Gjurmë Poetike

 

 

                                                                                    Robert Bly
                                                                                       
(1926- )

  Robert Bly është i lindur në Minnesota më 1926 nga prindër me origjinë Norvegjeze. Në Harvard u bë pjesë e grupimit të shkrimtarëve dhe poetëve të talentuar përfshi : Donald Hall, Adrienne Rich, Kenneth Koch, John Ashbery, Harold Brodky, George Plimton dhe John Hawkes. Pasi diplomohet në Harvard më 1954 kaloi dy vjet në universitetin e Iowa në të quajturën "Punishtja e Shkrimtarëve" së bashku me W.D. Snodgras dhe Donald Justice. 1956 fiton një bursë e cila e lejon të udhëtoj në vendin e origjinës me qëllim përkthimin e poetëve norvegjez në anglisht. Shndërohet në një figurë qëndrore në kulturën poetike amerikane duke sjellë për të parën herë në anglisht të përkthyer Pablo Neruda, Cesar Vallejo, Gunnar Ekelof, Georg Tralk dhe Harry Martinson, në broshurat periodikore poetike të publikuara nën titujt "vitet pesëdhjet" , " vitet gjashtëdhjet" , "vitet shtatëdhjet" me poetë bashkohorë të këtyre dekadave. Njëkohësisht shfaqet si një eseist i shkëlqyer. Jeton të gjithë këtë periudhë në një ferëm të vogël në Minnesota me gruan dhe femijët. 1966 themelon organizatën "Shkrimtarët Amerikan kundra luftës në Vietnam". Kur fitoi çmimin "Kombëtar të Librit Amerikan" për vëllimin "Dritë rreth trupit" , të gjitha paratë e fituara i vuri në dispozicion të propogandës kundra luftës.Vetëm gjatë viteve '70 Robert Bly publikoi 11 libra me përkthime, poezi, esse, tregime, dhe pamflet politik. Vitet '80 janë vitet e suksesit me daljen e librave të njohur " Duke dashuruar gruan në dy botë" , "Kthimi i burit me pallton e zezë" dhe " Një libër i vogël në hijen njerzore" , ky i fundit u bë bestseller në Amerikë dhe u perkthye duke u shit gjithandej në botë. Vitet '90 Robert Bly jep leksione në një pjesë të universiteteve të Europës perëndimore prej nga ku rivjen në skenën letrare si bashk-autor i disa antologjive voluminoze. Koleksionon forma poetike nga kultura të ndryshme rreth e qark planetit, sidomos ato të lindjes së largët. Libra të tjerë janë : "Cfarë kam humbur duke vdekur ?" , " Prozë-poema dhe meditime nën diellin e pamundësive" , "Poemat e mëngjesit" , " Mbretëria e prodhimit - Ribashkimi i burit me gruan" , " Duke ngrënë mjaltin e botës" . Publikon përmbledhjen antologjike prestigjioze "Poezitë më të mira Amerikane - 1999". 

 

Duke ngrënë komposto blackberry

Kur dëgjova se Zoti është i njëjtë me ekzistencën,
Rrashë në heshtje, por sytë i ktheva
Mbi krijesat e vogëla të mosekzistencës.

 

Disa besojnë se sardelet fosforike janë pikërisht në këtë jetë
Ta mbajnë shikimin e peshkaqenit të përqendruar. Por duke jetuar
Nuk nënkuptohet se ato janë të lira nga mosekzistenca.

 

Cicërimat vocërrake të zogth'it që lëkurën e kafshëve gjigande
Nga parazitët pastron, nën çukitjet e pandalshme të përshpejtuara
Më bënë ta dashuroj zogth'lëkurë'pastruesin e mosekzistencës.

 

Taoistët * me mjekrat e holla duke peshkuar gjith ditën e ditës
Me kallamin e drejt e të stërgjatur na dëftojnë se kanë mësuar
Të mos presin gjëra madhore nga krejt pjesa e mosekzistencës.

 

Blackberries* kanë kaq shumë fytyra aq sa dekompozohen
Diçka e përafërt me asgjënë është finesa. Gjithkush nga ne
Dëshiron të pijë i etur shurupin e holluar të mosekzistencës.

 

Kur çdo varg-stanza mbyllet me të njëjtën fjalë, i kënaqur jam,
Ndaj edhe miku im më thotë: "Po qe se je krenar për këtë fakt,
Mundet të bëhesh  njëri nga sekretarët e mosekzistencës !"

* Blackberry, redberry, blueberry,cranberry - Frut i egër ferrash që rritet kryesisht në Amerikën e Veriut.
* Taoizëm - Filozofi Kineze (Mandariniste) e bazuar në sistemin e besimit
    sipas Lao-tzu në shekullin e VI-të Përpara Krishtit.
    Tao shpjegon bazat e universit, kaosin, pozitat dhe funksionin e qënies humane
    dhe udhëzimet virtuale. (Shënimet nga Flurka)

 

 

 

Ciganët e Granadas

 

Zemra asnjëherë nuk ndalon së protestuari kundër shiut.
Të dashuruarit nuk ndalojnë të qahen kundrejt detit.
Mijra gjethe pyjesh vjeshtorë bien mbi varret e grabitësve.

Kaherë këngëtari fillon t'i këndojë, thirrjeve të dhimbjes.
Në Maqedoninë e shpirtrave të bijëve e bijave,
Që vdiqën përgjatë natës kur Zoti sapo lindi.

