Shteti dhe kulti i rinimit të përjetshëm
1-
Njerëz të fuqishëm të këtij vendi, të majtë
qofshin, a të djathtë, të bardhë, a të zinj, i
kanë dhënë dum që atë substancë të zezë
me të cilën është mbrujtur qenësia e shtetit, ta
trajtojnë e ta kullandrisin me kollajxhenë e një cope argjile
të zezë, duke e vërtitur sa nga njëra dorë në
tjetrën, duke i dhënë forma e trajta argalisëse, të
buta, eh, shumë të buta, siç i vjen për hosh shpirtit
të tyre, sepse, siç thotë Borgesi, pavetëdijshëm
e dinë se eksistenca e tyre pas vdekjes s’ mund të jetë
veç trasmigrim dhe shpërngulje kujtese në veprat që
kanë bërë.
Në të gjitha këto gjeste lazdruese e ëmbëlcake
ndihen fare qashtër duart delikate të Elektrës, e cila, e
vendosur pas shpinës së të jatit, i heq nga jaka e xhaketës
thërrmizat e zbokthit dhe iu jep një krehër flokëve
të tij të zbardhur nga koha. Pastaj i buzëqesh, i shtyp majën
e hundës me gisht dhe largohet sërish në katakombet e historisë.
Pra, gjithë këtë mesele mund ta kundrojmë dhe si një
dashuri të sublimuar, ose si kompleksin e Elektrës.
-2-
Kulti i rinimit është ajo gjallesa grimurmë që ngarend
pa pra brenda korridoreve të gjakut të njeriut. Çalltisja
e pranverës në shumë katunde ende festohet sipas një
rituali pagan. Nëpër duar vihen verdhëza, në dyert e
shtëpive vihen thana, apo thërpele të gjelbëra, nëpër
murishtet e vjetra tunden zilet e këmborët për të dëbuar
gjarpërinjtë, amvisat sherbetosin muret me gëlqere. Gjthçka
është gati për t’ ia marrë këngës. A
mos vallë dëshira për reformim të shtetit sa herë
ai ndërron duar, është një simetri hileqare e natyrës,
një dritare e rreme e vizatuar mbi oxhak?
Rob i veseve dhe obsesioneve të veta, njeriu, duke kundruar përjetësinë
e natyrës, ka gjakuar ( pse jo) dhe përjetësinë e vetes.
Le të ndërmendim heroin e epit të parë, Gilgameshin.
Heroi homonin kur merr vesh se nuk është i përjetshëm
në këtë botë, se do të vijë çasti që
një e treta e vdekshme, do të fitojë ndaj dy të tretave
të pavdekshme, bëhet si i ndërkryer. Ai i turret demit hyjnor,
i shkul nga shalët rrepën seksuale dhe ia vërtit në
surrat perëndeshës hirplotë Ishtare, dhe, pas këtij
gjesti, siç mund të kuptohet fare lehtë, vajti njëherë
e mirë nderi e namuzi në botë.
(Këtu mbase është rasti të shkoqitim se ashtu si ne,
edhe Zoti nuk duhet të ketë pasur ndonjë mendim shumë
të mirë për heronjtë, Akilin, Altlantin, Herkulin, etj,
dhe i ka trajtuar ashtu siç ishin në të vërtetë:
dobiçë e bashto perëndish, të lindur nga martesa jolegale.)
-3-
A mund të kundrohet shteti brenda alternativës “Ose,...
ose”? Pra, ose: i ngurtë, statik, me mure të zymtë
kështjellash, ose: levarash, i hapur damalla, me çurgime ujvarash
në fasadat e qelqta. Njëherë kur shteti u kundrua si një
lodër fëmijësh me shirita të kuq e të bardhë
dhe me kureshtjen e fëmijëve u orvatën t’ i hiqnin
ingranazhet, njëhopshëm u vërejt se ajo ishte një bombë
e rrezikshme dhe iu shpërtheu në duar duke bërë hatanë.
Ishte viti 1997.
Na duket e tepërt rrekja për ta paraqitur qenien që do të
bëjë reformimin, medemek nëpunësin e shtetit, si krijues
e novator, cilësi këto që i janë marrë hua artit
e shkenceva dhe lypset t’ ju kthehen prapë leksikut të tyre.
Nëpunësit të shtetit i mjafton të jetë i rregullt,
korrekt, dhe, ashtu siç thotë Kafka, të jetë roja
në portat e ligjit. Anipse kësisoji ai mund të shëmbëllejë
paksa humbameno, si nëpunësat e Çehovit. Puna ndryshon
po t’ i ketë rënë në hise të jetë bistak
i Likurgut, Solomonit, apo Perikliut.
-4-
Është brenda prirjes së njeriut uria e panginjur ndaj gjërave
të freskëta e taze. Sa më shumë jetoset aq më shumë
priret për gjallërimin e qelizave të mplakura. E gjejmë
këtë në jetën e patriarkëve biblikë, perandorëve,
mbretërve. Njëmijë konkubina e të dashura mbante në
oborr vetë mbreti Solomon, kurse Xhingis Khani “engedisej”
me rreth pesëqind sosh.
