| Opinion nga Balil Gjini | ||
| Grigja e lumtur e shkrimtarëve provincialë | ![]() |
|
| - Tek ne është
krijuar e vazhdon të vegjetojë një lloj shkrimtari romantik,
gjasme i përhumbur e gjasme paksa humbameno (eh, si s’ e sheh,
mor vëlla, se mua dega kumbullakuqe e fantazisë sa s’ po
më thyhet nga pesha!), një lloj shkrimtari gjoja hutaq (por mëndjeqiqër
për banalitete mediokre) që ankohet vazhdimisht sepse të
gjithë ia kanë me hile e veçanërisht shteti, cok ai
shtet të cilin e ka ngritur gjer në rolin e babait pikërisht
për ta poshtëruar e sharrë në çastin e mbramë
të burrërimit. Është një mizëlli e tërë
gjallesash të kësifarshme. S’ ke si shpëton nga ta.
Mbijnë ngado. Me qindra. Me mijra. Janë ushtri të tëra
që i punojnë qindin letrës: e shtrydhin sa t’ i dalin
djersët zanafillore prej druri, e zhubrosin, e katranosin, e nxirrosin...
Janë tre mijë poetë prej qytetit X (siç thonë
gazetat), njëzet mijë e kusur shkrimtarë prej Tiranës,
shtatëqind e dyzet e dy tregimtarë prej qytetit tjetër Y,
e kështu me radhë. Në këtë klimë letërsie
ushtarake, mes batalioneve të poetëve, regjimenteve të piktorëve
e muzikantëve, të merr malli të jesh një civil i thjeshtë
me rroba doku, që ha, gërhet dhe dhjet, medemek një qënie
joambrozëpirëse. Po ç’ thonë e ç’ punojnë, vallë?! Hiç. Mblidhen sërë-sërë e lëng pas lëngu, kokolepsen së toku, flasin për artin e kohës së gurit, dhe, ose notojnë si cironka të lumtura në përroskën e mburrjeve që i thurrin njëri-tjetrit, ose ngjiten lart në një qiell të trëndafiluar nga shpresat, duke mbajtur nën sqetulla jastëkë të mbushur e të citosur jo me pupla, por me ajër të skaduar(!...) lëvdatash. Duart i kanë të mbushura plot dhurata të ildisura me fije filigrane artizanale, medemek libra, tablo, skulptura, për t’ ua blatuar zotave të tyre: shefa, zyrtarë, drejtorë, por qoftë edhe kalimtarit të rëndomtë që kalon andejpari. Mos e dhëntë zoti të gjendesh pranë gurgulesë së gurgullimshme të frazave të tyre, sepse përndryshe këmbët s’ kanë se si të mos të të rrëshqasin ose në argjilën e kuqe të monopatit të qëllimshmërisë, ose në lymin e krijuar nga fjalët rutinore e sterile, dhe pastaj, bëlldym!..., ti do ta shikosh veten tek mbytesh në një rrjedhë ligjërimore patetike, të mbushur plot popla e mufka provinciale, a nacionaliste. Grigjën e lumtur të shkrimtarëve provincialë e prijnë deshët përçorë të artit ideologjik të së Djeshmes. Shumë prej tyre tashmë janë bërë redaktorë të shkëlqyer të vetvetes: të gjithë atë kalbësirë byku e myku të veprave të tyre të kohës së 2 D-ve (Dullë+ Diktaturë) e kanë vënë në majë të sfurkut dhe po e vërtisin poshtë në humnerë. Dhe rreken, (oh çfarë mundimi i hatashëm ky), të qëmtojnë aty-këtu ca fije të gjelbra vargjesh, t’ i lidhin ato në formën e një buqete dhe t’ i quajnë lirika, balada, a një zot e di çfarë. Ç’ mjerim i madh kur do që buqicat (e burgut) t’ i bësh buqeta (varr-gjesh) Ti lexues mund të habitesh e të thuash : ta hajë dreqi, ta hajë, po gjithë ajo dëborë e zezë mbi malin e të Keqes, ç’ u bë e si firapsi vallë? Eh, mor vëlla, ti ende s’ e ditke se artistët e socrealizmit janë mjeshtra për kësi punësh. Ata janë të aftë që atë kalupi dëbore të zezë ta tjetërsojnë në një top dëbore argëtues e estetik. Zaten mund të shkojnë dhe më tej: atij lëmshi të zi dëbore t’ i vendosin një shtresë kajmaku përsipër, një shkop përfundi, dhe ta këtillojnë akullore. Akullore që mund të ngjërohet, që mund të lëpihet, përveçmërisht po t’ i hidhet brenda një lugë e vogël me reçel aromatizues kritike. Artistë të këtij lloji kanë nevojë për ullukë të gatshëm ku të kanalizohet e rrjedhë krijimtaria e tyre. Bëhet fjalë vetëm për ullukë çatish, dhe jo të tjerë, përderisa hëpërhë kemi etikën e lartë që dhe artin e tyre ta konceptojmë një shi të prajtë metaforik. Gjer dje këta ullukë ua ndërtonte partia-shtet. Ua ndërtonte, ua nasqeriste me sevda të madhe dhe ata derdhnin brenda tyre rrëketë e vargjeve, gurgulenë e këngëve. Kurse ata vetë s’ ishin gjë tjetër veçse turtuj të bardhë agimi që turreshin ngastrave pjellore të socializmit me një qëllim të vetëm: të shfarrosnin nga grunajat farat e melit kokërrzi të “izmave”, që të rriteshin të shëndetshme lulëkuqet namuzqare të partisë. Po tani si t’ ia bëjnë ata të gjorë që s’ kanë as parti, e as ullukë? E kini parë vetë: sajojnë ca dordolecë, të cilëve, pasi iu vënë mustaqe nën hundë, pasi i kamarosin me kostume e krevata prej leckash, i vënë në krye të ngastrave