Kopështi i Edenit derdh mbi ta ujin e  Eufratit *.
Disa prej plagëve në trup i mbajnë që nga koha e Noes.
Janë duart e Babilonisë tonë që duartrokasin këtë natë.

 

Dua xhenazen e huadhënësit pasanik ta shkul nga rrënjët !
Dua t'i shndërojë muret e kishës së vjetër këtë natë !
Dua të kundrapij përposhtë sheqerin e zi të mënxyrrës !

 

E po qe se je akoma në jetë na thuaj këngëtar se si Jezusi
E fali Judan, dhe si Juda i groposi të hollat e fituara
Në gropën që lëkundshëm përskuqej nën kurbane bagëtish.

 

Po qe se këngëtari qahet për pleqt e fisit, fjalën hiç mos e ngasë !

Ai nuk e ka vendin më në mes nesh. Bash të parët tanë
Ishin dhe mbeten Armiku më i Madh që Vekja përherë ka pasë !

 

* Eufrati - Lumë në Azinë jugperëndimore që rrjedh ç'prej 2.735 km
    nga Turqia qëndrore në Irak ku bashkohet me lumin Tigris.
  

Thirrje dhe përgjigje

Më thuaj se si nuk e ngrejmë zërin këto ditë
Duke qarë për çka ndodhi. A e ke marrë vesh ?
Aeroplanët u nisën për Irak dhe kupa e akullt u shkri.

I thashë vetes: " Shko e qaj tashmë, ç'kuptim ka
Të jesh burrë e mos të kesh zë ? Shko e qaj tashmë !
Shiko ç'do të përgjigjen !  Gjithçka është thirrje dhe përgjigje !"

Do të na duhet t'kërkojmë lartësinë e duhur, të arijmë
Engjëjt tanë, që vështirësisht nuk dëgjojnë, të fshehur,
Në epruvetat e heshtjes të mbushura gjatë luftrave tona.

Kemi aprovuar sa e sa luftra të mundëshme.
Duke ju vjedhur heshtjes ? Po qe se nuk ngrejmë zërin atëherë-
Të tjerët ( që jemi Ne) do e grabisin shtëpinë e përbashkët.

Si ka mundësi që kemi dëgjuar thirjet gjigande të :
Nerudas, Akhmatovas, Thoreaus, Duglass- dhe tash:
Jemi të heshtur si merimanga ndër ferra ?

Disa spiritualist thonë se jetët tona zgjasin veç 7-ditë.
Sot është çfar ditë ?! Oh është ende e mërkurë ?!
Nxito, jepi, qaj tashmë ! Shpejt nata e së djelës përafron !

Gusht, 2002

 

Në natën kur Abrahami yjet pyeste

Të kujtohet nata kur Abrahami për të parën herë pa
Yjet ? I thirri Saturnit : "Ti je Prijësi im !"
Sa i lumtur ishte ! Kur pa  Yllin e Mëngjesit,

Thërriti : " Ti je Udhërrëfyesi im !" Sa shkatërrimtar ishte
Ndërsa i shihte Yjet të fiksuar. O miq, ky yll është si ne :
Ne marim nga Qielli ynë Yjet që rrëzohen mbi Ne.

Ne jemi shoqërues besnik të yjeve të arratisur.
Ne jemi kërkues, si bletët, e dashurojmë ndijimin.
Fluturimin kërkues aratisës nëpërmjet antenave tona.
 
Dhe askush nuk mund të na bind që shurdhëria
Bukuroshe nuk është. Shpirti ynë prej blete beson.
Që jemi të gatshëm të tresim aty jetët tona.

Duke ecur me këpuc të shurdhëta mbi ndjenja të lagura,
Ngjasojmë si refugjatë në mbretërinë e Gjarpërit.
Palëvizur nën ndjesi qepujke shohim sipër qiellin.

Zemra ime është patate e fjetur gjatë ditës dhe
Grua e shkrifët e braktisur gjat natës. Më thoni ç'të bëj ?
Përgjersa jam një burë i rrënë në dashuri me Yjet.

 

  Maçoku në guzhinë
(për Donald Hall)

A keni dëgjuar për historinë e atij djalit
që ecte mbi ujin e zi ? Kam për t'ju thënë më tepër.
Le të presim për disa vjetë.Ai do kërkojë të hyjë tek
njeriu që ecën mbi urë, dhe një dorë
del nga uji dhe e tërheq përbrenda.

Nuk ishte e qëllimshme e gjitha kjo
ekzaktësisht
Ura ishte e vetmuar, kishte nevojë
për kalciumin e nevojshëm të kockave,
çfarë ndodhi më tej ?

Ishte pakashtu si era e butë e natës e gjitha kjo,
Si lëvizja e ngadaltë e një gruaje të rrënduar e plakë
Në guzhinën e saj në mesnatë, duke ngritur enët
Duke ndezur furnellën, duke përgatirur pak ushqim,
                                            për maçokun e ngratë. 

Treni i varrosur

Tregomë mbi trenin që njerzit thonë se u varros
Nga orteku ... ishte kohë dëbore ? Ishte
Në Kolorado, dhe askush nuk e pa ndodhinë
As tymin e motorit kacavjerur përpjetë

Shpërthim ciflash zjarri dhe zhurëm motori
Atje ishin të gjithë ata që patën lexuar diçka
Nga Thoreau*, apo Henry Ward Beecher*.
Dhe inxhinjerët tymojnë dhe trutë të hedhin në erë.

Pyes veten kur ndodhi kjo ? Ishte mbas
Shkollës së mesme, apo ndër vitet kur ishim, ku ?
Të ngushtuar në këtë vend e dëgjuam zhurmën që kishte
Poshtë nesh treni lëviste me shpejtësi të përbindëshme.

