|
NGJARJE TRONDITËSE
Vogëlushi Mateo Koroveshi bie në
rrjedhën e lumit Osum
Pasditen
e ditës së premte në rrjedhën e lumit
Osum pranë lulishtes qendrore në qendër të
Beratit, ra vogëlushi 4-vjeçar Mateo Koroveshi.
Rrjedha e lumit e përfshiu fëmijën, ndërsa
ai orvatej të hapte një tollombace, e cila i iku
nga dora dhe ra në ujë.
Ndonëse një qytetar me mbiemrin Kokoshi u hodh në
ujë dhe e nxori djalin e vogël, fati nuk qe me të
dhe me familjen e tij. Edhe pas frymëmarrjes artificiale
dhe përpjekjes për t'i nxjerrë ujin, djali
nuk u kthye në jetë.
Ngjarja e rëndë preku të gjithë qytetarët,
të cilët u gjendën pranë lumit në
ato çaste.
Gazeta "Lajmëtari i Beratit" , i shpreh familjes
Koroveshi, ngushëllimet më të thella dhe ndan
dhimbjen me të për humbjen e vogëlushit Mateo
Lajmëtari
Policia
e Vlorës rreh barbarisht gjimnazistët e Beratit
Javën
e kaluar, një klasë e gjimnazit "Babë
Dudë Karbunara" të Beratit kreu një ekskursion
në qytetin piktoresk të Vlorës. Nxënësit
i shoqëronte mësuesja Neti Bojaxhi. Maturantët
shëtitën në qytetin bregdetar pa i rënë
në qafë askujt, pa bërë rrëmujë
e zhurmë. Ndërsa dy të rinj beratas po ecnin
të qetë në një nga rrugët e këtij
qyteti, pranë grupit të bashkëmoshatarëve,
furgoni i policisë së komisariatit të Vlorës
ndalon pranë të rinjve dhe kërkon t'i fusë
adoleshentët në makinë. Të habitur, djemtë
nuk pranojnë të futen në furgon, por policët
e qytetit bregdetar, qytetit më të vizitueshëm
në Shqipëri, u derdhën mbi ta si skifteri,
duke i goditur me grushta e shqelma. Nuk mjaftoi as ndërhyrja
e maturantëve të tjerë, as ndërhyrja e
mësueses së nderuar Neti Bojaxhiu, për të
hequr nga duart e horrave me uniformë djemtë e pafajshëm.
U desh ndërhyrja e kryetarit të Bashkisë së
Vlorës, z. Shpëtim Gjika, pas ankesës së
mësueses, që të liroheshin gjimnazistët.
Në fytyrë kishin shenja të dhunës, shkaktuar
nga ca qenie primitive me uniformë që gabimisht
thirren policë.
Gazeta Lajmëtari i Beratit proteston dhe dënon këtë
akt të neveritshëm të policisë së
Vlorës.
Lajmëtari
Mungesa
e fondeve lë pa mësim nxënësit
Mungesa
e fondeve në drejtorinë arsimore, ka bërë
që 200 mësues të mos shkojnë në shkollat
e zonave të rrethit Berat. Shkak për këtë
gjendje është bërë një grevë
e presidentëve të 20 autobusëve, që kanë
4 muaj pa marrë lekët nga drejtoria arsimore. Tashmë
kjo grevë është futur në ditën e
6-të. Madje, dje pronarët kanë bllokuar bulevardin
kryesor duke vendosur autobusët pranë këshillit
të qarkut. Burime nga kjo drejtori bëjnë të
ditur se drejtoria arsimore nuk ka fonde për transportin
e arsimtarëve. Madje, ky fond që lëvrohet nga
këshilli i qarkut, akordohet nga Ministria e Arsimit
dhe si destinacion shlyerjen e linjës së transportit
të arsimtarëve. Drejtuesit e shoqatës thonë
për gazetën se fondi i transportit është
shpërdoruar (ose është përdorur në
destinacion tjetër nga qarku). Gjithsesi, dje, në
drejtorinë arsimore kanë mbërritur edhe shqetësimet
e drejtorëve të shumë shkollave të mesme
e 8-vjeçare për mungesën e arsimtarëve,
që nuk mundën të shkojnë në shkollat
përkatëse për arsyet e largësisë
së madhe. Burime nga drejtoria arsimore bëjnë
të ditur se shumë arsimtarë kanë kërcënuar
se nuk do të udhëtojnë me lekët e tyre.
