brodski, një ditë të
bukur, duke dëgjuar një fjalim të sekretarit të
partisë komuniste në fshatin ku e kishin syrgjynosur,
befas këputet e bie pa ndjenja. Miqtë e tij të alarmuar
e çojnë në spital, ku poeti i jashtëzakonshëm
i nënshtrohet një egzaminimi të kujdesshëm.
Në fund mjekët erdhën në përfundimin se
Brodski i madh nuk kishte asnjë gjë. Kishte rënë
pa ndjenja thjesht nga alergjia që i shkaktuan mendimet e cekta,
nonsenset politike, marrëzitë që nxirrte nga goja
sekretari i helmuar ideologjikisht i partisë.
Natyrisht, një shpirti të lirë, një gjeniu si
Josif Brodski i bënin reaksion pallavrat.
Ka dashur Zoti që ne të mos jemi aq sqimtarë dhe
të ndjeshëm sa Brodski i madh, në të kundërt
përfytyroni se çfarë do të ndodhte kur të
dëgjonim lajmet në tv, kur të lexonim pllakat, kur
të dëgjonim fjalimet nëpër festa apo në
përkujtim të ngjarjeve që s'ndodhën kurrë,
kur të dëgjonim "fjalimet" e ca ofiqarëve
tanë në tribuna e në institucione publike, kur të
dëgjonim parlamentin e mbushur me "qëndrestarë".
Të gjithë do të binim e do të ndodhte një
katastrofë e madhe humanitare.
Po pse bëhet e gjithë kjo?
Jo thjesht për arsye ideologjike.
Europa Lindore ka kohë që është çliruar
nga këto marrëzi. Ajo kërkon të integrohet realisht
në Perëndim, ku idiotësitë ideologjike nuk pinë
ujë.
Ka një pragmatizëm në gjithë këtë
marrëzi në Shqipërinë tonë të dashur(siç
thotë shpesh një politikan). Pragmatizmi qëndron
në faktin e dekorimit të mjedisit me një ngjyrë
politike, thjesht për të mbajtur gjatë pushtetin.
Bie fjala, tek muri i ndërtesës ku shkruhet se këtu
u vodh një makinë shkrimi a diçka e tillë
në vitin 1991 u vendos selia e degës së partsë
së parë opozitare në Shqipëri, Partisë
Demokratike. Ky fakt është domethënës për
një shoqëri që vinte nga diktatura, për një
shoqëri që prej dekadash nuk e njihte pluralizmin. Pra,
krijimi i degës së PD është ngjarje, shumë
më domethënëse se vjedhja e një makine shkrimi
a diçkaje të tillë. Por as PD, as pushteti lokal
i saj nuk bëri marrëzinë të vendoste pllaka
përkujtimore. Ose aty ku ka qënë rrojtorja publike
mund të vendosej një pllakë, ku të njoftohej
vërtetë për një ngjarje: "Këtu ka
punuar si faturist poeti, studjuesi dhe përkthyesi i talentuar
Vexhi Buharaja."
Berati është një qytet emblematik i qytetërimit
shqiptar. Kur vijnë vizitorët dhe lexojnë pllakat
"e famshme", stepen. Natyrisht, nëse nuk do të
vuanin pushtetarët tanë nga epilepsia ideologjike, vizitorët
mund të lexonin: "Këtu në vitin 1281, pas dhjetë
muaj rrethimi e qëndrese qytetarët e Beratit thyen anzhuinët.
Në nderim të asaj qëndrese u ngrit kisha e Shën
Mëri Vllahernës." Ose : "Këtu u gjet Epitafi
i Gllavenicës, vepër arti e vitit 1373." Ose: "Këtu
ranë trimërisht në betejë kundër turqve
500 luftëtarë italianë të dërguar nga Alfonsi
V i Aragonës nën komandën e Raimondo Orsatës
në ndihmë të Skënderbeut." Ose: "Këtu
u ruajtën Kodikët e famshëm të Beratit."
Apo më poshtë në buzë të lumit mund të
qëndronte fare mirë një pllakë e tillë
përkujtimore: "Këtu poeti i shquar Nezim Berati,
Anakreonti i Shqipërisë (siç e quajti Hani- shënimi
im, Y.H) më 1735 u ndesh në një garë poetike
dhe fitoi me Mulla Alinë."
Kuptohet se këto pllaka e mjaft të tjera do të ishin
mjaft domethënëse.