Ishte e paqartë se ç'ndodhi më pas. Ti dhe unë
Jemi ende pasagjerë në atë tren. Duke pritur për dritën
E nisjes ? Apo treni me t'vërtet u varros nën dëborë ?
Netëve të mia një tren fantazëm vjen dhe ikën... 

 

* Henry David Thoreau  (1817-62) - Shkrimtar Amerikan.
* H.W.Beecher ( 1813-87) - Aktivist i të drejtave të njeriut.
  Themelues i abolicionizmit filozofisë së çlirimit të skllevërve
  me ngjyrë kryesisht në jug të Amerikës.

___________________________________________________________________________________________________________________________

                                                                                 

                                                                              

                                                      Mark Strand

                                                                                           (1934- )

 

 Mark Strand është i lindur në Kanada në ishullin Princ Eduard më 1934 dhe është ritur dhe edukuar në Sh.B.A. si dhe në disa prej vendeve të Amerikës së Jugut. Mban autorësinë e dhjetë librave poetik duke përfshirë më të njohurin "Blizzard of One" (1998) fitues i Pulitzer Prize. Libra të tjerë janë "Bregu i errët" (1993) ,  "Vazhdimsia jetësore" (1990) , "Poema të zgjedhura" (1980) ,  "Historia e jetëve tona" (1973) , "Arsye pr të lëvizur" (1968) . Ka publikuar gjithashtu dy libra në prozë dhe shumë volume të përkthyera si The Golden Ecco Anthology (1994), The Best American Poetry (1991) . Ka përgatitur shumë monografi mbi artist bashkëkohor dhe tre libra për fëmij. I njohur si fitues i çmimeve : Bollingen Prize,  National Endowment for the Arts,  National Institute of Arts and Letters Award,  Edgar Allen Poe Prize, Rockefeller Foundation Award, është anëtar i  Academy of American Poets, MacArthur Foundation, Ingram Merrill Foundation. Anëtar nderi : Poet Laureate of the United States si dhe ka qënë ish Chancellor of The Academy of American Poets. Poeti Mark Strand sot jep leksione në Committee on Social Thought University of Chicago.


      

Duke ardhur këtu

 

Ne kemi bërë e provuar çfarë kemi dashur
Ne kemi hedhur përtej ëndrat
Duke preferuar në vend të tyre industrinë e rrëndë
Të njëri-tjetrit,
dhe i kemi dhënë mirseardhjen depresionit
dhe thirrjeve të rrënojave
zakonin e pamundur për t'u thyer.

 

Dhe tashmë ne jemi këtu
Tryeza është gati dhe nuk mundemi të hamë.
Mishi qëndron në liqenin e bardhë të pjatës së tij
Shishja e verës është në pritje.

Duke ardhur këtu
si për borxh :
asgjë nuk është grabitur
asgjë nuk është premtuar.
Ne nuk kemi zemër ose falje hyjnore
Jo vend për të ikur
Jo arsye për të qëndruar.



Duke dhënë vetveten

I nxora dhe i dorëzova
sytë e mi si vezë të qelqta.
E dorëzova gjuhën.
E dhashë gojën,
ëndrën konstante të gjuhës time.
E dhashë pshertimën që është mbështjellja e zërit tim.
E dhashë zemrën që në fakt është një mollë e djegur.
I dhashë mushkritë e mia që në të vërtetë janë
pemë që kurrë nuk e kanë parë hënën.
E dorëzova kutërbimin tim që në të vërtetë
është udhëtim i ngurtësuar nëpër shi.
I dhashë duart e mia që përngjajnë me dhjet lutje.
I dhashë krahët që gjithmonë janë përpjekur të më ngrehin.
I dhashë kofshët që janë veçse dashnorë përgjatë natës.
I dorëzova bolet e mia që në fakt përngjajnë
me hënëzat e fëmijërisë.
E fala palloshin tim që i dekurajuar zhduket
nëpër vrima.
I dhashë robat e mia që janë mure të hedhura në erë
duke dorëzuar fantazmën që jeton brenda tyre.
E  dorëzova vetveten.
E dhashë vetveten.
Dhe ju nuk do të keni asnjë copë të saj
Sepse do ja rifilloj përsëri nga e para
Pa patur me vete asgjë.

 

Rreshta për dimrin

 

Thuaji vetvetes
kur i ftohti vjen dhe akullima bie prej qielli
do të doje të ishe atje
duke ecur, dëgjuar
të njëjtën melodi, s'ka rëndësi se ku,
të gjesh vetveten
brenda izolimit të errësirës
ose poshtë thyerjes së bardhë
të hënëzave të përqëndruara
në luginën me dëborë.
Këtë natë ndërsa bën ftohtë
Thuaji vetvetes
Gjithçka që di është asgjë.
Por melodia e kërcimit tënd luan
ndërsa je duke ikur.
Dhe ti do që të kesh mundësi
për një herë të vetme të gënjehesh përposhtë
flakës së vogël të yjeve dimërorë.
Edhe po qe se ndodh dhe nuk ke mundësi
shko më tutje ose kthehu mbrapsht,
dhe do e gjesh vetveten përsëri
kur të kesh vajtur gjer në fund.
Thuaji vetvetes
në këtë rënie finale të ftohti mbi degëd  e tua
Thuaji vetvetes
që e dashuron faktin se cili je.



