Të punosh në një galeri arti a në një muze, ajo që të shqetëson përditë është, ruajtja, konservimi, restaurimi dhe shtimi i fondeve me vepra arti e objekte me vlerë. Përditë më ofrohen qytetarë të ndryshëm të cilët kërkojnë t’i shtojnë fondeve të galerive a të muzeve veprat ose objektet që ata kanë në pronësi, për t’i shitur pranë galerive a muzeumeve. Kjo është mëse normale, madje është edhe shumë e rregullt edhe ligjore, pasi ligji i detyron shtetasit shqiptarë që objektet a veprat e artit më vlerë t’ia ofrojnë fillimisht shtetit e më pas, në rast refuzimi nga ana e shtetit, kanë të drejtë t’i shesin ku të duan.
Në një nga këto raste të përditshme, dëgjova se  një vepër të Piktorit të Merituar Sotir Capo dhe pikërisht “Baresha”, vepër e vitit 1989, ka dale në shitje për 3000 euro.     Vepra ka qënë në shkollën e mesme të përgjthshme “Babë Dudë Karbunara”.  Eshtë nga të paktat vepra që i përkasin periudhës së realizmit socialist, nga të paktat e mbetura  në pronësi të shtetit.
 Para disa vitesh, kur drejtoja Galerinë e Arteve “Edward Lear”, dhe pikërisht kur kryetar i Bashkisë ishte z. Niko Mata, iu drejtova me kërkesë  zyrtare bashkisë së Beratit si dhe qëndrës ekonomike të arsimit, për veprat që gjënden në shkollën e mesme të përgjithshme “ Babë Dudë Karbunara”  t’i kalojnë në pronësi të galerisë së arteve, me kalim inventari. Për këtë u shfrytëzua   një urdhëresë e vitit 1992 e ministrit të Kulturës z. Dhimitër Anagnosti, i cili ngarkonte galeritë e arteve me detyrën e mbledhjes së veprave të artit nëpër institucionet e shtetit, për qëllime ruajtje në fondet e tyre. Zoti Mata urdhëroi qendrën ekonomike të arsimit, që veprat e piktorëve Sotir Capo “Baresha”, Ali Oseku “5 Maji”, Josif Droboniku “Vjeshtë”, Odise Lakuriqi “ Rilindasit”, Aleksandër Filipi “Saldatorët” dhe Agron Bregu “ Bregdeti i Vlorës’ të kalojnë në inventarin  e galerisë së arteve “Edward Lear”.

Ky urdhër u zvarrit deri në fillimin e rikonstruksionit të gjimnazit. Pas rikonstruksionit drejtor u vendos z. Gafur Hoxha, i cili nuk lejoi zbatimin e këtij urdhëri. Largimi i zotit Hoxha i riktheu shpresat për marrjen e pikturave në pronësi të galerisë. Përgjegjësi i ri  galerisë zoti Agron Polovina vazhdon të kërkojë që këto piktura të futen në fondin e galerisë, pasi nuk janë të sigurta në gjimnaz.

Unë dua të njoftoj  zotin Polovina dhe gjithë opinionin artdashës se piktura e  Sotir Capos e vitit 1989 “Baresha” u ka lënë shëndenë dhe se në vend të saj është vendosur një kopje e shëmtuar.  I kërkoj zotit Gafur Hoxha (të cilit ia kanë hedhur) t’i kthejë pikturën origjinale gjimnazit, pasi kopjimi i saj është bërë në kohën e tij. I drejtohem zotit Hoxha, si i vetmi njeri që ka informacionin e duhur për fatin e pikturës.: -Zoti Hoxha nuk ju akuzoj juve, por ju siguroj me cilësinë e profesionistit se piktura që aktuialisht gjendet në zyrën e drejtorit të shkollës së mesme të përgjithshme “Babë Dudë Karbunara”  është kopje e piktures së Sotir Capos  e  ndërruar në kohën tuaj!

Disa vepra arti ruhen në institucione të pasigurta dhe është mirë që të kalojnë në institucionet e specializuara, në rastin konkret në galerinë e arteve, ku janë edhe të skeduara dhe të regjistruara.

