nga Yzedin HIMA
Zyrtarë me shpirt prej llamarine

 

-Ende te ne nuk ka një raport të drejtë midis qytetarëve dhe institucioneve.Tradita është e hidhur. Niveli i një demokracie matet pikërisht nga marrëdhëniet midis qytetarëve dhe institucioneve të atij vendi. Në vendet demokratike institucionet ndërtohen të tilla që t’u shërbejnë qytetarëve. Sa më i shpejtë, sa më transparent dhe sa më cilësor të jetë ky shërbim në të mirë të qytetarëve, aq më demokratike janë këto institucione.
Në Shqipëri nuk ka një traditë demokratike në ndërtimin dhe funksionimin e institucioneve, ndaj dhe vendi ynë po vonohet mjaft në integrimet euroatlantike. E keqja te ne është e dyfishtë: edhe institucione të dobta, edhe qytetarë që nuk njohin, që nuk kërkojnë dhe nuk luftojnë fort për të mbrojtur të drejtat e tyre të nëpërkëmbura nga zyrtarë mendjefikur dhe me shpirt llamarine. Nuk mund të kemi institucione demokratike ne një vend ku qytetarët nuk njohin të drejtat e tyre, në një vend ku shërbimi i zyrtarit ndaj qytetarit shihet si favor që duhet shpërblyer.
Nuk mund të kemi institucione demokratike në një vend ku ndërtimi, formimi i institucioneve dhe funksionimi i tyre bëhet në një terren aspak transparent, në një mungesë vëmëndje dhe kontrolli nga ana e qytetarëve që me taksat e tyre mbajnë këto institucione.
Nuk mund të kemi institucione demokratike, kur këto institucione ngrihen, modifikohen, orientohen për t’i shërbyer një pjese, duke injoruar dhe u mohuar aksesin në to të pjesës tjetër. Jemi dëshmitarë se si kanë funksionuar në këto vite institucionet e politizuara, aspak demokratike në Shqipëri.

“Tani është koha jonë dhe ne kemi luftuar për karrigen tënde”, i thoshte javën që shkoi një individ një zyrtari. Ndoshta ky individ nuk kishte patur aspak akses te zyra nga sjellja thellësisht partike e zyrtarit që shkoi. Ndoshta ky individ nuk ka reaguar në asnjë rast kur e kanë trajtuar si qytetar të dorës së dytë për shkaqe partiake, por reagimi i tij i fundit është regresiv, sepse kërkon të ruajë po të njëjtin standard të sjelljes së mëparshme, pa kërkuar demokratizimin e institucionit, pa kërkuar që institucioni të jetë në shërbim të qytetarëve pa dallim.

Qytetarët shqiptarë janë populli më i lodhur dhe më i stresuar në Europë, pikërisht nga zyrtarët e tyre. Aq e vërtetë është kjo sa kur një qytetari i zgjidh një problem me lehtësinë dhe shpejtësinë që ai problem mund të zgjidhet, ky qytetar të shikon me çudinë sikur ka para një ufo.Nuk e di a duhet folur pastaj për mungesën ekstreme të humanizmit prej pjesës më të rëndësishme të institucionit, gjallesës që përfaqëson atë institucion.

Kur dëgjon se me ç’shpirt prej kazme janë shpërfillur apo janë trajtuar njerëz fatkeqë, njerëz në nevoja ekstreme, atëherë ndjen se me shpirt mund të urresh të keqen që ka kapluar mendjen dhe shpirtin e një pjese të zyrtarëve tanë, pa ndërgjegje, ose me ndërgjegje diabolike. Të lind ideja se krahas reformave të tjera është urgjente një reformë në emër të njerëzores, në emër të largimit të personave me shpirt prej llamarine që nuk kanë asgjë të përbashkët me ndjeshmërinë dhe humanizmin, mbase edhe kristian të Europës së qytetëruar në të cilën duam të integrohemi
Yzedin Hima

Lajmetari...gazeta nr.112. 17/10/2005