Në 70 vjetorin e kryeredaktorit
të gazetës “Lajmëtari”,
zotit Agim Mehqemeja, i cili u nderua me titullin
“Vexhi Buharaja”, organizatori i cermonisë
zoti Kadri Kuka e nisi kështu takimin :”
Fort i nderuar, zoti prefekt i Beratit, Kucovës,
Urës Vajgurore, Policanit dhe Corovodës!
I nderuar zoti kryetar vetëm i bashkisë
së Beratit!”
Pasi kryeredaktori ynë e mori një copë
kartë, ku qe shkruar titulli dhe një objekt
artistik nga ata që i gjen te tezga me 100 lekë
copa, të pranishmit dolën në rrugë
të madhe. Dikush iu drejtua prefektit të
Beratit: “Zoti prefekt! A nuk ju tingëlloi
disi keq që organizatori i takimit, në vend
t’i drejtohej së pari kryetarit të
bashkisë, sic ndodh në të gjithë
vendet e qytetruara, ju drejtua juve. Besoj se u gjendët
në vështirësi nga ky lloj protokolli.”
Prefekti i qarkut të Beratit, i cili e kuptoi
se nuk qe thjesht një lapsus nga zoti Kuka, por
një mentalitet tipik, mentalitet që e shikon
kryetarin e bashkisë si dikur kryetarin e komitetit
të qytetit, ndërsa prefektin e barazon një
me sekretarin e parë të komitetit të
partisë, buzëqeshi dhe u përgjigj :
“Ashtu është! Një mentalitet
krejt i tejkaluar, por meqënëse ky mentalitet
është rrënjosur thellë te vëllezërit
tanë opozitarë, për të mos pasur
ndryshime të shpejta traumatike, unë mendoj
që protokollin hëpërhë ta lëmë
kështu sic është!”
* * *
Javën që shkoi u shfaqën në Berat
dy makina luksoze të dy gjigantëve të
telefonisë celulare, Vodafonit dhe AMC-së.
Ndonëse hiqen si konkurentë për jetë
a vdekje,të dy përfaqësuesit u panë
të qëndronin bashkë gjatë gjithë
kohës që qëndruan në qytetin tonë.
Pasi pinë kafe në Hotel “Tomori”
u drejtuan për nga selia e degës së
Partisë Demokratike. Me vete kishin marrë
nja pesë thasë me dhurata të ndryshme.
“E sheh se cfarë bën pushteti? Të
gjitha dhuratat për Krishtlindje po ia cojnë
PD-së! Sikur në të tjerët nuk
mbajmë celularë me karta të Vodafonit
dhe AMC-së!, tha një qytetar nga radhët
e popullit opozitar.”Mirë neve na lanë
thatë, këta grekët e Vodafonit dhe
të AMC-së, por nuk po pyesin më as
për aleatët e PD-së!” foli një
tjetër nga populli tepër i rralluar opozitar.
Por mjaft i habitur u gjend kryetari i degës
së PD-së, zoti Dritan Haznedari. Megjithëse
kishte pesë muaj pa e marrë atë rrogëzën
e kryetarit, ai u vrejt dhe i priti ashpër dhuruesit
e telefonisë celulare: “ Nuk kemi nevojë
për ndihma! Duruam plot tetë vjet dhe jo
të mos durojmë edhe ca tani që jemi
në pushtet!”
Përfaqësuesi i AMC-së, që ishte
gjithashtu grek si kolegu i tij Vodafonit, i foli
me një shqipe si ajo e Buzukut. Për të
shmangur cdo keqkuptim, ndërhyri greku i Vodafonit
me një shqipe të pastër si ajo e Kristoforidhit:
“ Zotni i nderuar! Nuk kemi ardhur për
të sjellë ndihma, por për të shpërblyer
me dhurata tre numra të celularëve fitues.
Na njoftuan se të tre rrinë këtu afër
degës së PD-së. Ata të tre kanë
dërguar gjatë tre muajve të fundit
në një numër celulari të shërbimit
tonë në Tiranë më tepër mesazhe
se sa kanë dërguar të gjithë abonentët
tanë të marrë së bashku në
Veriun e Shqipërisë!”
Gent Panariti