Ka ardhur koha të krijohet një lobing i fuqishëm kulturor...
Kultura e arti në qytetin tonë nuk është bërë pronë e intelektualëve, e lobingjeve të interesuara për artin e kulturën.

Ne foto: Kadri Kuka

Index kulture

-Pavarësisht nga posti, pasuria, origjina, njeriu ka disa miq, të cilët i veçon nga të tjerët. Ajo që më bashkon me miqtë e mi janë vlerat e tyre, natyra e hapur, kultura, inteligjenca dhe idetë e tyre për progres. Janë të shumtë miqtë e mi në këtë qytet, por miqtë e sferës kulturore janë të paktë... Midis tyre do të veçoja, Abdyl Pilafin, Vladimir Skëndon, Yzedin Himën, Adnand Shehun, Agim Mehqemenë, Petrit Revaninë, Agim Likën, Kastriot Dervishin, Balil Gjinin, Simon Vrushon, Vladimir Çelën, Çlirim Muklin, Dionis e Viktor Papën, Asllan Sulën, Miltiadh Boden, Elham Pashën, etj.
Me këta miq kam biseduar e ndarë shumë opsione e gjykime për artin e kulturën në median elektronike dhe në shtyp. E pse jo me disa edhe “ashpër” kemi debatuar për rrugët e artit e të kulturës.
Sot përmes gazetës së hapur për të gjithë intelektualët siç është edhe gazeta “Lajmëtari”, dua të shtroj disa probleme për artin, kulturën e qytetit, duke u bërë thirrje miqve të mi e më gjerë të krijojmë një lobing kulturor, padyshim me një staf inisiator, me ide e një platformë ambicioze për ta vendosur artin e këtij qyteti me të cilin ne mburremi kaq shumë në panteonin e vlerave kombetare e pse jo edhe më gjerë.
Së pari, unë gjykoj që problemet e artit e të kulturës nuk janë parë dhe ende nuk po shikohen si probleme mjaft të rëndësishme për jetën e një qyteti. Gjithçka në gjykimin e organizimeve pushtetore e kulturore për problemet e kulturës është empirike, diletante dhe e një niveli mediokër, s’ka një strategji kulturore mbarë qytetare, por gjithçka është fragmentare.
Është e pafalshme që ende vazhdojmë të punojmë me plane pune si dikur dhe s’ka platforma, s’ka ide, s’ka bashkëveprim forcash dhe interesash.
Pa cënuar pavarësinë e institucioneve, ka ardhur koha të ndërtohet një platformë gjithëpërfshirëse kulturore, e cila duhet pastaj të kalojë për miratim në këshillin bashkiak.
Por përpara se platforma të “zyrtarizohet”, përpara se të çelen burimet financiare e të gjenden donatorë, duhet që të organizohen debate në TV, në gazetën “Lajmëtari” e tavolina pune me njerëz të ditur e me përvojë në fushën e artit e të kulturës.
Një e keqe e madhe e sëmundjeve që po kalon sot arti e kultura në qytetin tonë është monopolizimi i saj vetëm te një qethull institucional.
Kultura e arti në qytetin tonë nuk është bërë pronë e intelektualëve, e lobingjeve të interesuara për artin e kulturën.
Ky lobing përveç njerëzve më të spikatur të qytetit tonë, mund të ketë edhe përfaqësues të tjerë të shquar të qytetit dhe jashtë Beratit dhe më gjerë.
E padyshim miqtë e mi, ky lobing, i cili mund të trajtojë periodikisht probleme të artit e të kulturës ( dhe jo thjesht veprimtari kulturore), padyshim që do të ushtrojë presion pozitiv ndaj pushteteve që për hir të së vërtetës janë të prirur më shumë nga ekonomizimi i problemeve.
Vizioni sot për artin e kulturën është reduktuar në një veprimtari promovuese dhe kaq. Është vërtet anakronike se si arti e kultura në qytetin tonë shikohet si copëz dhe jo si një e tërë. Vërtet Berati ka resurse kulturore, por bashkëveprimi institucional lë shumë për të dëshiruar.
Jo vetëm kaq, por edhe ajo çfarë ne kërkojmë për artin e kulturën e qytetit tonë është e njëanshme dhe jo mbi bazën e një platforme dhe strategjie të qartë e afatgjate.
Berati është qytet i ikonave, por ikonat janë në Muzeun Mesjetar të Korçës, Berati është një qytet me vlera të pamohueshme në fushën e ndërtimit, arkeologjisë, etnografisë, etj, por fare pak kemi bërë ne për ta bërë këtë qytet një qytet kulturor, ku të kthejnë kokën institucionet kulturore kombëtare, Ministria e Kulturës, donatorët, etj.
Prandaj unë këmbëngul dhe besoj që do të gjejmë gjuhën për të krijuar një lobing të fuqishëm kulturor, i cili si emërues do të ketë përpjekjet e përbashkëta për të shndërruar këtë qytet me të vërtetë në një metropol kulturor.
Kultura e një qyteti janë edhe institucionet. Me përjashtim të një ose dy institucioneve (këtu veçoj muzeun “Onufri” (muzeun etnografik), me të cilin mburremi, të gjithë të tjerët janë me një infrastrukturë të varfër.
Aspak ose me fushata kthehet fytyra nga arti e kultura dhe nga universitetet, pa folur këtu për njerëzit e artit e të kulturës që janë më të diskriminuarit.
Aseteve u duhet ngritur një lobing, i cili ta thotë fuqishëm fjalën e tij dhe të çojë mbi tavolinën e kryetarit të bashkisë apo të këshillit bashkiak një platformë kulturore, kur do të parashtrojë gjithë plagët dhe të propozojë dhe ilaçet kurative...
Gjithçka në jetën kulturore të qytetit i është lënë spontanitetit. S’ka një platformë e një strategji të veçantë në fushën e monumenteve të kulturës, të botimeve, të librit, të përkrahjes së vlerave dhe intelektualëve të qytetit, etj.
Jeta e një qyteti s’është thjesht një koncert. Aspak s’duhet reduktuar kultura tek një spektakël, pavarësisht se ai është pjesë e kulturës.
E rëndësishme është ana substanciale e kulturës, idetë, fryma e bashkëpunimit, platforma, strategjia kulturore, resurset, vizioni, lobingjet, buxhetet financiare dhe donatorët, projektet dhe ideatorët e tyre, etj.etj.
Në qoftë se vazhdohet të punohet me frymë sempliste, komanduese dhe pa vizion e strategji të afërt e afatgjatë, arti në qytetin tonë do të vazhdojë të lëngojë.
Prandaj unë ju propozoj dhe i ftoj në debat miqtë e mi dhe elitën kulturore që është jashtë Beratit të ngremë e të marrim në dorë fatet e artit e të kulturës në Berat, për aq kohë, sa arti e kultura s’ka dhënë shpirt...
Kadri Kuka

Lajmetari...gazeta nr.112 20/10/2005