Të punosh në një galeri arti a në një muze, ajo që të shqetëson përditë është, ruajtja, konservimi, restaurimi dhe shtimi i fondeve me vepra arti e objekte me vlerë. Përditë më ofrohen qytetarë të ndryshëm të cilët kërkojnë t’i shtojnë fondeve të galerive a të muzeve veprat ose objektet që ata kanë në pronësi, për t’i shitur pranë galerive a muzeumeve. Kjo është mëse normale, madje është edhe shumë e rregullt edhe ligjore, pasi ligji i detyron shtetasit shqiptarë që objektet a veprat e artit më vlerë t’ia ofrojnë fillimisht shtetit e më pas, në rast refuzimi nga ana e shtetit, kanë të drejtë t’i shesin ku të duan.
Në një nga këto raste të përditshme, dëgjova se  një vepër të Piktorit të Merituar Sotir Capo dhe pikërisht “Baresha”, vepër e vitit 1989, ka dale në shitje për 3000 euro.     Vepra ka qënë në shkollën e mesme të përgjthshme “Babë Dudë Karbunara”.  Eshtë nga të paktat vepra që i përkasin periudhës së realizmit socialist, nga të paktat e mbetura  në pronësi të shtetit.
 Para disa vitesh, kur drejtoja Galerinë e Arteve “Edward Lear”, dhe pikërisht kur kryetar i Bashkisë ishte z. Niko Mata, iu drejtova me kërkesë  zyrtare bashkisë së Beratit si dhe qëndrës ekonomike të arsimit, për veprat që gjënden në shkollën e mesme të përgjithshme “ Babë Dudë Karbunara”  t’i kalojnë në pronësi të galerisë së arteve, me kalim inventari. Për këtë u shfrytëzua   një urdhëresë e vitit 1992 e ministrit të Kulturës z. Dhimitër Anagnosti, i cili ngarkonte galeritë e arteve me detyrën e mbledhjes së veprave të artit nëpër institucionet e shtetit, për qëllime ruajtje në fondet e tyre. Zoti Mata urdhëroi qendrën ekonomike të arsimit, që veprat e piktorëve Sotir Capo “Baresha”, Ali Oseku “5 Maji”, Josif Droboniku “Vjeshtë”, Odise Lakuriqi “ Rilindasit”, Aleksandër Filipi “Saldatorët” dhe Agron Bregu “ Bregdeti i Vlorës’ të kalojnë në inventarin  e galerisë së arteve “Edward Lear”.

Ky urdhër u zvarrit deri në fillimin e rikonstruksionit të gjimnazit. Pas rikonstruksionit drejtor u vendos z. Gafur Hoxha, i cili nuk lejoi zbatimin e këtij urdhëri. Largimi i zotit Hoxha i riktheu shpresat për marrjen e pikturave në pronësi të galerisë. Përgjegjësi i ri  galerisë zoti Agron Polovina vazhdon të kërkojë që këto piktura të futen në fondin e galerisë, pasi nuk janë të sigurta në gjimnaz.

Unë dua të njoftoj  zotin Polovina dhe gjithë opinionin artdashës se piktura e  Sotir Capos e vitit 1989 “Baresha” u ka lënë shëndenë dhe se në vend të saj është vendosur një kopje e shëmtuar.  I kërkoj zotit Gafur Hoxha (të cilit ia kanë hedhur) t’i kthejë pikturën origjinale gjimnazit, pasi kopjimi i saj është bërë në kohën e tij. I drejtohem zotit Hoxha, si i vetmi njeri që ka informacionin e duhur për fatin e pikturës.: -Zoti Hoxha nuk ju akuzoj juve, por ju siguroj me cilësinë e profesionistit se piktura që aktuialisht gjendet në zyrën e drejtorit të shkollës së mesme të përgjithshme “Babë Dudë Karbunara”  është kopje e piktures së Sotir Capos  e  ndërruar në kohën tuaj!

Disa vepra arti ruhen në institucione të pasigurta dhe është mirë që të kalojnë në institucionet e specializuara, në rastin konkret në galerinë e arteve, ku janë edhe të skeduara dhe të regjistruara.

                                                                      Kastriot Dervishi

                                                                      piktor