u ndryshua me 21.04.2004 e-mail E Merkure nr.41

"Mbijetesë" e monumenteve të kulturës në Berat

Intervistë me drejtorin e drejtorisë rajonale të monumenteve të kulturës, z.Ajet Nallbani


Cila është gjendja e përgjithshme e monumenteve të kulturës në Berat e rajon?

Gjendja e përgjithshme e monu-menteve në Berat paraqitet me termin "mbijetesë". Kjo për disa arsye:
Fondet janë të pakta në krahasim me nevojat për restaurim.
Qytetarët nuk përballojnë dot shpenzimet për mirëmbajtjen e banesave pa një kredi afatgjatë.
Bankat nuk japin kredi afatgjatë pa interes për monumentet, nëse nuk subvencionohen nga shteti për interesat dhe për diferencat që parashikon ligji: 50% për ato të kategorisë së parë dhe 30% për ato të kategorisë së dytë.
Bankat nuk kanë sigurinë për kthimin e kredisë nga klientët që nuk përmbushin garancinë me pagat që marrin.
Drejtoria rajonale e monumenteve të kulturës fondet që ka patur në dispopzicion, i ka përdorur që të mbijetojnë monumentet.

A ka monumente të rrezikuar për shkak të mosrestaurimit?

Kisha e Kozares rrezikohet për mungesë fondesh. Kohët e fundit, thuhet, se ambasada amerikane ka akorduar rreth 25 mijë euro për ta nxjerrë nga emergjenca.
Banesa e Aishe Kamenikut, monument i kategorisë së parë, për mungesë fondesh paraqitet me rrezikshmëri dhe qytetari që është pronar, nuk i përballon dot shpenzimet.
Edhe dy banesa të kategorisë së dytë po shkatërrohen po për të njëjtën arsye.
Për ish-shkollën e Goricës, pronarët e shumtë, janë të painteresuar për restaurimin e saj.
Po kështu rrezikohen disa kala dhe monumente të veçuara në qarkun e Beratit.

A ka monumente të zhdukur po për shkaqe të tilla?

Nuk kemi monumente të zhdukura për shkaqe të tilla. Kisha e Shën Mitrit në Poliçan është prishur gjatë tranzicionit nga ndërtime të paligjshme. Po kështu, ka mjaft dëmtime në monumente të ndryshme për mosveprim të ligjit.

Mangalemi nuk e ka atë shkëlqimin e dikurshëm. Disa shtëpi duken nga larg që janë në prag të rënies. Cili është komenti juaj?

Termi shkëlqim nuk ka vend në monumentet e kulturës. Monumentet shkëlqejnë, nëse do të ruanin autoktoninë e tyre, pa asnjë lloj ndërhyrjeje.
Për shkak të degradimit jemi të detyruar të ndërhyjmë për t'i shtuar jetën. Do të ishte mrekulli, nëse ato do të ishin jetëgjata pa ndërhyrjen tonë, kështu do të kishin vlera autoktone.

A keni fonde të mjaftueshme këtë vit për restaurimet emergjente?

Këtë vit nuk kemi fonde të mjaftueshme.

Cili është bashkëpunimi midis drejtorisë suaj dhe pushtetit lokal?

Nuk ka qenë në nivelin e duhur. Megjithëse ligji ngarkon pushtetin vendor për mbrojtjen e monumenteve, problemi i tyre është parë si i huaj për bashkinë e drejtuar nga z. Mata, i cili nuk i ka ndaluar shkeljet, nuk ka marrë asnjë masë ndëshkimore, por ka mbyllur sytë përpara dëmtimeve dhe ndonjëherë është bërë bashkëpunëtor në projekte brenda zonës-muze.
Për të patur dorë të lirë në vendimet e KRT-së, ai mënjanoi përfaqësuesin e monumenteve, duke shfrytëzuar gabime në ligjin e urbanistikës (i cili po korrigjohet), paradoks ky për qytetet-muze, ku gati 40-50% e territorit të qendrës historike mbulohet me zonën muze dhe të mbrojtur të Beratit.
Në mënyrë të turpshme denoncohemi për krim ekonomik në organe të drejtësisë, kur ne zbatonim vetëm ligjin dhe urdhëresat e qeverisë për shfrytëzimin e kalasë. Bile është përdorur dhe forca e policisë bashkiake kundrejt punonjësve tanë.
Asnjëherë z. Mata nuk akordoi ndonjë fond për monumentet, edhe pse fjalimet e tij përpara të huajve lidheshin tërësisht me trashëgiminë kulturore.
Është në nderin tim të përmend pushtetarin e zonës-muze, z. Buhali, i cili çdo herë ka qenë pranë nesh, ka transmetuar shqetësimet tona, por kaq ka mundur të bënte.
Tashmë këto mosmarrëveshje janë normalizuar. Kohët e fundit ka një dritë jeshile për bashkëpunimin midis pushtetit vendor dhe institucionit të trashëgimisë. Do të ketë programe bashkëpunimi për rritjen e turizmit kulturor. E shpresojmë këtë në të mirë të Beratit. Edhe ne do të jemi të angazhuar plotësisht.

A e keni bërë prezent rrezikun e zhdukjes së vlerave monumentale te fondacionet e huaja, te organizmat ndërkombëtare?

Po. Këtë e tregon dhe bashkëpunimi me ambasadat e ndryshme, të cilave ne u kemi paraqitur projekte për ndihmë dhe pjesërisht kemi thithur ndihma nga të huajt. Në faqen tonë të internetit tani do të paraqesim emergjencat me pikësynim thithjen e donatorëve.

A ka projekte midis këtyre organizmave dhe drejtorisë suaj apo dhe Institutit të Monumenteve?

Kemi projekte në vazhdim me Lombardinë, ka tre vjet që projekti vazhdon si në drejtim të arkitekturës, ashtu dhe të artit. Po kështu projekte bashkëpunimi kemi dhe me komunitetet fetare, ndonëse këto kanë qenë të vogla.

Thuhet se Berati mund të shpallet pasuri botërore dhe do të vihej nën kujdesin e UNESKO-s. Cili është komenti juaj?

Problemi i përfshirjes së Beratit në pasurinë botërore vazhdon. Dosja e Beratit ka qenë e para, tashmë po rinovohet me kërkesa shtesë. Ngjarjet '97 e spostuan vëmendjen ndaj Shqipërisë dhe Beratit. Mendoj se duhet bërë më shumë nga ana e qeverisë për Beratin, mbasi duket që kjo e ka shpërngulur vëmendjen te Gjirokastra, e cila është më problematike. Duhet pranuar mendimi se në UNESKO pranohen një nga një dhe jo dy propozime njëherësh. Duke qenë se Berati e ka më të lehtë pranimin (ky është dhe mendimi i specialistëve të huaj), po sakrifikohet momentalisht për të inkuadruar Gjirokastrën, që, për mendimin tim, nuk është një veprim i drejtë. Berati ka problematikë të vogël dhe kërkon fonde më pak dhe një plan prognozë më të afërt. Por, njëkohësisht, trashëgon dhe një kulturë të pandërprerë që nga antikiteti deri në ditët tona, gjë që nuk e gëzojnë qytetet e tjera. Berati ka mundësira të turizmit familjar dhe kulturor. Ka mjaft objekte të vizitueshme me një infrastrukturë modeste, por me informacion të mirë për vizitorin.