                                                                      Kastriot Dervishi

                                                                      piktor

 

 

Në mjedise të ndryshme kur diskutohet për shkollën përmendet si një problem ende i pazgjidhur problemi i kursve të pasdites me nxënësit. Të thuash se kurset e pasdites janë minimizuar, apo nuk zhvillohen më në shkolla, është njëlloj si të mbulosh diellin me shoshë. Kurset vazhdojnë. Jo vetëm në shkollat e mesme, por edhe në shkollat 9-vjeçare.

Është një veprimtari, apo një shërbim që u shitet qytetarëve si të gjithë shërbimet e tjera private. Nëse shërbimet e tjera janë ligjore në përgjithësi, ky shërbim është i paligjshëm. Është i paligjshëm sepse ushtruesit e këtij shërbimi nuk kanë asnjë leje për ushtrimin e veprimtarisë private, nuk paguajnë taksa dhe tatime si të gjitha bizneset e tjera. Po si zhvillohet një veprimtari e tillë e paligjshme? Duhet thënë se Shqipëria noton në informalitet dhe nuk është vetëm ky shërbim i paligjshëm. Po a janë të nevojshëm kurset e pasdites për nxënësit? Pa dyshim që fëmijët tanë kanë nevojë për kurse shtesë në lëndë të ndryshme. Kurset janë një shërbim që kërkohet nga qytetarët. Mësuesit, të cilët ende kanë një pagë që mund të plotësojë nevojat e tyre jetike, plotësojnë pagat e tyre me anë të kurseve të pasdites. Po atëherë ku është problemi? Problemi qëndron te zyrat përkatëse që përgjigjen për ligjshmërinë e një biznesi, që kontrollojnë evazionin fiskal nga mospagimi i taksave dhe tatimeve. Problemi qëndron te institucionet drejtuese të arsimit, të cilat duhet të mbrojnë nxënësit nga kurset abusive, organizuar nga sharlatanët që nuk janë profesionistë dhe i detyrojnë nxënësit e tyre me një mijë e një marifete për t’i rekrutuar në kurse. Problemi qëndron te mësues pa ndërgjegje profesionale dhe qytetare, të cilët nuk shpjegojnë në klasë, për të tërhequr dhunshëm nxënësit në kurset e pasdites.

Në një takim me nxënësit e një shkolle në Tiranë ministri Genc Pollo u tha nxënësve se nuk ka asnjë problem për ata mësues që kryejnë kurse private me nxënës që nuk janë të shkollës dhe klasave ku ata japin mësim. Në Tiranë ka kohë që mësuesit me kualifikim të lartë kanë nxjerrë liçensat për të ushtruar një veprimtari të tillë. Qytetarët me vullnetin e tyre të lirë zgjedhin kursin që duhet të ndjekë fëmija i tyre, zgjedhin edhe mësuesin përkatës. Po në rajonin e Beratit a mund të bëhet ligjor ky shërbim i nevojshëm? Nëse do të ketë një diskutim të hapur midis prindërve, mësuesve dhe nxënësve, ku të marrin pjesë edhe drejtuesit e shkollave dhe drejtuesit e arsimit, problemi mund të marrë rrugën e zgjidhjes. Nëse do të bëhet ligjor ky shërbim, përfitojnë nxënësit që do të zgjedhin vetë se te cili mësues do të ndjekin kursin, përfitojnë mësuesit që organizojnë kurse cilësorë, mësues që janë profesioniste të vërtetë, sepse do të bëhet seleksioni nga individë që nuk kanë se çfarë t’u mësojnë nxënësve pasdite, sepse kanë nevojë vetë për kurse kualifikimi, përfitojnë qytetarët, sepse do të marrin një shërbim cilësor, përfiton shteti se do të paguhen më shumë tatime dhe taksa, që do të përdoren në të mirë të qytetit dhe qytetarëve. Do të shmangen kurset e sforcuara që zbresin në mënyrë të paturpshme deri në ciklin e ulët të shkollës nëntëvjeçare nga mësuese të pandërgjegjshme. Nëse shërbimi do të bëhet ligjor, vetë tregu do të bëjë një seleksion të specialistëve që do të organizojnë kurse. Në Berat ka fillluar një dialog midis grupeve të interesit për të vendosur në shina ligjore këtë shërbim. Bashkëpunimi midis faktorëve do të përcaktojë suksesin e zgjidhjes së këtij problemi.