E nëse do të detyrohemi, nuk do të arrijmë
në orar në shkolla përkatëse kanë
thënë mësuesit të revoltuar. Ndërkohë
që dy institucionet, qarku dhe drejtoria arsimore, ia
hedhin topin njëra-tjetrës, nxënësit,
tashme në fund të sezonit mbetën pa mësim.
D. Xhelili
Lumi
Osum vatër epidemie
Derdhjet
e ujërave të zeza, mbetjet laboratorike të
spitalit, oksidet e plumbit, mbeturinat inerte vazhdojnë
të jenë një burim i përhershëm ndotjeje
për qytetin e Beratit dhe fshatrat e bregut të lumit.
Specialistët kanë dhënë alarmin për
gjendjen e krijuar në sipërfaqen ujore të qytetit-
muze të Beratit, që tashmë është
bërë vatër epidemie. Më të rrezikuar
janë banorët e qytetit të Urës-Vajgurore.
Uji i ndotur ka kontakt me vendburimin ujor që furnizon
12 mijë banorët e këtij qyteti. Sipas specialistëve
këto mbeturina janë bërë burime sëmundjesh
infektive e parazitare. Tashmë që po ndërrohen
stinët, gjendja bëhet edhe më e rrezikshme.
Pre e këtyre infeksioneve janë fëmijët
e moshave të ndryshme, që pëlqejnë ujin
e ndotur të lumit për t'u freskuar. Verën e
kaluar, nga ndotja e ujit të lumit, janë infektuar
15 fëmijë me sëmundje të lëkurës
dhe infeksione të ndryshme, pohuan burimet spitalore.
Specialistët thonë se mbetjet laboratorike të
spitalit, që nga vetë përbërja e tyre
e rrezikshme, duhet të hidhen në gropa të veçanta,
me anë të të cilave bëhet e mundur parandalimi
i shpërndarjes së infeksioneve tepër të
rrezikshme për jetën e njeëzve. Një çështje
tepër shqetësuese për ndotjen e mjediseve janë
dhe mungesa e banjove publike në qytetin tonë. Shumë
nga banorët në mungesë të banjove ndotin
mjedise të ndryshme, xhirot në rrugën pranë
lumit.
D. Xhelili
Berati
larg dhe afër "Tri Urave"
Një
projekt që së shpejti do të zbatohet për
rrugën Berat - Tri Urat, do t'i japë frymë
kësaj krahine të shumëpërfolur. Ka qenë
rrugë karvanesh në të gjitha periudhat e largëta,
në kohën e sundimit të Muzakajve dhe gjatë
pushtimit turk e deri në fillimet e shekullit që
sapo lamë pas. U harrua dhe s'vuri kush dorë në
100 vitet e fundit. Madje, një gjë vlen të
theksojmë fort, që Berati ngeli kryeqendra e Shqipërisë
së Jugut në të gjitha fazat e zhvillimit, sepse
ishte nyje shumë e zhvilluar e rrugëkalimeve dhe
transporteve që lidhte pjesën bregdetare e të
brendshme me qytetet jugore e juglindore të Shqipërisë,
me veriun e Greqisë dhe më tej. Sipas historianëve
rruga Berat- Tri Urat në Përmet ka qenë dhe
është një ëndërr për banorët
e kësaj treve. Lënia pas dore e kësaj rruge
solli si rrjedhojë që zona e Skraparit, gradualisht
dhe Berati dhe rrethinat e tij të shndërrohen në
një"xhep" pa hapësirat e duhura të
zhvillimit. Së shpejti do të bëhet zbatimi
i një projekti të shumëpritur i rrugës
Berat-Çorovodë- Tri Urat, që zgjaten në
luginën e Osumit
Intelektualët dhe specialistët që zotëron
rajoni i Beratit, përvoja që ka fituar stafi i PNUD-it
me projekte të tjera të këtij lloji, shprehën
mendime se janë të gjitha mundësitë që
strategjia e zhvillimit të qarkut të Beratit të
jetë dëshmi e një pune kualitative e serioze
dhe me interesa të shumanshme për zhvillimin e sotëm
e perspektiv të qytetit të Beratit por edhe rajonit
që përfshin ky qark.
