Tregu apo Turpi i qytetit
Tregu i tezgave në lagjen “30 Vjetori” është
treguesi i nivelit të qytetrimit
tonë në harkun kohor që jetojmë.. Batanijet me dekoracione
që formojnë
shitoret, plastmaset, ku kuis era e këtij dimri në të dalë,
mallrat që ne blerësit e tyre të varfër na bëjnë
edhe më të varfër për shkak të cilësisë
së tyre të mjerë, janë vizatim i gjendjes sonë,
janë vizatim edhe i vizioneve që ne kemi për të sotmen
dhe të ardhmen. Për këtë treg është shkruar
dhe folur shumë, por për fat të keq asgjë nuk është
bërë për ta zhvendosur atë diku tjetër. Banorët
e lagjes “30 Vjetori” jetojnë në një qendër
tregtare të ndotur në të gjithë parametrat. Aty në
të gjitha ditët e javës nuk guxon askush të qetësohet
a të meditojë, për shkak të thirrjeve të “tregtarëve”.
Aty tregtohet gjithçka. Është një vërshim që
fillimisht përmbyti sheshin para stadiumit “Tomori” dhe
dalëngadalë përfshiu dy anët e rrugës deri te shkolla
e mesme e përgjithshme “Babë Dudë Karbunara”
Qeveria lokale nuk bëri asgjë për të shpëtuar nderin
e qytetit të Beratit, i cili qëndron në portat e UNESKO-s,
i veshur si lypsar me dekoracionin e batanijeve të tripsura. Këshilli
i nderuar i Bashkisë nuk mori vendimin e rëndësishëm
që tregu të zhvendosej në x vend. Shoqatat e mjedisit nuk
organizuan asnjë protestë për të kujtuar vendimarrësit
për ndotjen e mjedisit urban të një lagjeje.
Prefekti i Qarkut të Beratit mori nismën për pastrimin e
një krahu të lumit për të shpëtuar lagjen “Goricë”
nga përmbytja, por si përfaqësues i qeverisë duhet të
marrë sërish të njëjtën nismë për të
shpëtuar këtë radhë nga përmbytja një lagje
të madhe, gjysmën e shëtitores kryesore të qytetit të
Beratit, për të shpëtuar biznesin e rregullt që paguan
taksat qëndrore dhe taksat vendore dhe po jep shpirt, sepse konkurohet
nga mallrat e kalbura që vërshojnë nga Lindja dhe u serviren
qytetarëve të Beratit në tezgat e këtij tregu fals..
Është për t’u shënuar se të gjithë janë
në një mendje se ai treg është turpi i qytetit të
Beratit, se i sjell më tepër probleme se sa të mira banorëve
të këtij qyteti, por askush nuk e merr mundimin të lëvizë
për të larguar këtë pazar të neveritshëm që
rrjep qytetarët duke u shitur këpucë tërë shkëlqim
që grisen gjatë një jave, apo mallra të të gjitha
llojeve që hidhen ende pa u përdorur mirë. Dikush edhe mund
të thotë se me atë treg zbutet disi papunësia. Në
fakt po ndodh e kundërta. Nga mbyllja e bizneseve për shkak të
konkurencës së këtij pazari po shkurtohen mjaft vende pune(fakt
që e kam theksuar edhe në një tjetër shkrim me të
njëjtën temë), po u vihet dryni mjaft shitoreve që u
ofrojë qytetarëve mallra cilësorë dhe një nivel
të lartë shërbimi. Këshilli i bashkisë Berat duhet
të marrë një vendim. Le ta lërë një ditë
në javë në këtë lagje ( e keqja më e vogël)
, ose ta zhvendosë diku tjetër këtë Pazar që nuk
i shërben askujt, por mban peng gjithë qytetin.
Y. HIMA
Lajmetari: 27.02.2006. |top | Commente | Printo