Blloku i ri poetik

 1 Kur njeriu e kupton poemën, atëherë është në hall.
 2 Kur jeton me poemën, atëherë vdes në vetmi.
 3 Kur jeton me dy poema, i pabesë është me njerën.
 4 Kur e mbars poemën, atëherë ka një fëmijë të imët.
 5 Kur mbars dy poema së bashku, i bëhen dy fëmij të imët.
 6 Kur mban kurorë në kokë ndërsa shkruan, duhet të dalësh jashtë saj.
 7 Kur nuk mban kurorë ndërsa shkruan, mos beso asnjë përveç vetes.
 8 Kur njeriu e urren poemën, duhet të ndeshet burërisht me burin.
 9 Kur vazhdon ta urresh poemën, duhet të ndeshesh me gruan.
10 Kur publikisht e denoncon poezinë, këpucët duhet t'i mbushen me mut.
11 Kur e shet poezinë për pushtet, pushtetin e ke të dyfishuar.
12 Kur mburet për poemën e vetë, do të jetë i dashuruar nga turmëtarët.
13 Kur mburet për poemën dhe i dashuron turmëtarët, duhet të mos shkruaj më.
14 Kur tërheq vëmendje prej poemave të shkruara, ndihesh si një palaço nën dritën e hënës.
15 Kur e shkruan dhe e  rekomandon  tek kolegu yt, duhet të kesh dashnore të bukur.
16 Kur e shkruan dhe e rekomandon së dyti, duhet ta lësh dashnoren.
17 Kur njeriu i bën thirje poemës midis të tjerave, zemra e tij duhet dyfishuar.
18 Kur e lëshon poemën të zhveshur, njeriu duhet dënuar me vdekje.
19 Kur ballafaqohesh me vdekjen, shpirti yt ka shpëtuar nga poemat e tua.
20 Kur nuk ballafaqohesh me vdekjen, ka mundsi që mos shpëtosh nga poemat.
21 Kur e mbaron poemën, shpëlahesh në banjon e bardhë të pasionit tënd,
     i puthur dhe rrethuar nga fletë të bardha.

 

Mbeturinat

E zbraza veten në emër të të tjerëve
I zbraza xhepat
I hoqa këpucët dhe buzë rrugës i lashë
Natën i ktheva akrepat e orës
E hapa albumin e familjes dhe vetveten gjeta aty djaloshar
O Zot, çfarë ka ndodhur ?
Orët e kanë kryer punën e tyre.
Thërita në to emrin tim.
Thash veçse një lamtumirë.
Fjalët ndoqën njëra-tjetrën tatëpjetë.
E dua fort gruan time por largojeni pë një moment.
Prindrit e mi të ngritur nga fronat e tyre,
Në dhomëzat e qumështa të reve qiellore.
E si mund të këndoj ?
Koha më thotë se cili jam.
Kam ndryshuar dhe kam mbetur i pa prekur.
E zbraza veten nga jeta ime,
Dhe jeta ime është gjithçka që ka mbetur.

___________________________________________________________________________________________________________________________

 

                                                          Jim Morrison
                                                             
( 1943 - 1971 )

 James Douglas Morrison u lind në 8 Dhjetor 1943 në Melbourne, Florida. Vdiq në menyrë misteroze ( ndoshta infrakt-zemre) në banjën e dhomës së hotelit të tij në Paris, Francë në 3 Korrik 1971. Eshtrat e tij prehen pranë varrit të Balzakut dhe shumë shkrimtarëve të tjerë. Përgjatë kësaj periudhe jetësore të rrufeshme prej njëzet e shtatë vjetësh, Jim Morrison e ka transformuar vetveten nga brilant e rrebel student në lëvizjet demokratike, në poet e këngë-autor origjinal, nga këngëtar legjendar rock n' rroll sharmant , në film prodhues dhe shkrimtar endacak. Jim ishte një artist avangardist në kërkim të pandërprerë. Rregjistroi shtat albume muzikore së bashku me grupin e tij The Doors ku pjesën më të madhe të këngëve i shkroi vet. Prodhoi dy filma të nderuara me çmime në atë kohë. Regjistroi në studio poezi të cilat më tej i publikoi në tre botime të ndryshme poetike. Si dhe padyshim imazhi i tij si legjendë roku kaptoi gjithandej kufijt e mbarë botës perëndimore. Finesa (ose kualiteti) i jetës artistike të këtij artisti të gjithanshëm ngelen shkrimet e tij. Në verën e vitit 1971, pak kohë para se të vdiste, kishte shkruar më tepër se gjashqind faqe me poezi, epigrame, lirika, ese, tregime dhe skenarë filmash. Për të poezia ishte një rrugë drejt prakticitetit dhe perfektshmëris jetësore. Si e tillë pjesa më e madhe e këtyre vargjeve janë shkruar nëpër blloqet dhe fletorkat e tij të shënimeve personale, nëpër aeroporte, nëpër autorugët gjigande të Amerikës, në turnetë e muzikës në Europë, pas skene, në bregdet lindje-perëndim, hotele, bare, restorante, taksi, gjithandej. Shumë prej tyre ngelën madje edhe të papërfunduara dhe papërpunuara si pasoj e vdekjes së parakohëshme të këtij poeti modern amerikan sikurse edhe një zëri të gjithë e kanë cilësuar.

 

Hapja e valixhes

Moment i Liris së ngujuar
kur mëndja hapet dhe
gjithësi e pafund' shfaqet
& shpirti është lëshuar të endet
shkëlqime & të ngatërruara kërkime
këtu & atje për mësues & shokë

Moment i Liris
si i burgosuri
përpëlitje qepallash nën Diell
si insekt mole
nga vrima e tij
udhëtimi i parë i një fëmije
larg prej shtëpie

Ky Moment i Magjishëm Lirie.