Dilaver Xhelili
Ndryshojnë
stinët. Mbërrin virusi i gripit
Ndryshimi
i stinës ka stimuluar virozat gripale që tashmë
me fillimin e pranverës po prekin mosha të ndryshme
njerëzish në qytetet e Beratit, Kuçovës
dhe Skraparit, veçanërisht fëmijët e
vegjël dhe të moshuarit. Drejtori i shëndetit
publik, Dervish Hoxha, tha se dy javët e fundit një
epidemi gripi është e pranishme në rajonin
e Beratit, . Virusi ka prekur një numër të
madh fëmijësh të moshave nga 0 deri në
6 vjeç. Burime nga spitali rajonal bëjnë
të ditur se banorë të ndryshëm ankohen
vazhdimisht se vuajnë nga simptoma të sëmundjeve
gripale, megjithatë nga ana e shërbimit spitalor,
theksohet se nuk ka shenja të ndonjë epidemie të
rrezikshme. Ditët e fundit janë shtuar rastet e
të sëmurëve me grip, e ndoshta nga virozat
gripale janë provokuar edhe vdekje të personave
të moshuar. Burime nga spitali bëjnë të
ditur se regjistrohen gati 7 shtrime fëmijësh çdo
ditë në spitalin pediatrik, ndërsa vizitat
e të sëmurëve me mosha të vogla e kalojnë
numrin 45. Por se sa është numri real i të
prekurve nga gripi në rajonin e Beratit, Kuçovës
dhe Skraparit nuk mund të saktësohet, pasi një
pjesë e mirë e të sëmurëve vizitohen
në ambulancat e lagjeve në qytete apo në ambulancat
e fshatrave. Ende nuk ka dalë ndonjë statistikë
që të bëjë reale shifrat e të sëmurëve
nga kjo epidemi që quhet si sezonale. Megjithëse
drejtori i shëndetit publik, Dervish Hoxha, deklaron
se personeli i spitalit të qytetit ka marrë të
gjitha masat për t'u ardhur në ndihmë të
sëmurëve. Madje është furnizimi tërësor
i të gjitha qendrave shëndetësore me medikamente
që luftojnë këtë sëmundje stinore.
Dilaver Xhelili
Fshatrat
e Beratit i rikthehen mesjetës
Një
kalë që tërheq parmendën, e cila me zor
futet në tokë. Një burrë që qëndron
pas parmendës duke i mëshuar asaj me forcë.
