Kur e ardhmja shestohet si e shkuar
( -Ose isoja labe e këngës "Mbrapa më vjen historia") ©

Mahitë dhe hokat e kryeministrit tonë s´kanë të sosur: gjithë takëmin e njerëzve të vet, as më shumë as më pak por ata biçimër që quhen ministra e deputetë, ai i trajton si një tufë derrash, që, sipas tij, anipse u hedh përditë nga një kovë me xhevahire në koritë, turinjtë e tyre derrërorë s´meritojnë veçse krundet dhe hirën krupëndjellëse të baxhove të katundeve.
Miklues e përçmues, arrogant e ngashënjyes, besnik e i pabesë, folklorik e modern (që pi njëlloj si rakinë e Skraparit edhe xhinin evropian), kuturisës e aventurier, por mbi të gjitha i marrë e i papërgjegjshëm për detyrën që ka marë përsipër, ai është aq i aftë që me akrobacirat dhe pelivanllëqet politike ta lerë me gojë hapur e me sy të gërdoqur të gjithë kopenë kurrizkuqe të deleve të vathës së tij. Me fjalët: progres, integrim, realitete europiane, bashkëkohësi, gjithëpërfshirje, -fjalë me gërma të gjata si krimba unazorë, -i ka trullosur fare zavallët e gjorë, të cilët s´bëjnë gjë tjetër veçse përsëritin si papagaj togfjalëshat e tij. Ka rrezik që Nanoja t´i identifikojë të gjithë shtetarët sipas modelit e shkërbimit të xhinsit që i rri çdo çast pas bythe. Ndryshe nuk ka si kuptohen broçkullitjet e pakuptimta të tij.
E tillë ishte edhe mahia estradeske në kongres: "Unë jam Fatos Nanoja dhe mbrapa... më vjen historia", duke perifrazuar kështu këngën e njohur labe. Ne e dimë që mbrapa tij rrinë angjelët, finot, islamët dhe s´na i do mendja që historia të ketë pamjen e ca dordolecëve çpërmakë. Përmendja e këtij vargu, ç´është e vërteta pa modesti, është një nga ato kovat me krunde derrërore që përmendëm më sipër. Por kryeministri duke mëtuar të lëvdohet, në të vërtetë i ka nxjerrë kallajin e ckurrën kulturës së tij vetiake. Ismail Qemali, pavarësisht vlerave, s´është më miti i pacënueshëm i kohës së Rrezikziut. Qeveria e Ismail Qemalit ishte krejt e paaftë për ta administruar vendin, për ta futur atë në rrugën e reformave, apo qoftë për të ndërtuar një administratë të çfarëdollojshme. Shqipëria vazhdonte të ishte anadollake, e katrahurëshme, mbushur me sojsëzë të gjithëçfarëshëm.
Shteti i sotëm shqiptar është toidhjo ai e viteve ´13. Ka disa vjet që banorët e kërbunjur të këtij vëndi pa drita, pa ujë, pa punë, s´bëjnë gjë gjë tjetër veçse ajgëtojnë estradat e KPD-së, Kongreseve të partisë. Xhinsin e njerëzve zullumqarë që rrinë pranë kryeministrit e pamë me buzët plot gjak si shqyente i ngazëllyer prenë administratës shtetërore: kaq zv/ministra, kaq drejtorë drejtorish. Motamo si një kope hienash tek shqyejnë trupin e një zebre në savanë.... Sa për njerëzit e tjerë të aftë që s´bëjnë pjesë në stanin e tyre, as që i kanë llogaritur fare. Sigurisht, kjo është më shumë se turp, ky është qepazellëk. Në këtë kuptim shteti i Fatos Nanos është shteti i shkër(b)yer i Ismail Qemalit.
Shumë nga personalitetit shqiptare e kanë qortuar Ismail Qemalin. Ja çka thotë njeri prej tyre: "Çfarë po bëni o shqiptarë?! Pse nuk hidhni një sy mbi jetën e tij të shkuar që është një iliadë çartallinash, batakçillëqesh, tradhëtish". Njeriu që ka thënë këto fjalë quhet Fan Noli, kurse njeriu që i ka përshpëritur Nanos në vesh ka gjasa të quhet Emin Baçi. Që këtu edhe ndryshimi.
Ngaqë Ismail Qemali e kishte katandisur Shqipërinë për iza të perëndisë komuniteti ndërkombëtar e backosi qeverinë e tij dhe dërgoi në Shqipëri princ Vidin.
E pra, ndërsa tufa e deleve kurrizkuqe blegërin e shenduar kur dëgjon paravoli të tilla prej kryeministrit, e mira e do që dikush t´ia ftillojë gafat e pafundme. Përndryshe, fraza e tij duhet kuptuar si faqja jonë e zezë, dhe e ardhmja e ndjellur prej tij, (e ardhme e paraqitur përmes vargut si e shkuara e kahershme) s´është gjë tjetër veçse dhënia e dutkave prej postit kryeministror..

KTHEHU TEK "OPINION"