|
|
Një objekt nuk jep medoemos
hijen që i përket, thotë Alechine. Bash nga kjo, ka hijomanë
që i kërkojnë zgjatimet e sendeve, apo objekteve, mbi dërrasat
e qiellit.
Por neve s’ na duhet ta bëjmë veten xhirafë për
të zgjatur e zgjatur qafën lart, me shpresën mos gjejmë
ndonjë hije, a gjurmë, të konkursit vjetor të MKRS për
krijimtarinë artistike. Jo. Mjafton ta ulim kokën poshtë,
mbi faqet e gazetave, a revistave, ose përballë, në ekranet
e TV-ve. Por, jo!...hiç. Pothuajse asgjë. As buja e domosdoshme
në këto raste, as intervista të fituesve, as shpjegime të
antarëve të jurisë, qofshin dhe nga ato të zbarëtat
fare. Asgjë. Në godinën e ministrisë janë ulur
perdet, janë mbyllur dosjet, është fshirë nga gishtat
boja (vetëm ajo?!). Fund. Një shkretim ulëritës.
E gjithë kjo heshtje që të ndjell të keqtë është
krejtësisht e justifikuar, po të sjellim ndërmend një
fakt zoologjik që ka të bëjë me drerin. Të gjithë
pataksemi e shtangemi nga bukuria mahnitëse e kurorës së
brirëve të tij, dhe rrallë na ka shkuar ndër mend se
kjo bukuri e ka zanafillën tek mashkulloriteti, i cili shfaqet mes
kofshëve në formën e dy lëndeve lisi. E, pra, nëse
është e cenosur njëra nga herniet, ashtu do të jetë
dhe njëri nga brirët, dhe anasjelltas. Është një
simetri e drejtpërdrejtë pasqyrore. Konkursi i MKRS i ka të
cenosura të dy herniet, me të cilat është mëtuar
të ngjizet, andaj s’ ka dhe si të ketë kurorë
“brirësh” ngashënjyes, medemek, gjurmë dhe hije
të tij.
Gjëja e parë që duhet menduar për një konkurs është
juria. Fakti se sa profesionale është kjo juri, sa e aftë
dhe intuitive për të ajgëtuar se ç’ bëhet
aty, lart, në majëmalet e krijimtarisë artistike, ka të
bëjë dhe me besuesh-mërinë e çmimeve të
dhëna. Por, ... mendoni: vitin e kaluar si kryetar jurie ishte Nasho
Jorgaqi, këtë vit, Diana Çuli. I pari mbahet mënd
për një libër të ububushëm në kohën e
Qoftëlargut, “Mërgata e qyqeve”, e dyta është
përmendur disa herë në shtyp për një ekspertizë,
e cila ka çuar para pushkatimit dy poetë: Vilson Blloshmin dhe
Genc Lekën. Zaten jo më vonë se vitin e kaluar, kjo temë
u rihap përsëri në shtypin shqiptar, me ç’ shkak
Çuli ka dhënë shpjegimet e saj, shpjegime që i kalojnë
përmasat e këtij shkrimi për t’ u marrë me to.
Në këtë klimë veç një gjë mund të
thuhet sheshazi: gjesti i MKRS për ta emëruar Diana Çulin
si kryetare jurie është një gjest kamarrosës, shpër-fillës
e përbuzës, jo vetëm ndaj krijuesve të gjallë,
por edhe ndaj gjithë desidencës shqiptare. Sigurisht, tjetër
s’ ka sesi! Realisht mendoj se vetë Çuli, pavarësisht
rretha-nave, pavarësisht ha-mendësimeve e gjasave të asaj
tragjedie, nuk duhej ta pranonte ftesën e MKRS. Nuk duhej ta pranonte
moralisht. Ndryshe vetë ajo duhet t’ i jepte çmim të
parë një fantazme: fantazmës së Vilson Blloshmin për
poezinë e mrekullueshme “Shkretëtira”, por nuk e dimë
se sa do t’ i bënte zemra dhe duart. Sigurisht nuk më vjen
mirë për një gjuhë të tillë, por është
fjala për një krim me të cilit qytetërimi s‘ ka
se si të bashkëjetojë, sepse teksa kërkohet të
zbulohet krimi ndaj Tutatkhamonit, apo Ovidit, s’ ka si të heshtet
ndaj krimeve taze. |
Emërimi i dy njerëzve
që kanë lidhje me sigurimin në jurinë e konkursit, zoti
ministër i kulturës, ndërkohë që dhe vetë
jeni akuzuar nga shtypi si dëshmitar në një vrasje hipotetike
të kryeministrit, në mos është një karshillëk
i hapur, është diçka më shumë: ai të lë
të imagjinosh për një skenar killerash, nga ata de-modetë,
të zbërdhyltit fare, të shitura për pesë grosh
tek agjensitë kinemato-grafike që punojnë për veteranët
e mbushullimtë e dekoratashumë të këtij vëndi.
Tej horizontit të muzgëtuar moral të jurive, ngrihet relievi
i përthyer i një pyetje që shëmbëllen e mbushur
me pupla e push (por që s’ është shpend): sa profesionale
janë ato?
Ndryshimet e bëra në letërsi pas viteve ‘90 janë
themelvithisëse. Një brez i ri (jo ai togfjalëshi kollodok
që grasatohej përpara çdo pleniumi partie), falë fatit
që krijojnë në liri, falë shkollimit perëndimor
dhe talentit, kanë krijuar modele dhe arketipe të rinj letrarë,
të barabartë me letërsinë europiane. Po kështu
kanë vepruar edhe disa nga poetët e brezit më të vjetër,
duke iu larguar me panik kufomës së realizmit socialist dhe duke
e ndjerë me intuitë se nostalgjia për letërsinë
e shkuar është nostalgji për jetimen. Juritë e konkurseve
janë larg shijes dhe nuhatjes së këtyre arketipave. Ata vetëm
gjestikulacionet dhe fjalët i kanë të lyera me varak fringo
të ri, kurse oreksin, kërtyljen, shijen e kanë për demodenë.
