-Biblioteka:
Hirushja këpucëgrisur e kulturës
Po bëhen muaj të tërë që komisioni
ekonomik pranë bashkisë është marrë
me projektbuxhetin e këtij viti, si dhe me reformat nëpër
institucione. Përfundimi?! Një përshesh i gatuar
me gozhdë, ashkëla e rërë së bashku.
E gjithë puna e tyre s' është gjë tjetër
veçse një mishmash absurd gjërash, filozofi
pajtimi me gjëndjen ekistuese dhe hierarki e vendosur
jo sipas ligjit. Le t' i marrim me radhë:
Autori i këtij shkrimi, duke qenë përgjegjës
i bibliotekës "Vexhi Buharaja", është
munduar ta bindë komisionin për domosdoshmërinë
e mëvetësisë së bibliotekës, mëvetësi
e cila është e mbështetur nga ligji për
bibliotekat dhe nga një shkresë e ish ministrit
të kulturës Edi Rama. Komisioni, në mënyrën
më të çapraztë që mund të
mendohet, ndonse e gjente të mbështetur kërkesën,
kësaj mëvetësie i jipte një zgjidhje më
skllavëruese dhe më të allasojtë. Pas
kundërshtimeve të mia ata e lanë përsëri
bibliotekën me qendrën kulturore. Një veprim
i tillë don të thotë të vazhdosh të
sponsorizosh përsëri dështimin, sepse është
e vërtetuar se instrumentat që vënë në
lëvizje një gërdallë të kabanjtë,
siç është qendra kulturore, bëjnë
xhoko dhe kërcasin. Veç kësaj guximi për
të dalë mbi ligjin bie erë ose diktaturë,
ose papërgjegjshmëri. Kjo tregon fare qashtër
se ndërsa flitet për pavarësi e deçentralizim,
në prapavijë, duke mos gjetur arketip tjetër,
vazhdohet të punohet sipas standarteve e modeleve të
Diktaturës, ç' ka është me të vërtetë
për të ardhur keq.
Çështja tjetër: pagat. Nuk jemi të sigurt
për asgjë kriter mbi të cilin është
ngritur hierarkia e pagave. Nëpunësit "babaxhanë"
të komisionit të thonë se edhe ajo pak rritje
pagash është bërë falë dashamirësisë
së tyre, sepse nuk ka asnjë ligj për rritjen
e tyre. Pra, i bie që kjo rritje të jetë bërë
falë dhimbshurisë familjare të tyre. Dhe kjo
dhimbshuri familjare ka bërë që një punonjëse
biblioteke të marrë 15 000 lekë, kurse një
punëtor prapavije në Pallat të Kulturës
të marrë 19 000 lekë. Kriteret e punësimit
për një punonjëse biblioteke janë: të
ketë mbaruar shkollën e lartë, ta ketë
notën mesatare mbi 8 dhe të ketë mbrojtur një
gjuhë të huaj. Kriteret e punëtorit të
pallatit: të ketë mbaruar tetëvjeçaren,
të jetë gozhdaxhi dhe mundësisht t' i fshijë
hundët me mëngë (!). Hajt, mos i quaj këta
njerëz, pastaj, shakaxhinj të përparimit.
Sigurisht, një trajtim i tillë i punonjësve
të bibliotekës është poshtërues,
është fyerje e dinjitit dhe personalitetit të
tyre, po në një farë mase ato janë dhe
ballgame pështyme që shteti hedh mbi fytyrën
e vet. Një shtet që s' respekton punonjësit
e tij s' ka se si të respektojë të tjerët
Edhe vite më parë biblioteka s' ka qenë gjë
tjetër veç Hirushja këpucëgrisur e përrallës,
që ka jetuar me lëmosha. Gjatë viteve të
fundit s' është bërë asnjë investim.
Institucioni thuajse s' ka më asnjë karrige ku të
ulë lexuesit, ndonëse numri i tyre ka arritur tek
4 000. Si rezultat i kësaj shifre të lartë
dhe buxhetit qesharak librat janë rronitur e brejtur.
Dhe vetiu të vjen ndër mend pyetja tragjike: pse
të ndodhë kështu? Së pari mendojmë
se kjo rrjedh nga këndvështrimi mefshtrak e mëndjeplogësht
i problemeve. Tashmë është e vërtetuar
se administrata shtetërore ka në vend të trurit
një mulli të qëmotshëm, ingranazhet e
të cilit janë ndryshkur e ckurrjasur. Filozofia
e planifikimit të buxheteve sipas viteve të mëparshme
është filozofia e planifikimit të djeshëm
socialist, është filozofia e përsëritjes
së gabimeve sipas modeleve të palave të fikut,
të vendosura varg e vistër mbi njera-tjetrën.
Prirja për ta lënë bibliotekën pas dore
vjen nga fryma molepsëse e masovizmit të djeshëm.
Dikujt, për të zezën e vet, i është
mbushur mëndja se kulturë quhet daullet, gërnetat,
zurnatë, kurse punën me librin (Zoti e ruajt!),
s' e quan të këtillë. Kjo mënyrë
të menduari kundrohet tek pagat e instrumentistëve
që janë gati sa dyfishi i punonjëseve të
bibliotekës.
BALIL GJINI
|