 

I ikur në udhëtime

Buri i ikur jashtë, në udhëtimet pafund të anijeve,
T'i shpëtoj mëkatit & thëthirrës të qyteteve,
vështrues i kërthizës së yjeve të mëngjesit,
nga kuverta e anijes gjer në shpinë,
kryq ekuatorit & interpreton rituale
që qartësojnë nën fokus vdekjen,
të rrezikshmen njohje,
që i jep një raport të ri të shkuarës.

Të ndihesh në rrethina të ç'djallimit të
ritualeve të së shkuarës,
të presësh, ose kërkoshë burërimin
nën influencën e armës, instruktimin
e vrasjes së fëmijërisë më tej,
i pavetëdijshëm,
për një moment...

 

Udhëkryqet

Udhëkryqet :
vënde ku fantazmat
jetojnë të vidhen në
veshët e udhëtarëve
duke i bërë kureshtar
për fatet e tyre.

Autostop pijesh :
" U thërras përsëri në errësirë
Zotave të fshehur në gjak"

- Hej si na thërret neve ?
Ti e di çmimin tonë.
Ai asnjiherë nuk ndryshon.
Vdekja jote do të jap jetë
& do të çlirojë ty nga
mizerabiliteti i fatit të vërtetë.
Por është tepër vonë.

- Po qe se të shoh përsëri
dhe flasë me ty & eci me ty,
nën shoqerinë tënde,
dhe pij mushtin e ajkës së kazanit
të bisedave të tua
thashë :

- Të riskoj ndryshkjen e shpirtit.
Të arrij për një moment
të grabis monedhat e floririt
në hambarin e anijes së piratëve
e të vendosem diku përgjithmonë
në lavdinë e pleqërisë.

- Si fytyra e të vendosurve diku
kurva helmonjëse & pijesh
fitore të përskuqura ushtarësh,
gjithsesi me triumfe & helmeta të çara,
lëkundëshëm nëpër karocat paralitike,
drejt pragut të rrugës së shenjtë.

(drita e çakmakut)
- Atëherë miku im më tej,
A mundesh ta përqeshësh vetveten ?!
- Jo.
- Shpejtë zërat tanë duhet të bëhen Një,
ose 1-shi duhet nga skena të largohet.

 

Kuaj tropikal

Deku i poshtëm i anijes
po digjet.
Stalla po merr fund
Fermerët rendin përjashta
Me kova uji ndër duar
Lëkura e kuajve po piqet.
Ata shqelmojnë muret e stallës,
( tmerri në sytë e kuajve
mundet të shqyej ose
përmbyti krejt qiellin.)

Flokë dëbore filluan mbi
ata, prej përallës të bien,
sirenat e këmbanoreve
zhurmonin në majat e direkëve.
Shumë prej dëshmitarëve
e kanë të vështirë,
të përshkruajnë detarët
posht flakëve në hambarë.
Deku po jepte shpirt nën flakë,
koha erdhi anijen për të braktisur.

Tashmë poshtë thellsisë së detit
buzëqeshje të dëshpëruara flluskonin
nëpër ajrin e ftohtë të natës
së shqetësuar.

Koridore tropikale
Thesare tropikale
çfarë na ka prurë kaq larg
prej të ngrohtit ekuator ?!
Tashmë që kemi nevoj për diçka
diçka krejt të re
ndërsa gjithçka tjetër po mbytet
mundet të kalërojmë gjithçka,
ndër sytë e kuajve,
t'i bëjmë ata të qajnë,
t'i vëmë veçse në gjumë.

___________________________________________________________________________________________________________________________

 

                                                      Leonard Cohen
                                                           
( 1934 - )

 Leonard Cohen i lindur në Montreal 21 Shtator 1934. Ishte nëntë vjeç kur i vdiq babai. 17- vjeç filloi të shkruaj poezitë e para. Në universitetin e Mc Gill-it (Montreal) krijoi një western-trio "Buckskin Boys". Country këngëtar dhe poet bohemian Cohen fillon dhe ndërton reputacionin e vetë në rrethet studentore. "Na lejoni të krahasojmë mitologjinë" (1956) është libri i tij i parë me poezi për të ardhur tek "Kutia pikante e Tokës" (1961) që e bëri menjëherë popullor në të gjithë Kanadanë. I jepet e drejta për të vazhduar studimet në universitetin e Columbia-s në New York, të cilat i braktis duke udhëtuar gjithandej në Europë gjersa vendoset në ishullin piktoresk të Hidra-s në Greqi, ku dhe jeton për gati 7-vjet, rjedhoj e kësaj përvoje kohore është vëllimi poetik më tepër i diskutuar "Lule për HItlerin" (1964) dhe "Parazitët e Tokës" (1966) së bashku me dy romanet "Loja favorite" (1963) dhe "Humbës të bukur" (1966). Gazeta Boston Globe do ta vlersoj prozën e tij me fjalët : "James Joyce nuk është i vdekur. Ai jeton në Montreal nën emrin Leonard Cohen". Nga ky moment çdo njëri nga romanet është shitur më tepër se 800 mijë kopje nëpër botë. Cohen braktis Hidra-n dhe rikthehet në Amerikë (Nashville) për t'ja dedikuar vetveten karierës së tij muzikore si këngëautor, firmën e së cilit mbajnë (gjer sot) 14 albume muzikore. "Poema të zgjedhura 1956-1968" (1968) vlersohet nga bota letrare me Governor General's Literary Award for English Language Poetry, çmim ky të cilin Cohen çuditërisht e refuzon nën fjalët : " Nuk jam veçse një poet i thjeshtë i kësaj bote". "Energji skllevërish" (1972) pasohet nga vëllimi poetik i shumë diskutuar gjithashtu "Vdekja e burit të zonjave" (1978). "Libri i faljeve" (1984) është vlerësuar si "libri më elegand poetik i autorit" fitues i çmimit Canadian Author"s Association Literary Award (1985). Në vitin 1991 Cohen vlersohet si Officer of the Order of Canada dhe në 1993 si Governor General's Performing Art's Award.. "Muzik e  çuditshme" (1993) është përmbledhja më e fundit që kemi ( gjer sot) nga ky poet. Në vitin 2003 fiton urdhërin Companion of the Order of Canada vlersimi ky më i madh Kanadez që mund t'i jepet një individi. Artist i gjithanshëm, Leonard Cohen i ka kaluar tashmë të 70-at e veta duke krijuar kështu një nga "legjendat" tërheqëse jetësore të ditëve tona.


