u ndryshua me11.0*.2004 e-mail E Shtune nr.59

Grupi folklorik i Beratit refuzon Festivalin e Gjirokastrës
Qendra kulturore dhe drejtoria e kulturės nė bashki mashtrojnė artistėt

Më 9 shtator 2004, në sallën e shfaqjeve të pallatit të kulturës “Margarita Tutulani”, u organizua takimi përfundimtar i grupit të përizgjedhur folklorik të qarkut të Beratit, që do të përfaqësojë folklorin e kësaj treve në Festivalin Kombëtar të Gjirokastrës.
Grupet u ndoqën nga komisioni qendror i specialistëve të ardhur nga Tirana, në përbërje të të cilit ishin: Ramazan Bogdani, Piro Misto, Mark Tirta, Klodian Qafoku, Bardhul Gaçe, Bajram Lapi, Agron Xharda.
Nga të gjithë grupet e përzgjedhur nuk mori pjesë vetëm grupi përfaqësues i qytetit të Beratit. Pjesëtarët e këtij grupi protestuan, sepse nuk ishin paguar nga bashkia sipas së drejtës së tyre ligjore pas shfaqjes përzgjedhëse.
Qendra kulturore kishte dorëzuar në bashkinë e qytetit, sipas kërkesës së saj, preventivin për nevojat e pagesave të grupit të këtij qyteti. Bashkia e quajti të fryrë këtë preventiv prej 405000 lekë të reja dhe kërkoi që këtë shumë duhet ta mbulojë vetë qendra kulturore. Qendra kulturore ka pranuar të përgjigjet vetëm me 200000 lekë të reja. Pjesëtarët e grupit nuk e pranuan këtë pagesë, prandaj dhe në shenjë proteste nuk u paraqitën sot para komisionit qendror.
Nuk është e drejtë që një qytet me tradita si Berati të përfaqësohet vetëm me dy këngë të përzgjedhura, kënduar nga grupi “Antipatrea”, duke lënë jashtë konkurimit katër nga këngëtarët më përfaqësues të qytetit. Prej këtyre këngëtarëve ishte e gatshme të paraqitej sot vetëm Floresha Debinja, por edhe kjo, për mungesë të orkestrës, mbeti jashtë këtij konkurimi.
Disa nga grupet e komunave të Beratit i kanë paguar pjesëtarët e grupit të tyre në kohën e duhur. Është e drejta edhe e pjesëtarëve të grupit të Beratit që ta kërkojnë këtë pagesë deri sot të mohuar.
Shqetësimin e këtij grupi e paraqiti para komisionit, në fjalën e saj prezantuese, edhe sekretarja e qarkut Vjollca Hoxha, duke lënë të hapur mundësinë e zgjidhjes së këtij problemi.
Komisioni qendror, në punë, përzgjodhi nga të dy grupet e Beratit një këngë kënduar nga Virgjini Mile, pjesëtare e grupit “Antipatrea” dhe një këngë që do të përgatitet nga grupi i bashkisë. Pra kaposhi u katandis një thelë. Berati si qytet pothuaj nuk do të përfaqësohet në këtë festival.
Lajmëtari

Duke folur ndryshe…
Mendime për librin e parë të autores së re Fatma Haxhialiu ‘NDRYSHE”