Një grua që tërheq kalin për të mbajtur
drejtimin e tij. Është një pamje klasike e
prapambetjes së bujqësisë në fshatrat
e Beratit. Një pamje të tillë njerëzit
e përfytyrojnë, duke e çuar në shumë
vite përpara, kur bujku i prapambetur shqiptar me parmendë
punonte tokën për të siguruar pak prodhim,
për të mbajtur shpirtin gjallë. Këtë
prapambetje mesjetare po e përjetojnë banorët
e zonave bujqësore, që ngaqë, ndodhen me një
ekonomi shumë të ulët, i janë rikthyer
traditës së vjetër. Banorët e komunës
së Lumasit, Cukalatit, Tërpanit dhe Sinjës
tashmë tokën po e plugojnë me parmendë
që tërhiqet nga kali i tyre. Elmas Tare, banor në
Lumas, ka pohuar për gazetën se tokën nuk e
punojmë dot me traktorë, se koston shumë: 1
dynym 9 mijë lekë të vjetra. Më tej Tare
ka thënë se, të ndodhur përballë
një varfërie të tillë ekonomike, jemi
të detyruar t'i rikthehemi mesjetës. Ky është
realiteti, thonë banorët, fakt ky që tregon
se prapambetja në fshatin shqiptar është ende
e madhe. Shumë toka mbeten pa punuar jo vetëm për
faktin se qindra e mijëra njerëz janë larguar,
por edhe për atë se nuk kanë lekë për
ta punuar. Pra, u janë rikthyer traditës së
parmendës së tërhequr nga një kafshë.
Duket si një realitet i largët, por është
kaq i afërt sa vetëm ata që e jetojnë
dinë t'i japin përmasat e vërteta të këtij
realiteti. Banorët thanë, duhet pranuar se edhe
ndryshime janë bërë, por gjithnjë për
hir të së vërtetës duhet thënë
se jeta në fshat vazhdon të mbetet ende tepër
e vështirë për 60% të shqiptarëve
që jetojnë në fshat në shkallë vendi.
Dilaver Xhelili
60 nëna braktisin
foshnjet
"Nëna
mos braktisni fëmijët", është alarmi
që jep shoqata e të drejtës së gruas.
Për një periudhë prej 3-vjetësh Beratit
i janë shtuar fëmijët jetimë të braktisur
nga 40 nëna. Kjo shifër është kthyer në
një shqetësim tepër serioz për shoqatën.
Kryetarja e saj, Arta Dyrmishi, kërkon të ngrejë
zërin edhe me lart. Shteti duhet të marrë masa
që të parandalojë dukurinë e hidhur që
po ndodh me nënat e Beratit. Burime nga shoqata bëjnë
të ditur për "Lajmëtarin" sipas një
sondazhi që ka bërë ajo kohët e fundit
në Berat e më gjerë, i kanë braktisur
fëmijët 60 nëna duke i lënë jetim,
pasi janë larguar vetë në prostitucion apo
dhe për probleme të tjera. Braktisja e fëmijëve
është realizuar nga nënat që i përkasin
grupmoshave nga 18-32 vjeç. Shkak për këtë
tragjedi janë problemet ekonomike, papunësia për
t'i ushqyer dhe për të krijuar kushte normale jetese.
Arsyet janë zhgënjimet e moshës, etj. Gjithsesi,
në këtë dukuri ndikon edhe ushtrimi i dhunës
në familje, rebelimi ndaj një jete plot dhunë
e vuajtje. Sondazhet kanë paraqitur shifra në përqindje:
53% për arsye ekonomike, 30% për dhunë në
familje, 15 % zhgënjimi nga martesa. Nga këto kategori
ka patur raste që nënat kanë lënë
mënjanë bashkë me jetën e mëparshme
dhe dy fëmijë jetim. Burimet bëjnë të
ditur se shumica e këtyre nënave janë larguar
fare nga Berati për të ushtruar prostitucionin gjetkë.
Burime nga shoqata që jep alarmin, bëjnë të
ditur se shumë prej këtyre fëmijëve kanë
tendencë të bëhen kontigjent i trafikut të
krimit dhe të tregtimit të tyre. Ndaj kërkohet
ndihma e shtetit për të ndërhyrë menjëherë.
Nga ana jonë, përfundon Dyrmishi, jemi munduar të
programojmë hapje të reja të punës si
dhe të sjellim ndihma për të parandaluar braktisjen
e mëtejshme të fëmijëve.