E vetmja poezi

Kjo është e vetmja poezi
Që mund të lexoi,
Jam i vetmi që e shkroi,
Nuk e vrava veten
Kur gjërat shkonin keq e më keq,
Nuk kërkova shpëtim
Te droga apo leksione, për dreq,
U përpoqa të fle
Por kur gjumi s'më zinte
Mësova të shkruaj,
Të shkruaj mësova, mos harro (!)
çfarë mundet të lexohet
në të tilla netë
si kjo...

 

Një natë e dogja

Një natë e dogja shtëpinë që kam dashur,
Ndriçimi i rrethor i unazës përfekte,
Në të cilin pashë kaq shumë fërra dhe gurë,
Përtej të shkuarës prej - jo gjithçkaje.

Krijesa të ndryshme nëpër erë,
Të alarmuara nëpër natë,
Vinin të shihnin botën përsëri,
Dhe zhdukeshin nëpër dritë.

Tashmë lundroj nga një qiell në tjetrin,
Në gjithë errësirën e thirrjeve,
Kundra anijes që pata ndërtuar,
Prej krahësh të imituar.

 

Të gjithë e dinë

Të gjithë e dinë që zaret janë hedhur me hile.
Të gjithë (për të patur fat) ecin me gishta të kryqëzuar.
Të gjithë e dinë se bijtë më të mirë u shuan.
Të gjithë e dinë që lufta ka mbaruar.
Të gjithë e dinë se ndeshja përfundoi:
I varfri mbetet i varfër, i pasuri e shton pasurinë.
Ky është një fakt, të gjithë e dinë.

Të gjithë e dinë që anija është e shpuar.
Të gjithë e dinë që kapiteni është gënjeshtar.
Të gjithë e kanë zemrën e thyer nga babai
Ose qeni që dje u kall në varr.
Të gjithë flasin veç për para.
Të gjithë si të babëzitur duan kuti me çokollata,
Të gjithë pëlqejnë trëndafilat që të kujtojnë rininë.
Ky është një fakt, të gjithë e dinë.

Të gjithë e dinë që ti më do e dashur.
Të gjithë e dinë që është me të vërtet kështu.
Të gjithë e dinë që je kaq besnike.
Përveç dy-tri netëve kur nuk kam qenë këtu.
Të gjithë e dinë që je një tip i mbyllur
Shumë njerëz lakuriq të njohësh ke dëshirë.
Ky është një fak, megjithse i pështirë.

Të gjithë e dinë, momenti i vërtet është tash o kurrë.
Të gjithë e dinë që e vërteta është veç ti dhe unë.
Të gjithë e dinë qe ky varg në shpirt ngulet.
Për kordelet apo kravatën së cilës i përkulet.
Të gjithë e dinë që pakti është i krimbur si një bimë.
Ky është një fakt, të gjithë e dinë.

Të gjithë e dinë që kolera e së vërtetës po afron.
Të gjithë e dinë, ajo lëvizë me shpejtësinë e erës.
Të gjithë e dinë që burra e gra të zhveshur.
Janë pasqyrimi artizanal i së shkuarës pas derës.
Të gjithë e dinë që kjo skenë është e vdekur.
Por gjithmonë ka një mjeshtër në tëndin krevat.
Që luan dhe përhap atë që të gjithë e dinë,
Të gjithë e dinë që ky është një fakt.

Të gjithë e dinë që tashmë je në vështirësi.
Të gjithë e dinë, gjithmonë i vërtetë ke qenë o Njeri.
Përmes kryqit të përgjakur në krye të Kalvarit,
Të gjithë e dinë se ajo vjen tek ne copë-copë.
Shikoje Zemrën e Shenjtë përpara se të shpërthej.
Hapi sytë dhe shikoje për të fundit herë këtë akt.
Ky është një fakt, të gjithë e dinë.
Të gjithë e dinë që ky është një fakt.