Dekorimi metaforik apo i drejtpërdrejtë i jetës sonë
ndjek jo thjesht një traditë të shëmtuar.Në
ditën e festës kombëtare, më 28 nëntor
po shëtisja me mikun tim A. P, me formim të majtë
dhe e pyeta se çfarë përfaqësonin flamujt
e kuq që digjnin gjithë qytetin, krahas fare pak flamujve
kuq e zi që valëviteshin në atë ditë të
shënuar. Miku im nuk qe në gjendje të më jepte
asnjë lloj spjegimi. Ndoshta thjesht për traditë.
Ndoshta thjesht si zbukurim.Ende, në çdo festë
bëhet përskuqja e qytetit.(Lexues i nderuar mund ta vëresh
këtë fakt në festën më të afërt).
Një marrëzi e përafërt kishte ndodhur jo në
përmasa të tilla dhe jo në një hark të
tillë kohor para krishtlindjeve të vitit 1996. Cedra para
këshillit të rrethit qe zbukuruar krahas dekoracioneve
të tjera edhe me tollobmace të kaltra ku qe stamposur
logoja e PD. I thirra zyrtarit të asaj kohe dhe i kërkova
të më spjegonte marrëzinë(Qeshë i zgjedhur
në këshillin e bashkisë si përfaqësues
i PD-së). Brenda pak minutave cedra u çlirua nga tollombacet
politike. U ndjeva i çliruar dhe mendova se do të qe
mrekulli sikur qytetarët e Beratit të mos e kishin vënë
re atë lajthitje.
Po dekorimi i dhunshëm i jetës sonë nuk ndalet këtu.
Ai vazhdon në salla mbledhjesh, ku nuk mungojnë edhe zyrtarë
dhe politikanë të lartë që sapo janë ndarë
me personalitete europiane e amerikane ku kanë ironizuar e
qeshur me marrëzinë diktatoriale. Janë hipokritë
apo pragmatistë?
Në një sallë mbledhje qene mbledhur veteranët
e luftës. Kështu të paktën u lajmërua nga
folsi i tv-së. Për çudi në sallë kishte
a s'kishte ndonjë 80 vjeçar. Qenë fëmijë
kopshti deri tek 50-60 vjeçarë. Këta janë
veteranët e famshëm?
Thuhet, por unë nuk dua ta besoj, se po ngrihen organizata
veteranësh në lagje, në shkolla e deri në kopshte.
Po harxhohen miliona për të vendosur lapidarë, pllaka
përkujtimore, monumente, skulptura heronjësh të rreme,
memorialë në zona pa asnjë banor, në fshatra
ku jetojnë 2-3 shtëpi. Ndërkohë gjimnazistët
nuk kanë paisje për të realizuar orët e mësimit,
nuk kanë një fotokopjues, ku të fotokopjojnë
testet e shumtë, nuk kanë kompjutera, nuk kanë internet,
nuk kanë salla argëtuese e kulturore.
"Hani gjeneralët!", -përfundonte një barcoletë
e treguar fshehur në kohën e diktaturës, ku protagonisti
mburrej më të kaluarën "e lavdishme" dhe
gjeneralët e shumtë që kishte nxjerrë fshati
i tij i mjerë.
E gjitha kjo është një marrëzi e madhe në
kurriz të komunitetit. Paratë Europa dhe Amerika i sjell
për të përmirësuar jetën e shqiptarëve,
jo për të shtuar logot e ekstremit të majtë.
Në Shqipëri logot e diktaturës janë kudo të
pranishme : bunkerë, pallate si guva, rrugë të ngushta,
mungesa e ujit, mungesa e dritave, sherret politike, mjerim shpirtëror
e mjerim ekonomik, njeriu i ri përbindësh, ("Në
Shqipëri pashë dhëmbë të prishur, këpucë
të zeza dhe sy të sëmurë epshorë",-shkruante
në një gazetë perëndimore një reportere
e re në vitet 80-të.) Kur kemi kaq e kaq simbole e logo
të diktaturës, pse duhet të shtojmë edhe ca
të tjerë?!
E kaluara na ka kapur prej duarësh, prej këmbësh,
dhe ç'është me e vajtueshmja prej koke. Natyrisht,
s'kemi pse ankohemi hiç, kur Europa na e vë kufirin
tek thana dhe prej kohësh e ka thënë për ata
që kanë veshë: "Hani gjeneralët!"
Yzedin Hima
KTHEHU TEK
"OPINION"
|
|