Dilaver Xhelili
Berati me 15 mijë
të papunë
Që
nga viti 1991 Berati ka pësuar një rritje të
ndjeshme të popullsisë. Në rritjen e numrit
të popullsisë ka ndikuar në një masë
të madhe zbritja e banorëve nga zonat rurale dhe
rrethinat e qytetit. Madje, sipas statistikave, Berati mbahet
si ndër qytetet me nivel më të ulët të
punësimit. Sipas burimeve ai ka rreth 15 mijë të
papunë. Një ndikim negativ për gjendjen e tanishme
ka ndikuar edhe mbyllja e ndërmarrjeve shtetërore
dhe dalja në rrugë e shumë punëtorëve.
Jo pak ka ndikuar edhe mungesa e vazhdueshme e energjisë
elektrike që ka sjellë mbylljen e mjaft aktiviteteve
tregtare. Megjithëse papunësia është një
realitet i hidhur i pranueshëm nga të gjithë,
tashmë shifrat e papunësisë që jep zyra
e punës dhe bashkia e Beratit, nuk janë të
njëjta. Numri i të papunëve i shënuar
nga bashkia shkon në rreth 15 mijë, ndërkohë
që zyra e punës jep një shifër prej 8
mijë persona. Ndërkohë, opinioni vendas pohon
edhe politikën e padrejtë të ndjekur deri tani
në këtë rreth, sidomos në infrastrukturën
rrugore dhe furnizimin me ujë e energji elektrike. Kësisoj,
Berati është qyteti me numër më të
madh të të papunëve, konkluzione të arritura
edhe nga organizma të ndryshme që kanë zhvilluar
arkëtimet dhe kanë dalë në këtë
përfundim. Por ajo që është edhe më
e çuditshme ka të bëjë me mungesën
e strategjisë për të ulur ritmet e kësaj
plage të qytetit.
Dilaver Xhelili
20 mijë bono
privatizimi, mes pasigurisë dhe shpresës
Janë
plot 20 mijë bono privatizimi që ndodhen në
mes dilemës, pasigurisë dhe shpresës te banorët
e qytetit të Beratit. Njerëzit kanë shqetësime
të ndryshme për bonot e privatizimit. Disa që
i kanë marrë, ende nuk dinë se si ti përdorin
dhe ku t'i përdorin. Të tjerët që kanë
patur nevojë emergjente për të ardhura ekonomike,
u kanë lënë "lamtumirën" bonove
duke i shitur me një vlerë qesharake, duke mundësuar
të tjerë që kanë para e kapital, për
t'i shfrytëzuar ato sipas interesave të tyre. Për
të mos folur për një pjesë punonjësish
që ende nuk i kanë marrë ato. Estref Karafili,
56 vjeç, tha për gazetën se shumë persona
nuk kanë marrë letrat me vlerë. Shkak për
këtë janë bërë agjentët shpërndarës
së bonove. Ata kanë abuzuar me listat duke firmosur
në emër të personave, pa i marrë ato dhe
tashmë këto lista janë zhdukur. Njerëzit
e dëmtuar thanë se është detyrë e
drejtësisë ajo që do të zbardhë të
vërtetën. Shumë ish-punëtorë të
ndërmarrjeve, tashmë këto bono i mbajnë
si thesarin e tyre dhe jetojnë në mes të dilemës
se çdo të bëhet me to. Jorgaq Mile, thotë
se ne i ruajtëm si sytë e ballit se aty ishte gjithë
djersa dhe gjaku i jetës tonë, nuk i shitëm
për pesë para spec. Gjithsesi ka edhe nga ata punëtorë
që kanë dalë në asistencë dhe nuk
janë pajisur me bono privatizimi. Ata kanë kohë
që sorrollaten andej-këtej për të marrë
bonot e privatizmit. Pra, njerëzit kanë shumë
probleme në lidhje me letrat me vlerë, të cilat
edhe shumë nga ata që zotërojnë nuk po
e ndiejnë vlerën.