 

Suzana

Suzana të merr për dore, tatëpjetë,
Pranë lumit, tek vendi i saj i fshehtë,
Ku sirenat e anijeve mund t'i dëgjoshë,
Ku për gjithë natën pranë saj të qëndroshë,
Dhe ti e di që ajo është gjysëm e çmendur,
Arsye që e shtyn kureshtjen e pagdhendur,
Pikërisht ajo ç'ka do t'i rrëfesh asaj tashti,
Këtë natë: nuk të ka ngelur aspak dashuri.
Dhe ajo pa folur të merr në valët e saj,
Duke lënë lumin të t'përgjigjet pasandaj,
Që ti gjithmonë ke qenë i dashuri i saj.
Dhe ti dëshiron të udhëtosh me të,
Të përshkoshë i verbër hapsirën, pa zë,
Ajo verbërisht të beson veç ty, këtë natë,
Po qe se ti, trupin e saj mbart në imagjinatë,

Edhe i madhi Krisht ishte lundërtar,
Ndërsa ecte përmbi ujë, e shkëlqente si far,
Të tjerët nuk e besonin, dhe s'kishin si ta dinin,
Vetëm të mbyturit e përposhtëm mund ta shihnin,
Ndërsa thoshte " të gjithë njerëzia do t'bëhen lundërtar,
gjersa deti nën vetvete do t'i çlirojë, duke i marrë" !
Ndërsa brenda vetes zemrën e kishte të thyer,
Përpara se vështrimi i Qiellit drejt Tij te ishte kthyer,
I dorëzuar, i kryqëzuar, veçse si qënie humane,
Mbyste, përposhtë vetvetes (si deti) urtësinë vigane.
Dhe ti dëshiron të udhëtosh me të,
Të përshkoshë i verbër hapsirën, pa zë,
Ti verbërisht beson veç tek Ai, këtë natë,
Po qe se Ai, trupin tënd mbart në imagjinatë,

Suzana, prej dore të ka zgjuar prej gjumit,
Ajo është e vetmja lidhje midis teje dhe lumit,
Ajo është e veshur me rrecka endacake,
Të shqyera prej ditëve të saj bredharake,
Dhe ndërsa dielli pikon si mjalti mbi jetë,
Zbardhëllon krejt gjirin e Zonjës së vërtetë,
Të tregon se ku duhet vetveten ta përqendrosh,
Përmes plehrave dhe luleve të shikosh,
Atje poshtë algave, në thellësi ka të mbytur heronj,
Fëmijë që me shpresën e mëngjesit mbahen me thonj,
Në ankth ëngjëllor, për pak më tepër dashuri,
Kështu pritja ka për të qenë në përjetësi,
Ndërsa Suzana përball teje mban pasqyrën,
Dhe ti plot një jetë udhëton me të,
Ti verbrisht e di, se beson tek ajo këtë natë,
Po qe se ajo, trupin tënd mbart në imagjinatë.

 

Modelet e Parisit

Vashëzat modele po ndërrohen
për sfilatën e mëtejshme.
E pashë seksin e njërës
dhe gjoksin e një tjetre.
Një balonë ishte bashk'ngjitur
në gishtat e një femre.
Dhe ata filluan të vënë
në lëvizje makinën e erës.
Veshjet gjallëroheshin
nën aksidente të madhërishëm
flokësh të mistershëm
që projektonin fytyrat e tyre solemne.
Mrekullia e ballonit
hulumtonte në shenjat e gishtrinjve,
egërsinë e stuhisë
të strehuar brenda trupave të tyre.
Më në fund ushqimi kinez mbërriti,
dhe vashëzat modele ecin gjithandej,
me piceta ndër duar dhe pjata kartoni.
Të gjithë ishin të lumtur që imazhi
magjik i gruas-prej-druri,
suksesin kishte përfshirë.
Ato mundet të pushojnë pakëz,
në kurbën e madhërishme
të lartësisë së vërtetë
të besimit vital tërheqës
prej të cilit :
Ndihesha i lumtur.
Ndihesha i privilegjuar.
Të jem i pranishëm në aktivitetin
e rëndomtë sipas rregullave
të profesionistëve.

___________________________________________________________________________________________________________________________

 

                                                         BRENDA MARIE OSBEY

 

 Brenda Marie Osbey është e lindur në New Orleans (Luisiana) dhe mban autorësinë e katër librave poetik, më i njohuri prej të cilëve është " Të gjithë shenjtorët : Poema të reja të përzgjedhura" që fitoi  në vitin 1998 çmimin prestigjoz American Book Award. Në pranverën e vitit 2005 ajo u dekorua me urdhërin e nderit Luisiana State Poet Laureate. Poema "Kallami i sheqerit : Vazhdimi i këngës së skllavëris" u shfaq për herë të parë në American Poetry Review  maj/qershor 2005.

                                                                   

 

Kallami i Sheqerit : Vazhdim i Këngës së Skllavëris

 

                                          poemë

 

 

 

 

buzët e tua kundrejt meje në errësirë
hapsirë e tipareve të fytyrës dhe supeve
shpinë e mbushur me shpatulla
asgjë më tepër veçse çfarë ato

janë

kur ti i shikon
atëherë historia mer kuptim
rehatshmëri  e konsolidim
prej konsumatorëve të trupit
fjalë si llogma mishi hone të pa mbrojtura
                 të shkrumbosura
dëshira kërkon llogmën urgjente
të emocioneve konsumatore
                 llogmën

e të jetuarit në dëshirë
e të jetuarit nën pronësinë e dëshirës -
pa asnjë themel , aspak vetshkatërrues -
të mbash erë dhe shijosh se si ne jemi
bashkarisht të ndarë dhe
                            të veçuar
dora ime brenda në mezin e
historisë -
frut i rrëzuar në pezul të dritares
thellësisht brenda verës -
dora e pastër erë-mirë e përkryer e gjyshes
                           në faqkat e mia
duke u mbajtur në gjunjët e saj shihja lartë
duart e zeshkëta të kryqëzuara
mbi dantellën e bardhë të fustanit të saj
ndieja efektin e mrekullueshëm të atyre duarve
strehën e gdhendur të syve të zeshkët
plot kujtime dhe pritje të gjata -
tashmë jam duke pritur për ty -
fytyrën tënde kundrejt brezave
dëshirën
e trashëguar të babëzisë
së kafshimit të kallam sheqerit
të zeshkët nga jasht
dhe brenda të ngrohtë...

