Pergatitur prej Kastriot Dervishit
Pali me mikroçip të kuq në tru

 

 

- Duke ndjekur emisionin “Zonë e lirë” në të cilin ishte i ftuar një i sëmurë psiqik, të cilit CIA “i kontrollonte” trurin nëpërmjet mikroçipeve, befas drejtuesit të emisionit i vjen një mesazh, i cili përcaktonte sasinë në qarkullim të atij lloji në qytetin e Beratit. “Si ai ka plot në Berat”.
U ndieva keq. Mos! Pse edhe ky nga Berati qënka? Por këtë situate të vështirë e zgjidhi vetë personazhi i rrallë i Çanit, duke deklaruar se nuk ishte nga Berati.
U qetësova, por nuk ndiesha i qetë. Mesazhi rëndonte mbi bashkëqytetarët e mi.
Ka apo s’ka plot si ai në Berat? E vura veten në dilemë! Personazhi i Çanit i kishte bërë njëmbëdhjetë skanera kokës dhe i kishte rezultuar tek të gjithë i njëjti përfundim. CIA i monitoronte trurin, prandaj me të drejtë kërkonte avokat.
Çështja kaloi tek unë, ka apo s’ka si ai plot në Berat? Vendosa t’i bëj një skaner memories time për të dalë në përfundimin e duhur. Pasi bëra skanerin, më rezultoi se ka plot. I dhashë të drejtë atij që kishte dërguar mesazhin, po është e vërtetë në Berat ka plot si ai, (nuk e kam fjalën për të sëmurët patologjikë).
Nga ky bollëk një pjesë është eksportuar edhe në Tiranë. Madje ata kanë hyrë edhe në një shoqatë për Beratin, për atë të lashtin ( kupto kohën e xhaxhit Enver) dhe për këtë të sotshmin (armiqtë e xhaxhit Enver) Kanë një shoqatë për ata që e duan Beratin. Për ata që ju dhëmb Berati. Për ata që derdhin lotë për aliçat e Beratit. Për ata që po vuajnë në kurbet, rrugëve të Tiranës, dhe që nuk ju bën zemra të vijnë në Berat, sepse nuk e shikojnë dot se si është katandisur, ju digjet xhani. Madje kjo shoqatë urdhërore, nuk mund të durojë dot se si Dr. Berisha “e ofendon” Beratin, duke iu prurë për prefekt një nga Lazarati.
Ditën e premte, date 17 shkurt, në emisionin e lajmeve të TV-Beratit, vetë hirësia e shoqatës ing. Pavllo Shkarpa i deklaroi besimtarëve të tij ( bashkëpunëtorëve) se: “Do t’i kërkoj (kupto urdhër) Dr.Berishës ta heqë prefektin, se nuk është nga Berati, jo vetëm kaq, por na rri edhe udhëve të Parisit. (Në muajin dhjetor prefekti i Beratit z. Roland Bejko mori masterin për shkencat politike në Paris.) Po pse more prefekt studion ti? Si ke ngjarë fare paraadhësve të tu.
Si nuk i ke ngjarë Nu Gegës që hodhi krrabën, mori kallashin në 97-ën dhe u bë prefekt, Liza Hoxhës që pijen më të preferuar ka gjakun, apo faturistin Thanas, që për dy vjet tha vetëm një fjali.”Jam dakort me parafolësit”
Edhe unë Pali vajta në Strasburg, por vajta për Beratin, ama.
Ka plot djemë Berati, çfarë dreqi don ti këtu, na ndërhyn në lumin tone, na bie profesorat në këshillin e rregullimit të territorit të bashkisë, pse u mbaruan xhananët tanë!
Na bie soj-soj sorrollopi këtu, pa na pyetur fare, se gjoja do të bësh rrugën Tiranë-Elbasan-Berat-Gjirokastër. Pale, nuk më lë të flas edhe mua për Beratin tim të dashur.
E dini ju që unë, që të gjithë floririn tim po e shes për Beratin tim të shtrenjtë, për t’i kthyer lavdinë e të shkuarës (koha kur Pali punonte në komitet) dhe për ta ndërtuar siç i takon, që ndonjë ditë të kthehemi prapë këtu nga kemi dale. (Pavllo Shkarpa prej vitesh nga dashuria e madhe për Beratin jeton në Tiranë).
Degjo, more prefekt, unë do të bëj një konference me miliona përkrahës në Tiranë, (do t’i ftoj të gjithë, ty jo.) pse konference është kjo jotja me nja 50- dhjetë pushtetarë, kryetar bashkish, qarqesh, komunash, prefektë, e këshilltarë kryeministrash. I premtoj bashkëpunëtorëve (ju lutem mos e merrni me ngarkesë negative) se do ta shkul që këtu ku është Beratin dhe do ta çoj në Tiranë për ta rregulluar, se këta që kanë ngelur këtu nuk kanë haber nga lidhet gomari, dhe do ta bie prapë këtu me çunat e Beratit që po dergjen rrugëve të Tiranës.
E gjithë kjo lëvizje që do të bëj mbështetet në këgën tone shumë të shkëlqyer popullore që unë e pllas çdo ditë mu përpara plëncit:
“Mora përpjetë Kalanë / Edhe zbrita tatëpjetë” Dhe nga këtu do ta çoj në Strasburg dhe që andej në UNESKO.
Do ta bëj korridorin e UNESKO-s (Srasburg-Tiranë-Elbasan-Berat). Nuk do ta kaloj në Gjirokastër se është afër Lazarati. Shpenzimet do t’i heq vetë. Po nuk më dolën lekët do shes ndonjë nga bashkë-punëtorët.
Nuk e di ti, more prefekt, se nuk ecën pushteti pa shoqërin tonë civile.( kujto gradat) Ku të çon mushka pa ne ty, nuk e di ti që ja kemi thënë të gjitha Doktorit për ty, tani që kemi 0900-ën.?!
E kështu me radhë me këto patetizma mund të mbushen faqe të tëra gazetash. Por pyetja që është shtruar, ka apo ska plot si ai në Berat? Pak a shumë e mori përgjigjen. Unë personalisht jam dakort me mesazhin “Si ai ka plot në Berat”. Mikroçipin e kuq në tru ua ka futur Dulla.
Kjo ishte pak a shumë ajo çka tha Pali në intervistën e tij për konferencën e koridorit të UNESKO-s në TV Berati.. Konferencë që loboi me të gjitha krahët e politikës majtas e djathtas, për një qëllim të përbashkët, ndërtimin e koridorit të UNESKO-s Tiranë-Elbasan-Berat-Gjirokastër.

Kastriot Dervishi


Lajmetari...gazeta nr. 128 20/02/2006