Yzedin Hima

Klikoni tek comments per te shtuar komentet tuaja

Ishte 9 dhjetori i vitit 1945.

Makina qëndroi para burgut dhe rrëmbeu dy djem të rinj. Ishin Resul Dollani dhe Namik Mehqemeja. Me ta në makinë hipën dhe një skuadër pushkatarësh si dhe prokurori.U nisën diku për t’i pushkatuar.Makina ecte me drita të fikura.Çante terrin e natës.Se njerëz të territ qenë vrasësit e tyre.

Qëndruan pranë kazermave të ushtrisë në Uznovë dhe morën grykën e përroit pranë qimiteros.Atje kishin hapur një gropë. I vunë pranë njëri tjetrit. Përballë zunë vend pushkatarët.

Në këto çaste të fundit çfarë po përjetonin ata dy të rinj që sapo kishin mbushur 22 vjeç?

Resuli sillte ndër mend fjalët që i kishte shkruar pas një fotografie nënës së tij: “Ty, që gjatë jetës sime, ç’prej lindjes, të shkaktova lot dhe vetëm lot, të lë si kujtim të fundit këtë hije të vetes sime dhe të Nakos, që s’m’u nda as dhe në vdekje. Çmallu dhe falmë!” Më pas kujtoi të atin, Ahmetin, vëllezërit, Fatmirin, Luanin, Eduardin, motrën Lavdie, vëllazërinë Dollani, duke përfytyruar pasojat që do t’i ndiqnin nga pas, sepse, ashtu siç kishte thënë Namiku, “shoqëria që i rrethonte ishte e korruptuar”, që kërkonte veç gjak…

Kurse Namiku solli para syve nënën e mbetur vetëm me tri vajza dhe fjalët që i kishte drejtuar asaj: “Në qoftë se je nëna ime, të qëndrosh e fortë, se unë këtë udhë që kam nisur do ta çoj deri në fund”, mendoi të atin që i kishte mbetur në kampin e shfarrosjes të Majdanekut dhe të motrat Fatimenë, Nexhmijen dhe Lejlanë që do t’i linte vetëm, pa mbrojtje.

Nga këto përjetime i zgjoi thirrja e prokurorit:”Thoni fjalën tuaj të fundit!”

Dhe ata iu përgjigjën burrërisht: “Ne po pushkatohemi prej kriminelëve si ju, se deshëm më shumë atdheun se veten. Ju me gjak shqiptari e fituat, me gjak kërkoni ta mbani dhe nga ai gjak do ta lini! Rroftë Shqipëria!”

Një breshëri plumbash shpoi atë prag mëngjesi të 9 dhjetorit.Dhe cili ishte krimi i tyre që duhej larë me gjak?

Nuk ishin pajtuar me terrorin që zhvillohej në parti dhe kishin këmbëngulur në kërkesën që pas luftës Kosova t’i bashkohej Shqipërisë. Që Shqipëria të ndiqte rrugën e vendeve perëndimore, në veçanti, të vendit të zambakëve të bardhë, siç e cilësonte Namiku Finlandën.

Hija e dhimbjes u nder mbi Berat.Këtë dhimbje nuk e ndien vetëm pjesëtarët e këtyre dy familjeve, por gjithë një qytet që demonstroi dhe këmbënguli për faljen e jetës së tyre.

Drejt Tiranës, me urgjencë, pas vrasjes së tyre, u nis telegrami me përgjigjen që kërkonte vetë diktatori Enver Hoxha për të mësuar fjalën e fundit të tyre. E tmerronte ajo fjalë diktatorin. Dhe ai donte ta dinte atë fjalë, që hakmarrjen ta shpinte deri në fund.

Dhe e shpuri: i la pa varrë.Edhe sot kjo ditë vazhdon të kullojë gjak.Kërkon drejtësi.Kërkon një vend ku të vendoset një tufë lule në kujtim të tyre.

Po ai varr nuk flet.

Se asnjë nga ata që morën pjesë në atë vrasje të padëgjuar, nuk u bë i gjallë, vazhdon t’i mbajë duart e lyera me gjak fshehur, që të mos i diktohen. Po ai gjak ka për të bërtitur në vite, siç i bërtet çdo Makbethi.

 

Agim Mehqemeja

Ishte 9 dhjetori i vitit 1945.

Ishte 9 dhjetori i vitit 1945.