u ndryshua me12.04.2004 e-mail E Merkure nr.39

Furtunë në drejtorinë e policisë së qarkut
Mbas ngjarjes së disa ditëve më parë në qelitë e burgut të Beratit, ku njëri nga të burgosurit tentoi të arratisej, e pikërisht Leonard Durrësi, drejtoria e policisë, e ndodhur përballë kësaj situate tronditëse, ka vepruar menjëherë. Vetë kreu i kësaj drejtorie Shkëlqim Kokonozi ka vënë pikën mbi i. Burime brenda kësaj drejtorie bëjnë të ditur se për normalizimin e gjendjes dhe rikthimin e besimit në këtë drejtori janë bërë shumë transferime dhe disa ndryshime të disa drejtuesve e oficerë sektorësh, Nazmi Tusha, ish-shefi i rendit, është transferuar për në Rrëshen me një detyrë tjetër; Petrit Myslymi, ish-shefi i pasaportave, ka kaluar në zyrën operative në komisariatin e Kuçovës. Po këtë fat e ka patur Leonard Doçi, Llukan Tumani, komandant i forcave të gatshme; Azis Lybesha, komandanti i repartit, që kanë kaluar në zyrën operative të komisariatit Berat; Klodian Profti është transferuar në Vlorë. Largimi nga detyra i këtyre oficerëve u është komunikuar nga titullari i kësaj drejtorie në orën 08.00 të mëngjesit. Menjëherë ata janë zëvendësuar me oficerë të specializuar nga komisariati i Kuçovës dhe Skraparit.

Dilaver Xhelili

Zbërthehet grupi i trafikantëve të mishit të bardhë
3 persona janë arrestuar nga policia Policia e Beratit zbulon një grup që merrej me trafik të mishit të bardhë në rajonin e Beratit. Arrestohet në flagrancë Besnik Kanaçi 28-vjeç, lindur e banues në fshatin Duhanas në një nga lokalet e Tiranës. Nga hetimet në prangat e policisë kanë rënë edhe dy pjesëtarë të tjerë të grupit. Burime të policisë bëjnë të ditur se në orën 22.00 u bënë arrestimet e dy pjesëtarëve të tjerë të grupit të trafikantëve të mishit të bardhë, 49-vjeçari Sali Kanaçi, lindur e banues në fshatin Duhanas, 48-vjeçari Sali Shkëmbi, banor i lagjes "30 vjetori". Të 3 këta shtetas kishin një kohë të gjatë që, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar trafikimin e klandestinëve për qëllime përfitimi për në Greqi, kundrejt shumës 1000 euro për person. Nga kontrolli i ushtruar nga policia, ka sekuestruar në cilësinë e provës 16 pasaporta shqiptare, 14 nga të cilat 10-vjeçare, të gjithë banorë të qarkut të Beratit. Gjtihashtu janë gjetur dhe 4 aparate celularë, një sasi të hollash, disa çertifikata në gjuhën shqipe e të përkthyera në greqisht dhe sende të tjera. Burime të policisë puhuan se këto dokumente do të futeshin në ambasadën greke në Tiranë për të marrë viza shengen. Drejtuesit e policisë kanë thënë se kemi të bëjmë me një rrjet të gjerë, që ka të bëjë me 3 qytete të tjerë, por nuk bëjnë të ditur qytetet për efekt hetimesh. Burime të policisë thanë se grupi përdorte Greqinë si trapolinë për të shkuar në vendet e tjera perëndimore. Ky është grupi më i madh trafikantësh që goditet për vitin 2004 në qarkun e Beratit. Tashmë të tre të arrestuarit janë në dhomat e izolimit. Policia po verifikon të gjithë numrat e telefonave që ishin regjistruar në kartën e celularit që ata përdornin.
Dilaver Xhelili

Zgjohen sindikatat
Protestat e sindikatës së pavarur të transportit që u zhvilluan në Tiranë e Durrës, tashmë kanë zbritur në Berat. Plot 140 taksistë janë hedhur në protestë kundër autobusëve. Lajmin e bën të ditur për gazetën kreu i sindikatës së pavarur të transportit shqiptar, Gëzim Qato, i cili prej disa ditësh ndodhet në Berat për të organizuar e udhëhequr këto protesta të 140 taksistëve 4+1 e 8+1, që janë të licensuara ligjërisht. Qato, thotë se sindikata që ai drejton, ka vendosur organizimin e një greve të përgjithshme, që do të zgjasë 2 orë. Për këtë, drejtuesit e saj, janë marrë vesh me autoritetet e policisë lokalë. Taksistët 4+1 dhe 8+1(autovetura e furgonë), do të grumbullohen në hyrje të qytetit, pranë ish-ndërmarrjes ushqimore dhe më pas do të lëvizin drejt qendrës së qytetit, në dy korsi, duke u rënë borive pa pushim e duke paralizuar totalisht lëvizjen e automjeteve të tjera në këtë aks të vetëm rrugor, që përshkon tej e tej qytetin e Beratit. Pas këtij demonstrimi dyorësh taksistët do të grumbullohen në sheshin përpara godinës së bashkisë, ku organizatorët do të flasin nga një tribunë e improvizuar dhe do të përpilojnë një peticion proteste kundër qëndrimeve indiferente të instancave të shtetit. Sipas kreut të sindikatës së pavarur të transportit shqiptar, përveç katër kërkesave që janë të njëjta për të gjithë taksistët shqiptarë, taksistët beratas do të kenë edhe kërkesat e tyre specifike. Nga këto kërkesa mund të përmenden: nënshkrimi i marrëveshjes midis sindikatës lokale dhe bashkisë si dhe midis sindikatës lokale dhe qendrore, që qarku i Beratit të përcaktojë numrin e automjeteve e furgonëve- taksi dhe procedurat e licensimit sipas kërkesave të bashkisë, që bashkia e Beratit të caktojë vendqëndrimin e taksive larg autobusëve dhe vetëm për ata që paguajnë taksën e vendqindrimit, që leja e bashkisë të përsëritet një herë në 5 vjet dhe taksa e rrugës të ulet nga 7000 në 3500 lekë. Organizatorët thanë se pas kësaj proteste dyorëshe në Berat, taksistët do të presin reagimin e pushtetarëve vendorë, të nesërmen. Nëse ata do të vazhdojnë të jenë indiferent dhe nuk do të reagojnë, do të përshkallëzojnë protestën e tyre, duke bllokuar e paralizuar për ditë me radhë rrugën kryesore dhe nuk do të paguajnë detyrimet ligjore financiare për taksën tatimore vendoree që lidhet me kërkesat e tyre të ligjshme.
Dilaver Xhelili

