| nga Yzedin HIMA | ||
| Nëse e duam Beratin |
|
|
| -Nëse
e duam seriozisht Beratin pasuri të trashgimisë kulturore botërore
duhet të punojmë çdo ditë për të ruajtur
vlerat arkitekturore, nga shkatërrimi i barbarëve që ndërtojnë
kasollet e tyre përreth Kalasë me gurët e shkëputur
nga kështjella ilire, (ose siç thoshte Bruno Shulc : “…siç
ndërtojnë indigjenët kasollet e tyre me statuja perëndish”),
duhet të mbrojmë me fanatizëm qytetin nga përdhosja
arkitekturore që ka krijuar lagje të tëra, madje edhe në
shpatet veriperëndimore të Kalasë, ku janë të përziera
ndërtimet e mjera njëkatëshe elbasançe me kullat zvicerane
e deri me çatitë “made in China”, që e bëjnë
edhe më groteske lagjen e krijuar në shpatullat e Mangalemit,
duhet të ruajmë nga shformimet arkitekturore të shtëpive
monument kulture në lagjet muzeale nga ana e banorëve të
tyre, të cilët, të lodhur së “jetuari estetikisht”
nga jashtë dhe varfërisht nga brenda ndërtesave të tyre
të banimit, ndërhyjnë me modifikime herë-herë qesharake
në shtëpitë e tyre, duhet që urgjentisht të largojmë
pamjet e përditshme aspak europiane të tregut në lagjen “30
vjetori”, lagje e cila ngjet me periferitë e Kalkutës apo
të Kandaharit dhe nuk të jep përshtypjen si pjesë e
një qyteti kandidat për pasuri e trashgimisë kulturore botërore,
duhet të zhvendoset tregu i të shtunave në lagjen Goricë,
ku mjerimi ekonomik, vërshimi i prodhimit skarco të mallrave turke,
tregtimi pa kulturën minimale të tregut në një skenografi
arkitekturore mbreslënëse, krijojnë përshtypjen e një
vendi që për shkak të ndonjë epidemie ka humbur banorët
e tij të kulturuar , të cilët janë zëvëndësuar
nga ardhës që nuk kanë asnjë lidhje me qytetërimin
e ndërprerë, duhet të përsosim mardhëniet midis
komuniteteve që jetojnë në qytet duke parë vetëm
para, në të ardhmen në Bashkimin Europian të qytetit
të Beratit, duhet të bëjmë lobing për Beratin jo
në salla të ftohta konferencash në Tiranë, por në
Kala, ku vlerat e krijuara ndër shekuj bjerren brenda ditës, në
Mangalem, ku shtëpitë monumente kanë rënë ose janë
në prag të rënies, në Goricë, ku rrobat dhe këpucët
e Gabit tregtohen drejt e në kumin e bregut të lumit së bashku
me prodhimet ushqimore të fshatarëve të Shpiragut, në
kodrat e bukura që ngrihen mbi Pazarin e Vjetër , të cilat
mbeten të bukura edhe pse në shpatet e tyre ndërtohen çdo
ditë ngrehina të shëmtuara, pa një plan dhe pa një
studim zonal, në... atëherë vërtetë duam dhe do
të mundim të bëhemi pjesë e trashgimisë kulturore
botërore. Yzedin Hima |
||
| Lajmetari...gazeta nr.113. 1/11/2005 |
||