Fatkeqësisht.
E keqja e konkurseve të MKRS është
më e thellë dhe më radikale. Imagjinoni pesë veta që
brenda një muaji duhet të shfletojnë me dhjetra, në
mos me qindra libra. E pamundur. Pra e keqja fillon tek zanafilla embrionale,
tek filtrat e kanalet që duhet ta zgjedhin e seleksionojnë këtë
letërsi për të mbërritur tek një konkurs i madh
kombëtar.
Një shembull i kundërt: konkursi “Goncourt”, në
Francë. Juria e tij është e formuar prej dhjetë vetësh,
shkrimtarë nga më të shquarit, si Michel Tournier, Daniel
Boulanger, François Nourissier, Robert Sabatier, etj. Ajo është
e për-hershme, pra ka gjasën ta ndjekë letërsinë
në të gjithë dinamikën vjetore. Është e afishueshme,
punon hapur dhe jo tinëz, si skuthat. Mbase
seleksionimin duhej ta bënin sefte shtëpitë botuese, duke
dhënë çmim vjetor për librat e botuar. Por ju e dini
si janë disa nga shtëpitë tona botuese: ato janë kalla-ballëku
familjar i atashuar me kuç e maç, me lugë e pirunj, aty
ku punon i pari i shtëpisë, agabeu, d.m.th pranë kazanit
të çorbës. Çertifikatën fa-miljare, pa e bërë
qejfin qeder, e lënë në faqen dy të çdo libri
të botuar, ku burri është drejtor, gruaja redaktore, vajza
korrektore, nipi përkujdesës grafik, pra gjithë një
lukuni thneglash që i qepen punës së tjetrit vetëm e
vetëm për të vjedhur pak përjetësi. Në asnjë
vend tjetër s’ ngjet kjo hata. Skandaloze janë redaktorët,
këta punëtorë me mëditje të realizmit socialist,
ekzistenca e të cilëve është me të vërtetë
absurde. Se ç’ punë kanë tashmë ata mjeranë
me shkrimtarin, qënien si-përane që për aktin e krijimit
përgjigjet vetëm para Vetes dhe Zotit, këtë vetëm
botuesit që duan shkrimtarë orizoresh mund ta dinë. Për
të mos të thënë tjetrën: që disa nga këto
shtëpi botuese s’ duan t’ ia dinë fare për librin,
sepse paratë s’ i sigurojnë hiç nga shitja e tij,
por nga sponsorizimet qeveritare, nga fondacionet, amba-sadat. |
Po kështu edhe filtrat
e tjerë si kritika, tele-vizionet, periodikët, i ngjajnë
tubacineve të ujit të shtruar me ngut nga një tender korrupsioni
që, teksa rrotullon rubinetin, ose nuk rrjedhin ujë, ose çurgojnë
nga lëfytet gjanë e flligështi. Sigurisht këtu bëjnë
përjashtim “Aleph”, “FjalA”, “Ars”,
“Mehr Licht”, “Milosao”, e ndonjë tjetër.
Në këtë katandisje dhe vajmedetshmëri MKRS i krijon
juritë me tahmin, ose sipas fiseve klanore, orekseve kafepirëse,
barkut të shën Mërisë. Të kemi njëri-tjetrin
pa në defosun vaftë letërsia, arti e gjithë sojsorollopi
i estetikes. Sot je ti, nesër jam unë. Sot fiton Shuteriqi e Jorgaqi,
nesër fiton Alfred Uçi. Tani e në jetë të jetëve!
Amen!
E pra, t’ i japësh Alfred Uçit çmimin e pendës
së argjendë, është si të futesh në skëterrë,
t’ i lutesh Luçiferit të të japë një kovë
me zift, e atë t’ ia hedhësh rishtazi në surrat gjithë
letërsisë perëndimore. A s’ ështe ai që i
ka nxirrë e sterrosur të gjithë shkrim-tarët e mëdhenj,
sa shumë syresh na duken dhe sot si oxhakfshirës e jo no-belistë?
Le ta zemë një çast se nuk dinte, se ishte viktimë
e doktrinës. Milan Kundera duke ftilluar mitin e Edipit thotë
se ai porsa mori vesh të vërtetën (e dhunimit të nënës)
shkuli sytë. Ne nuk i kërkojmë Uçit të shkulë
sytë për inçestin që ka bërë me atdheun,
por të rrijë i penduar dhe i silloisur në një qoshe.
Fundja le të shkruajë, por me pendim, me brengë.
Çmimi i dhënë për Uçin është krrokama
e korbit për korbin (“Korbi, korbit, i thërret”, tek
poezia e Pushkinit...), është thirrja e të ngjashmëve
dështakë drejtuar të tjerëve : Qysh prej motmoti kemi
qënë e jemi .... (vazhdon një togfjalësh me dy “m”
të tjera brenda), të keqen të na marrin, plasja t’
iu vijë! Kësisoj, këto konkurse të zhvilluara nga MKRS-ja
ne s’ kemi si t’ i vështrojmë veçse duke shpërvjelë
buzët, duke mbajtur barkun e duke zënë hundët me dorë,
përderisa ata s’ janë gjë tjetër veçse,
me nder me thanë, mender me thanë... |
|