Shtohen të sëmurët nga astma në Kuçovë
Burime të spitalit të Kuçovës bëjnë të ditur për gazetën "Lajmëtari" se në statistikat shëndetësore mësohen shifra tronditëse të të sëmurëve me diagnozën asma bronkiale. Këtë lajm e bën të ditur edhe drejtori i spitalit Arqile Mjeshtri. Ai ka thënë se në statistikat e spitalit janë 500 të sëmurë me kartelë me diagnozë asmë bronkiale, e cila ka rënduar gjendjen e këtyre banorëve. Burime të spitalit kanë pohuar se është rast i rrallë në shkallë vendi që në një qytet me 30 mijë banorë të jenë kaq të sëmurë me këtë diagnozë. Specialistët japin alarmin se ndotja e mjedisit nga nënproduktet e naftë dhe të gazit që shpërndahen në natyrë, ka bërë që qyteti të përjetojë një ndotje të madhe e shumë të rrezikshme për shëndetin e këtyre banorëve çdo ditë. Më të rrezikuar në këtë qytet janë lagjet "11 janari", "Distileria", "Polovina", "1 Maji", që ndodhen aktualisht në territorin naftëmbajtës. Burime nga spitali bëjnë të ditur se kjo shifër është në rritje. Specialistët those se, nëse nuk do të merren masa për parandalimin e shpërndarjes së gazit në natyrë, në këtë qytet do të rritet numri i të sëmurëve.
Dilaver Xhelili

Këtë verëGjermanët çojnë Bogovën në Kuçovë

50 mijë banorët e qytetit të Kuçovës do të kenë më shumë ujë, me të cilin do të lajnë më shumë halle të akumuluara ndër vite.
Konfirmimi zyrtar bëhet i ditur nga drejtori i ndërmarrjes së ujësjellës-kanalizimeve, zoti Avdulla Xhema. Sipas zotit Xhema, janë plot 750 mijë euro që banka gjermane ka akumuluar për zgjatimin e ujësjellësit nga Bogova deri në Kuçovë, si dhe për rikonsruksion të pjesshëm e ndërhyrje në segmentin e ujësjellësit ekzistues nga vendburimi i Bogovës deri në Berat. Ky projekt, gjithmonë sipas drejtorit të ujësjellësit, është në kuadër të bashkëpunimit serioz që banka gjermane ka realizuar me bashkinë e Kuçovës dhe të Beratit. Për të rrjedhur ujë i pastër i Bogovës në çezmat e 50 mijë banorëve të Kuçovës, do të shtrohen 12 kilometër tubo të dimensioneve të ndryshme si dhe do të zgjerohen arteriet që dalin nga burimi kryesor i daljes në Bogovë. Burime të Bashkisë së Beratit bëjnë të ditur për gazetën se zbatimi i këtij projekti të shumëpritur do të ndikojë edhe në rikonstruksionin e tubacionit të rrjetit të brendshëm të qytetit, që ka rreth 40 vjet pa u ndërruar. Madje, tubacionet kanë ndikuar negativisht në shëndetin e banorëve beratas nga çarja e tyre. Nga këto çarje është bërë e mundur përzierja e ujërave të pijshëm me ato të zezat. Sipas burimeve zyrtare, zbatimi i këtij projekti do të përfundojë brenda vitit.
Dilaver Xhelili

Gjendet një arsenal armësh në fshatin Sinjë

Gjendet nga policia një arsenal armësh në një banesë të braktisur në fshatin Sinjë. Këtë lajm e ka konfirmuar drejtoria e policisë së prefekturës së Beratit. Policia e Beratit, e nisur në bazë të disa informaci-oneve paraprake, ka ushtruar kontrolle në disa banesa në fshatin Sinjë. Rezultatet e bluve kanë qenë të kënaqshme. Fillimisht forcat policore kanë hyrë për një kontroll të befasishëm në disa banesa të dyshuara për armë. Madje, policia ushtroi konroll edhe në disa banesa të braktisura, ku kishte të dhëna për armë. Nga kontrollet e ushtruara në këto banesa të braktisura, u gjendën një sasi armatimesh të modeleve të ndryshme. Armët e gjendura: 3 pushkë model 56, 1 pushkë sportive, 2 murtaja 60 mm, 3 mitrolozë 12.7 mm si dhe një mitroloz maksim 1910. Burime të policisë pohuan se është bërë sekuestrimi i armëve. Sipas të dhënave, këto armë janë grabitur nga magazinat e armatimit të bazës së Jugut, më e madhja në shkallë vendi. Policia po punon për gjetjen e autorëve të mundshëm. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e ndonjë trafiku të mundshëm armatimi. Brenda harkut kohor prej një muaj policia ka zbuluar e sekuestruar një sasi të konsiderueshme municionesh që vinin nga Tepelena me destinacion Tiranën.
D. Xhelili