Dialver Xhelili
Varfëria shton
numrin e grabitësve
Në
Berat gjatë dy viteve të fundit është
rritur numri i hajdutëve, ndërsa policia ka mundur
të prangos rreth 98% të tyre. Sipas burimeve të
policisë së Beratit besimi i banorëve ndaj
forcave të rendit ka shënuar rritje të dukshme.
Por, ndërsa numri i krimeve në përgjithësi
ka shënuar ulje, është rritur numri i vjedhjeve
të pronave të qytetarëve. Sipas burimeve të
policisë, kjo e ka mbyllur 3-mujorin e parë të
suksesshëm. Kjo ka ndodhur si pasojë e angazhimit
të plotë të policisë së qarkut, por
edhe falë bashkëpunimit polici-komunitet. Gjatë
vitit të kaluar dhe 3-mujorin e parë të vitit
2004 janë zbuluar 14 autorë të grabitjeve të
banesave dhe të dyqaneve. Drejtuesit e policisë
kanë pohuar se këto vjedhje kanë ardhur si
rezultat i rënies ekonomike, që po kalon qyteti
i Beratit. Sektorët më të rrezikuar nga grabitësit
janë linja e autobuseve kombinat-Uznovë, tregu i
qytetit dhe ndërrimi i valutave. Grabitësit janë
të moshës 14-20 vjeç, të cilët
janë edhe përdorues droge të dozave të
vogla. Si pasojë e informacioneve të grumbulluara
nga banorët, policia ka zbuluar vende ku autorët
marrin miellin e bardhë. Së shpejti këto vendstrehime
do të shkatërrohen nga forcat e policisë.
Dilaver Xhelili
Spitali
i Kuçovës pa kirurgji dhe sallë operacioni
Nëse
je shtatzanë dhe mund të rrezikohesh, nëse
të plas apandesiti, më mirë mos u drejto në
spitalin e Kuçovës, pavarësisht se mund ta
kesh afër, salla e operacionit mungon. Pacientët
janë të detyruar të shkojnë në Berat.
Por problemet e kuçovarëve nuk kanë të
sosur. Një grua shtatzanë që do të lindë
në maternitetin e këtij qyteti me 50 mijë banorë,
për një gjilpërë që nuk ndodhet në
këtë spital, është e detyruar të
marrë rrugën për në maternitetin e Beratit
për të lindur. Madje salla e kirurgjisë është
në gjendje të mjeruar. Ndërkohë që
operacionet që duhen kryer (edhe më të thjeshtët),
apandesiti dhe aksidentet, janë të pamundura për
t'u kryer. Të gjithë pacientët dërgohen
në spitalin e Beratit. Mirëpo, deri sa të arrijnë
në kujdesin e mjekëve, jeta e tyre është
vënë në rrezik për shkak të rrugës
së gjatë dhe udhëtimit të autoambulancave.
50 mijë banorët e rrethit të Kuçovës
dhe 12 mijë banorët e qytetit të Urës-Vajgurore
kanë rënë në pikë të hallit,
pasi në këto spitale kirurgjia dhe salla e operacionit
si në spital dhe në maternitet nuk funksionojnë.
Në këto dy reparte të rëndësishme
mungojnë tërësisht aparaturat e nevojshme dhe
specialistët. Drejtuesit e spitalit thanë se spitali
nuk ka probleme me ujin e pijshëm, energjinë dhe
medikamentet më të domosdoshme dhe është
zgjidhur problemi i shtretërve. Aktualisht urgjenca e
spitalit e ka personelin e plotë 24 orë. Burime
nga spitali thanë për gazetën "Lajmëtari"
se problemi më i vështirë dhe akoma i pazgjidhur
është me personat që vijnë të traumatizuar
nga aksidentet apo nga dëmtimet me armë zjarri,
me plasje apandesiti, etj. Drejtuesit e spitalit theksojnë
se transporti me autoambulanca ka rrezikuar shpesh jetën
e personave të dëmtuar.
Dilaver Xhelili
|
|