…Kohë më parë në një nga veprimtaritë kulturore që organizoi shkolla e mesme e përgjithshme “Kristaq Capo” e qytetit të Beratit mes dhjetra nxënësve artistë të kësaj shkolle të bintë në sy një vajzë teper e shkathët që, ndryshe nga të tjerët, i korri duartrokitjet që para se të futej në skenë. Kuptohet që pasi mbaroi u përshëndet edhe më tepër nga shokët e mësuesët e saj. A thua se ishte rritur me skenën, me artin? Vajza për të cilën po shkruaj quhej Fatma Haxhialiu.
E, ja tani, vetëm pas disa muajsh ajo na dhuron një libër të sajin me poezi të titulluar “Ndryshe” Mbase shumë kohë më parë se ajo të ngjitej në skenë bashkë me shokët e shoqet, në fletoren e saj rinore ka shkruar e ka shkruar vargje. Aventura adoleshente për të sfiduar jetën, shpesh të mbrapshtë, butë-butë e ka futur vajzën emërbukur Fatma Haxhialiu në sinorët e poetëve të ardhshme të qytetit tonë.
Që në faqet e para të kuvendimit të saj poetik me lexuesit ajo tregon se ka menduar të flasë NDRYSHE, të mendojë NDRYSHE, e një ditë librin e saj të parë ta titullojë pikërisht me emrin domethënës “NDRYSHE” Duhet të besojmë se rrëfimi poetik i Fatmës është gjer në ashtin e fundit të besimit e të sinqeritetit njerëzor. Janë 56 poezi te NDRYSHE. Janë 56 bedena prej nga lexuesi i çdo moshe sheh jetën që e rrethon. Në to nuk ka folkorizëm karakteristik për ndonjë vëllim të parë. As deklarata rinore shpesh qaramane. Në to nuk ka kurrsesi një këndvështrim të ngushtë tematik që e shoqëron shpesh librat e parë. Ka 56 shtigje prej nga lexuesi mundohet të shohë dritën e së nesërmes. Ka 56 trokitje në dyert e artit të bukur e të lashtë sa vetë bota ku Fatma ka dorën e saj, shpirtin e saj, botën e saj aq të spikatur.
Fatma di ta sfidojë këtë ndryshueshmëri ndaj thotë: “ndryshe vargjet mbi letër….ndryshe rrobat që vesh…..ndryshe fjala që s’u tha…ndryshe, ndryshe gjithçka….
Fatma ka një moto interesante në krijimtarinë e saj . Ajo thotë “Unë s’mërzitem duke ndërruar llampa”. Ndjen nervin e së përditshmes, por nuk harron që para se dita të ulë siparin e saj ajo të kurdisë orën, sepse “zilja sot duhet të bjerë më shpejt”.
E, pasi futet në përditshmërinë,asaj i duhet që të flasë me pasqyrat, me anonimët që s’duhet të jenë të tillë, me qiellin e pistë. I duhet të dialogojë edhe me të vdekurit, me hënën, pse jo edhe me stuhinë. Poetja e re rebelohet te poezia “PROTESTË” e thërret “Është koha më e mirë për të thënë MJAFT….Nuk pranon kurrsesi që të ketë njerëz pa emër. Proteston fisnikërisht edhe për një qeskë me plehra që ndot qytetin e vetë shpirtin e njeriut ndaj thotë:
Mbytem në gjak
S’di si të bërtas
Makina e plehrave
Ka marrë gojën time….
Fatma kërkon që t’i japë një dimension social poezisë së saj. Për nga ndërtimi ajo ka preferuar një poezi të shkurtër meditative. Me të duket se ndjen një monolog interesant ku rrinë pranë njëra-tjetrës ëndrra me zhgënjimin, nata me ditën, dashuria me urrejtjen…
Pjesa e veçantë e suksesit të këtij libri natyrisht i përket redaktorit Thanas Jani. Ai punon e jeton prej vitesh larg Beratit, por përvoja e gjatë si krijues e redaktor ndihet në këtë libër.
Në fillim të librit të tërheq vemendjen edhe një përkushtim tepër i veçantë. Daja i saj e njëkohosisht një artdashës e intelektual beratas, Gëzim Hyska, shkruan se ka ndihmuar në botimin e këtij libri më rastin e mbarimit të shkollës së mesme të Fatmës. Vërtet një mision fisnik që duket se autorja nuk i ka zhgënjyer, jo vetëm ata, por edhe lexuesin e gjërë beratas.
Po, tani në prag të fillimit të jetës studentore, Fatma Haxhialiu, si një filiz i shëndetshëm artistik i familjes Haxhialiu e sidomos i babait të saj Roshit, si i thonë shkurt ,të deh me sinqeritetin e saj poetik.
Besojmë se një portë u hap. Trokitja nuk ishte kurrsesi e ndrojtur e secili që e ndjen hapat e hedhur e uron nga zemra UDHË TË MBARË!
Namik Selmani

Një ditë pune e zotit Kadri Kuka
(Dy herë drejtor për kulturë, rini, sport e festime)

Drejtori i drejtorisë së kulturës, rinisë dhe sporteve të bashkisë Berat zoti Kadri Kuka dhe drejtor i qendrës kulturore të Beratit (i komanduar) zotni Kadri Kuka u çua nga gjumi fiks në orën 7. Pasi kreu ritualin mëngjesor, u paraqit te garderoba: të vishte kostumin e drejtorit të drejtorisë së kulturës, rinisë dhe sporteve në bashki apo? Po të vishte kostumin e përditshëm gri të drejtorit në bashki do të injoronte postin tjetër shumë të rëndësishëm atë të drejtorit të qendrës kulturore. Si t’ia bënte? Pasi i hodhi një sy garderobës, më në fund e gjeti. Aty gjendej një kravatë flakë të kuqe, të cilën e mbante dikur, tutje viteve 90, kur ishte emëruar drejtori i Teatrit të Beratit. Nëse do të varte atë kravatë, punonjësit e qendrës kulturore (ata që kanë mbetur janë pothuajse ata që kanë qenë në atë kohë) do të kujtonin menjëherë drejtorin e dikurshëm të këtij institucioni. Me kostumin e përditshëm gri të drejtorit në bashki dhe me kravatën e kuqe të dy simbolet do të bashkoheshin në një: Kadri Kuka hëm drejtor në qendrën kulturore, hëm drejtor në bashki. Pasi u vesh doli. Po ku të shkonte më parë, në zyrën e drejtorit në bashki apo në zyrën e drejtorit në QK? Askush nuk i kishte dhënë ndonjë udhëzim. E zgjidhi edhe këtë çështje. Në përgjithësi artistët fillojnë punën në orën 9.00, ndërsa punonjësit e bashkisë fiks në 8.00, ndaj u nis për në zyrën e bashkisë. Pasi u ul në tavolinë nisi të hartojë shkresën e parë:

Republika e Shqipërisë
Bashkia e Beratit
Drejtoria e kulturës, rinisë dhe sporteve
Nr.x i protokollit
Drejtorisë së Qendrës Kulturore
Ju njoftojmë se preventivi juaj për pagesën e organizatorëve dhe artistëve për periudhën përgatitore të grupit folklorik të Beratit, i cili do të shkojë në festivalin folklorik të Gjirokastrës 2004 është tepër i ekzagjeruar dhe bashkia nuk jep asnjë lek. Ndani 200 000 lekët nga fondi i qendrës kulturore.
Drejtoria e kulturës, rinisë dhe sporteve
Drejtor
i
Kadri Kuka
Firma

Pasi e përfundoi shkresën e futi në zarf dhe e nisi për në qendrën kulturore me shënimin urgjent sipër. Sa të mbërrinte letra me post ekspres në qendrën kulturore, u ul të pinte një kafe. Pasi e mbaroi kafenë, nxitoi për në qendrën kulturore. Në dy lëndinat e bukura me bar të gjelbër, nën hijen e cedrave po e prisnin punonjësit. Drejtori i qendrës kulturore u ngjit rëndë-rëndë në katin e dytë. Nuk i ngjante hiç drejtorit të drejtorisë së kulturës në bashki që vrapon edhe kur ngjitet shkallëve të bashkisë. Sapo u ul në karrigen e rehatshme të drejtorit të qendrës kulturore, ra dera.
“A mund të hyjmë shoku drejtor?”, foli me një zë një grup artistësh të grupit folklorik të Beratit.
“Hyni, hyni!”, u foli me dashamirësi drejtori.
“Kemi ardhur të ankohemi, shoku drejtor për pagesën e premtuar nga kjo drejtori. Na është premtuar e na takon të marrim 30 000 lekë për kokë për këta muaj provash që kemi bërë për festivalin e Gjirokastrës. Akoma nuk i kemi marrë, por siç e dini edhe juve, as zogu nuk cicëron në majë të cedrës pa para. Nëse nuk na paguani do të bojkotojmë festivalin.
“Mirë, mirë!”, u përgjigj i qetë zoti Kadri Kuka, pres një përgjigje zyrtare nga drejtoria e kulturës në bashki dhe do të flasim. Besoj se përgjigja do të vij tani”. Artistët folklorikë shqyen sytë.
“Po sikur është i njëjti drejtor...?!”, belbëzoi dikush.
Më në fund letra mbërriti. Postieri e lëshoi zarfin mbi tavolinë dhe mori firmën e marrësit. Drejtori i qendrës kulturore (i komanduar) zotni Kadri Kuka, pasi e hapi letrën dhe e lexoi me vëmendje, foli me zë të lartë ta dëgjonin edhe vartësit:
“Po këta të drejtorisë së kulturës, rinisë dhe sporteve në bashki, s’janë në vete! Në fillim kërkuan preventivin, premtuan paratë, tani të tregojnë gishtin e madh të ngritur përpjetë. Vafshi në djall!”, shqiptoi më në fund. Artistët e folkut i bënë të ditur zotit Kadri Kuka, drejtor i qendrës kulturore në Berat, se nuk janë aspak dakort me mendimin e zotit Kadri Kuka, drejtor i drejtorisë së kulturës, rinisë dhe sporteve në bashki. Ata njoftuan komisionin e ardhur nga Tirana për të bërë seleksionin e grupit që do të shkojë në Fest Folk 2004 në Gjirokastër, se nuk do të marrin pjesë për arsye financiare. Zotni Kadri Kuka, nën lëkurën e drejtorit të qendrës kulturore, kritikoi , shau, mallkoi, drejtorin e drejtorisë së kulturës në bashki, zotni Kadri Kukën, që nuk qe i zoti t’i mbushte mendjen titullarëve të bashkisë dhe këshillit bashkiak për të paguar artistët folklorikë të Beratit. Nisi të hartonte një shkresë të fortë.
Republika e Shqipërisë
Drejtoria e Qendrës Kulturore Berat
--------------------
Pasi shkroi tekstin, ku protestonte fort kundër drejtorisë së kulturës, rinisë dhe sporteve në bashki e dërgoi letrën në postë dhe sa të shkonte ajo në bashki, doli të pinte një kafe.
Kur Kadri Kuka, drejtor i drejtorisë së kulturës, rinisë dhe sporteve në bashki, po hapte letrën e dërguar nga Kadri Kuka, drejtor i qendrës kulturore të Beratit, ora po shkonte 16.00. Kishte mbaruar dhe një ditë pune e zotit Kadri Kuka.
Gent Panariti








.