të tyre artistike dhe i quajnë shefa, kryetarë, një zot e di çfarë... Nuk janë vetëm asish që dalin nga vërat e guxhuvërat e të djeshmes diktatoriale, por edhe nga ata që gjërohen si flutura poshtë diellit rrezeshumë të “demokracisë”, me shpinën e zdrukthtuar e rashinuar aq taze, sa laskrat e luspat e vjetra shëmbëllejnë fringo të reja; por ka dhe që shfaqen ogursëzë, veshur me frakun e zi të vetë zotit brumbull, dhe ndihen të lumtur tek punojnë me estetikën e tij sqimatare. Ky model më së shumti ka pamjen e fakirfukarait dhe jeton poshtë çadrës së proverbit francez “varfëria e poetëve është pasuri kombëtare”, çadër që, ç’ është e vërteta, i është zbërdhylur bezja dhe fut ujë. Mes tyre mund të gjesh ashikun plak të letërsisë që e ngjyen penën në një kolonjë kutërbuese erotike dhe që organin riprodhues të femrës e ngatërron me kallamarin (Hrabal) ku ngjyhet pena. Ky lloj arketipi e kthen penën në lloj bishti flamuri, në majën e së cilës ka varur si flamur një palë breçkëza femërore të qëndisura me ovale e ovula lulesh, me një stil të ëmbël barok, stil që, ajme, bën hajër vetëm për rrobaqepësit, por jo për shkrimtarin. Një tip tjetër shkrimtari është ai, gjynahqari me kollare e kostum i politikës, që urina e shefit, derdhur në një shishe laboratorike për analiza, i duket bojë e mrekullueshme fine për të shkruar tregimet e poezitë e veta. Këtij ditëziu me mandat, i lexohet në ballë mandata: ta përdorë letërsinë si një preteks, si një urth të gjelbër kacavjerrës për t’ u ngjitur në majë të kështjellës së pushtetit. Dhe, në mos qoftë kështu, aëhere është një lloj sharmasheku i hedhur shkujdesur mbi muret e oborrit të brendshëm të politikës për të maskuar intrigat, banalitetet, e kacafytjen e gjelave brenda avllisë së saj. Dhe është me të vërtetë për të qarë hallin, sepse në këtë kohë me ingranazhe diferencuese marramëndëse, vetëm mokrat e trurit të tij vazhdojnë të kenë boshte aksesh të ckuriasura. Shkrimtarët tanë provincialë e kanë kokën si një lloj plevice, të citosur plot me kallëza mendimesh të qëmtuara aty-këtu, nëpër fushat grurëflorinjta të reales. Dhe gërdoqin sytë e tromaksur sikur po shohin ndonjë fantazmë, po t’ iu thuash, p.sh, se personazhet lipset të jenë jorealë. Sigurisht jorealë, përderisa duhet të jetojnë përjetësisht. Kësisoj, më së pari, shkrimtari duhet të futë duart brenda ropullive të veprës dhe ta zbrazë trupin e saj prej shpretkës, zemrës, mushkërive. Pastaj duhet të fillojë balsamosja. Një persnazh i gjallë është një qënie që e kutërbon krijimin. Dhe, nëse vazhdon gallatën, i huton fare po t’ iu thuash se vepra letrare nuk krijohet me mishin dhe puplat e fabulës, a ngjarjes, por nga Asgjëja, pluhuri, duke i fryrë në buzët e murrëtyera shkrimtari. Kësodore na vjen për hosh të ndërmëndim se akti më i madh krijues, akti hyjnor i krijimit të njeriut, është ujdisur përmes Pluhurit, asgjësë, përmes frymës së Zotit. Nejse, se kjo është një tjetër mesele dhe ne as që duam të jemi kategorikë. I shoh nëpër kafene, a konferenca, tek bisedojnë me patos dhe më vjen ndër mënd orvatja tragjike e thneglës për të branisur një kërcu lisi. Të marrë, o të marrë, them me vete!, ka vende ku çmenduria është normale, siç ka dhe vende ku normaliteti është një çmenduri. Kismeti i letërsisë shqipe është parathënë të jetë ters prej vetë kufinjve tanë gjuhësorë. Jemi lëngatërisht mbrapa proceseve letrare të letërsisë botërore dhe gjëja e parë që duhet bërë është të nxirret metri e të matet kjo largësi, medemek të pranohet ajo si e tillë. Pastaj duhet të fillojë puna me përkthimet, a qoftë me me projekt tjetër: p.sh, të mësohet qysh në shkolla si gjuhë nënë anglishtja. Vetëm kështu mund të shpëtohet ajo çka krijohet. Klithmat patetike nacionaliste, në këtë rast, do të ishin të tepërta e banale. Po s’ u bë kjo do të vazhdojë të na vijë nëpër këmbë ai shkrimtari gjysëm romantik e gjysëm humbameno, medemek karikatura e bërë helaq e Serembes dhe e Eseninit. Pra lypset të punohet. Po a punohet në Shqipëri, ku gjërat dhe fenomenet nuk vdesin, por kalben? Kalben duke ushqyer me pleh vetë truallin që i ka lindur. Vdekja është shenja e mbrame e jetës, kalbja shenja e mbrame e vegjetimit. E këtu, mor vëlla, gjithçka vegjeton e kalbet vetiu: bari në fusha, veteranët në mbledhje, të rinjtë në kafene, prostitutat (me gjithë frutin e tyre) në TV. Zoti e bëftë për mirë këtë punë! Tani e në jetë të jetëve! Amin!...
|
||
| Lajmetari...gazeta nr. 151-2. gusht 2006 |
||