Ishte 9 dhjetori i vitit 1945.

Makina qëndroi para burgut dhe rrëmbeu dy djem të rinj. Ishin Resul Dollani dhe Namik Mehqemeja. Me ta në makinë hipën dhe një skuadër pushkatarësh si dhe prokurori.U nisën diku për t’i pushkatuar.Makina ecte me drita të fikura.Çante terrin e natës.Se njerëz të territ qenë vrasësit e tyre.

Qëndruan pranë kazermave të ushtrisë në Uznovë dhe morën grykën e përroit pranë qimiteros.Atje kishin hapur një gropë. I vunë pranë njëri tjetrit. Përballë zunë vend pushkatarët.

Në këto çaste të fundit çfarë po përjetonin ata dy të rinj që sapo kishin mbushur 22 vjeç?

Resuli sillte ndër mend fjalët që i kishte shkruar pas një fotografie nënës së tij: “Ty, që gjatë jetës sime, ç’prej lindjes, të shkaktova lot dhe vetëm lot, të lë si kujtim të fundit këtë hije të vetes sime dhe të Nakos, që s’m’u nda as dhe në vdekje. Çmallu dhe falmë!” Më pas kujtoi të atin, Ahmetin, vëllezërit, Fatmirin, Luanin, Eduardin, motrën Lavdie, vëllazërinë Dollani, duke përfytyruar pasojat që do t’i ndiqnin nga pas, sepse, ashtu siç kishte thënë Namiku, “shoqëria që i rrethonte ishte e korruptuar”, që kërkonte veç gjak…

Kurse Namiku solli para syve nënën e mbetur vetëm me tri vajza dhe fjalët që i kishte drejtuar asaj: “Në qoftë se je nëna ime, të qëndrosh e fortë, se unë këtë udhë që kam nisur do ta çoj deri në fund”, mendoi të atin që i kishte mbetur në kampin e shfarrosjes të Majdanekut dhe të motrat Fatimenë, Nexhmijen dhe Lejlanë që do t’i linte vetëm, pa mbrojtje.

Nga këto përjetime i zgjoi thirrja e prokurorit:”Thoni fjalën tuaj të fundit!”

Dhe ata iu përgjigjën burrërisht: “Ne po pushkatohemi prej kriminelëve si ju, se deshëm më shumë atdheun se veten. Ju me gjak shqiptari e fituat, me gjak kërkoni ta mbani dhe nga ai gjak do ta lini! Rroftë Shqipëria!”

Një breshëri plumbash shpoi atë prag mëngjesi të 9 dhjetorit.Dhe cili ishte krimi i tyre që duhej larë me gjak?

Nuk ishin pajtuar me terrorin që zhvillohej në parti dhe kishin këmbëngulur në kërkesën që pas luftës Kosova t’i bashkohej Shqipërisë. Që Shqipëria të ndiqte rrugën e vendeve perëndimore, në veçanti, të vendit të zambakëve të bardhë, siç e cilësonte Namiku Finlandën.

Hija e dhimbjes u nder mbi Berat.Këtë dhimbje nuk e ndien vetëm pjesëtarët e këtyre dy familjeve, por gjithë një qytet që demonstroi dhe këmbënguli për faljen e jetës së tyre.

Drejt Tiranës, me urgjencë, pas vrasjes së tyre, u nis telegrami me përgjigjen që kërkonte vetë diktatori Enver Hoxha për të mësuar fjalën e fundit të tyre. E tmerronte ajo fjalë diktatorin. Dhe ai donte ta dinte atë fjalë, që hakmarrjen ta shpinte deri në fund.

Dhe e shpuri: i la pa varrë.Edhe sot kjo ditë vazhdon të kullojë gjak.Kërkon drejtësi.Kërkon një vend ku të vendoset një tufë lule në kujtim të tyre.

Po ai varr nuk flet.

Se asnjë nga ata që morën pjesë në atë vrasje të padëgjuar, nuk u bë i gjallë, vazhdon t’i mbajë duart e lyera me gjak fshehur, që të mos i diktohen. Po ai gjak ka për të bërtitur në vite, siç i bërtet çdo Makbethi.

 

Agim Mehqemeja

Ishte 9 dhjetori i vitit 1945.

Ishte 9 dhjetori i vitit 1945.