 

si një grimasë kohe e tretur në rum*
shpërthime në qetësinë e pritjes gojore :
- çfarë do të doja ? -
aguardiente* - skllavia latine më thotë
aguardiente
agua como amor
su amor como agua, mi senor
                
përgjigje -
e plotë
si mure të vjetër me tulla
nga koha e viteve të shkuara të qytetit
mure me tulla më të vjetër se
të gjitha frymët e vdekura brenda tyre
                    ndaj -
agua y tierra, mi senor
agua y tierra y sangre, papi

agua ardiente como amor,

të shoh ty sot përmes syve të gjyshes time
strehë e gdhendur e zeshkët
e ndiej prekjen e saj në dorën tënde
dashurinë e shndërruar në hi
që më ka formuar,
nëpërmjet fjalëve të saj
tek një ditë fare pa arsye më thoshte
edhe një herë më rikrijo
më riformo
dhe dy binjak lindën atëherë
brenda meje
unë dhe ajo...

 

shpesh në kulmin e mbasdites
sirenë treni
rrënkonë në rrugën e hekurt të s'tashmes
duart e tua të zeza në kofshët e mia
formojnë
drejtojnë
paralajmërojnë

 

diçka përmbysëse që vjen prej larg
në kohën e duhur veçse pa'pritur
ne duhet ta dijmë
që ajo vjen pa'pyetur
rezistoji ose munde
shtërngoje'tridhe diku nga poshtë
boleve
të friksuar nga apokalipset biblike
kacavirremi
nën

 

peshën rrëndesës së shekujve
gjaku dhe sheqeri lindin e jetojnë plantacioneve
                          jasht qytetit
sheqer që digjet
nëpër dhëmbë dhe buzë dhe çumçakëz
konsolidim
i bashkangjitur në skllav-izëm -
                        brenda qytetit
gra të lira nën veshje tubolare
fije sandalesh lidhin këmbët e tyre
metale ari vringëllijnë kyçeve dhe qafës
zeshkane të zhveshura poshtë rrobave gënjeshtare
"made for loving"  nën sinjalin e davaxhiut të vjetër
dhe i shoh' ato në rrugë tek shkojnë
"born for it"  e vetmja përgjigje e njohur -
thithka e sheqerit dhe presionit të gjakut
prodhonë dhe lëshonë qumështin
                              brenda gojës së ngrohtë
infantilëve* të tyre
burrave
me gishta dhe buzë që qarkojnë buzëqeshjen
dhe ëndrat e mbytura që nuk shkëlqejnë askund
por thithin dhe thithin gjer sa kallami i sheqerit
është i butë
i butë si bagasse *
"you sweetness you"  plaku i thotë të resë -
ma canne a sucr'  *

kthehem tek ti në shtrat shekujsh
prodhuar - për - dashuri që
shkallmonë në kokën time
                                 kofshët
canne a sucre - gojëzoj në gojën tënde
shtratin gjëmbaç të pemës së egër
mure tullash dhe dysheme
duart e tua si kafe
e pjekur
gati për t'u servirur
ëmbelsisht
(ah, ma douceur)
buzë femre
puthje e përjetshme
prej ku kallami i sheqerit rritet drejt
      i lartë dhe vibrant përtej ëndrave
shpinë shpatullore dhe duar dhe buzë

 

shfrytëzojini

 

konsumojini

 

konsumator

 

o burra të konsumojmë

 

djegien e ndërtesës së ritualit
të vdekjes së ripërsëritur
lindje e shpërfytyruar
(as mashkull as femër)
lindje
si luftëtar i lindur -
foshnje të zeshkëta mbartin historinë
si trasta me patate në supermarket
të lindur për konsumim
të rritur për t'u vdekur
emocioni kërkon llogmën urgjente të mishit
kërkon lidhjen zinxhirore të kërkimit konsumues
kërkon llogmën
ta shqyej
dhe shqyej
të gjithë ose në copa
ta shqyej të ngrohtë -
kur i sheh e kupton se ata nuk janë veçse
                             çfarë ti
jeton
kundra gjithçkaje
në errësirën
e kafshimit të kallamit
të sheqerit...

 


* rum - pije alkoolike e nxjerë nga kallami i sheqerit.
* aguardente-  togfjalësh i krijuar në spanjisht me një super ndjeshmëri simboliko-metaforike.
* infant, infantil - fëmij që nuk rritet ose burrë i ngelur fëmij.
* bagasse - është mushti (palca) prodhimtare gjatë proçesit të përpunimit të kallamit të sheqerit.
* ma canne a sucr' - "kallami im i sheqerit" shprehje në frengjisht që nënkupton një shkallë superiore ëmbëlsie ledhatonjëse
.
  ( shënimet janë bërë gjatë përkthimit, ndërsa disa fraza në frengjisht dhe spanjisht janë lënë në origjinal për hir të atmosferës së poemës )

 

 

__________________________________________________________________________________________________________________

 

Shqipëruar nga Flurans Ilia _ Flurka

 

                                                      Dosje letrare-poetike në ndërtim ... ... ...