Gjithë jeta e njerëzimit është një ulërimë
ekzistenciale në brinjët e zhveshura së cilës shihen
njerëz që përmes magjive, pëshpirtjeve, mediumeve, kërkojnë
barin e përjetësisë, eleksirin e dashurisë; Elisabeth
Bathori, princesha famëzezë austriake, bënte banjo me gjakun
e grave të vrara, me shpresën se gjaku i tyre, i thithur përmes
poreve të trupit, do t’ i ripërtërinte qelizat e rezbitura.
Vetë dashuria e gjyshërve ndaj nipërve e mbesave, po t’
i heqësh atë cipë të hollë vishtulloziteti patetik,
është edhe disi e flligësht (kujtoni skicën e Baudeauler-it
“Plaka”). Si në kohën e Diktaturës, si tani,
tek ne flitet vazhdimisht për talente të rinj, për gjenij
të vegjël, për pritjen e shpëtimtarit dhe të Mesisë.
Është frika e kombit plak nga vdekja, të cilën rreket
ta trembë duket tundur si flamuj kurbane fëmijësh (arketipi
i tjetërsuar i zileve dhe këmborëve tek festa pagane). Hitlerit
në ditëlindje i binin në sini emrat e pesëqind mijë
vajzave e djemve njëmbëdhjetë vjeçarë, kurse
Enveri në ditlindjen e vet kërkonte t’ i mbushte rradhët
me gjak të freskët të ri. Vini re edhe një herë
terminologjinë: gjak i freskët, i ri.
Të dy kryeministrat, si Nano, si Berisha, u rrethuan nga djelmosha
të rinj. Shpresoj që kjo të ftillohet si një rrahje
e pulsit pas firasjes së jetës së gjallesës (diktaturës),
sesa si një ritual flijues zanafillor.
-5-
Orvatja për ndryshimin e vazhdueshëm të shtetit është
orvatja për shkuljen e dhëmbëve të Leviathanit, përbindëshit
biblik të Jobit, metaforën e të cilit Hobsi e përdor
për librin e tij. “Levathianin a e ze me grep?/ Vallë me
toja ia lidh dot gjuhën?”... thuhet në Bibël. Në
mos qoftë kështu është gjakimi për ta parë
të zbutur, jo lubi a krokodil të ububushëm, por zhapik argalisës
murishtesh të vjetra. Si pasojë e kësaj ne kemi patur vazhdimisht
një shtet surbullirë, të pangjizur, dhe, si të tillë,
të pamundur ta kuptosh, sepse s’ ka kode për të interpretuar
kaosin.
Shtetin tonë ne mund ta përqasim me një shtylle elektrike
në galixhanet e së cilës janë përtëleksur
e bërë kokolëmsh me dhjetra fije e tela; e sikur të
mos mjaftonte kjo, na dhe tjetra, po deshe: i zoti e përdor pjesën
e drunjtë të shtyllës si mullar bari për dimër.
Kanalet e tij janë të bllokuara si transhetë e zboreve ushtarake
nga balta. Kjo gjendje izolimi mund të kundrohet fare mirë tek
kultura shqiptare, e cila, e paaftë të dalë nga gjendja e
kapsllëkut, ia ka dalë mbanë që përmes klizmave
të sforcuara t’ ia plasë diareve rapsodike në faqet
e gazetave shqiptare.
-6-
Orvatja për reformim e ndryshim mund të jetë dhe shestimi
për të ajgëtuar tek thelbi i shtetit jo tabutë e frikshme:
farërat e fantazmave (ligji, polici, burgu), apo bitumin e valë
të çdo imazhi skematik të skëterrës, por diçka
tjetër më të ëmbël. A mos vallë kjo është
një prirje uviversale, që thelbin barbar të gjërave
rreket ta veshë me guaska të qelqta e farfuritëse?
Vini re një nga institucionet e modernitetit: bankën. Brenda saj
janë kasafortat, bunkerët, munxat e kyçet (ku ruhen paratë),
kurse jashtë janë qelqet, xhamet e farfuritë. Në metamorfozën
e përbindëshit ka ndryshuar thelbi i tij: rropullitë janë
bërë zhguallërore, kurse zhgualli është bërë
i butë. A thua thelbin barbar ai e ka rrufullitur brenda vetes për
ta tretur e shkatërruar më lehtë? Është arketipi
model ku është shartuar barbarja me të qytetëruarën.
Kulti i rinimit të vazhdueshëm ka të bëjë me shpresën
se një ditë qivuri i varrit do të shndërrohet në
njeri, do të hapë buzët e gurta dhe të shqiptojë
fjalën mister që ka miliona vjet që pritet: ka, apo s’
ka gjë, andej, Përmatanë. E gjersa të ndodhë kjo,
përgjigja na vjen nga krijimi i i parë i njerëzimit “Epi
i Gilgameshit”. “Në detin me ujë të ëmbël
ai bar rritet? Sak sa një therrë drize bari është....
“, thuhet tek aty. Deti me ujë të ëmbël?! Sigurisht
është një metaforë, një metaforë që nënkupton
plaçentën nënësore. Kthimi tek ajo është
gjasa e rikthimit edhe njëherë në fëmijë, kurse
ngjirat rrotulluese të ciklit të ripërtëritjes, në
fakt, s’ janë tjetër veçse rrufullat rrufitëse
të Vdekjes...
Lajmetari: 30.01.2006. |top |kommente | Printo
