Editorial nga Balil Gjini
Kur milot nxjerrin millet

E kam parë Milon në TV për meselenë e Janullës: rrinte gjithë brengë mbi bregun e psherëtimave të veta, me duart e pikëlluara mbi gjoks, me kokën e vaisur mënjanë si një zog që e ka zënë dëbora gafil mu mbi parvaz të dritares. Fliste pak, psherëtinte shumë, cok si një prift që të vetmin hareret ka mëkatet e grigjës së vet. “Nuk di ç’ të them, thoshte, nuk di…. Ja shikojeni vetë!...” dhe me gisht tregonte arenën, në mesin e të cilës kishte fringëllitur trupin e ngjarjes të llangosur më së shumti me boja të kuqe.
Dhe arena (anipse skena e saj mund të jenë ndërtuar me qereste të rreme) është me të vërtetë e dhimshme: një nënë, i biri, dashuria e parë, Romeo e Zhulieta, qirinjtë, dhe, në vend të gotës së helmit, internimi. Duket se Shekspiri na ka shndrruar të gjithëve në sfungjerë që kemi thithur nga dramat e tij mallëngjimet, klithmat, lotët, për t’ u shtrydhur sa herë ta lypë puna, në rastet e ngjashme. Përnjimend duket se emocionet vijnë bash prej tij, e jo nga realiteti të cilin s’ e njohim plotësisht, ose e njohim të deformuar,të tillë si mund ta japin lupat konkave a kovekse të mediave . E gjitha kjo bëhet më sugjestionuese kur ndërmend se emri Janulla s’ është gjë tjetër veçse një cohë e stoftë që po të shtrihet me hekur të nxehtë amvisash mund të mbërrijë gjer tek emri Janullatos, me bëmat dhe hyneret e të cilit ishin mbushur kohë më parë kronikat televizive dhe gazetat. E pra, pavarësisht të gjitha këtyre, edhe sikur ngjarja të jetë e vërtetë, ajo është e denjë për telenovelat e mbasdites, kur shtëpiaket, së bashku me kafetë, gjerbin cazë intriga, xhelozi, e më the të thashë.
Por s’ mund ta harroj Milon në TV, tek shtirrej paksa i lodhur prej peshës së rëndë të së vërtetës, por që asesi s’ mund ta fshihte një buzëqeshje të lumtur që i lëvrinte mbi buzë. Duhet të jetë po ai model buzëqeshjeje i blektorëve athinas tek shihnin Zeusin të zbriste nga qielli në formë shiu e të zdërhallej me shtëpiaket e rëndomta, po ai model buzëqeshjeje i bujqëve vezuvianë tek mendonin se llava e vullkanit do të kthehej në hi, e cila, tevona, do t’ iu plehëronte të lashtat, pra, shkurt ajo buzëqeshje kur vdekëtari t rëndomtë shikon se edhe zotat kanë ca vese sit ë tijat . Zot, klithma e tifozerisë pro e kundra është aq e madhe sa ajo s’ mund të ftillojë veç faktin e të qënit kasaba, por edhe atë që ne kemi bërë kinse se nuk i kemi parë shumë fenomene që na takonin açik.
Tashmë të kthehemi tek pjata dhe të ngulim pirunin tek mishi i freskët i saj, i cili, helbete, na u server në tavolinë mu në kohën kur Kadare shtroi problemin e krimeve të komunizmit. Po, vërtet, si kështu, xhanëm, ëëë?!...Janulla gjallë ka qenë si në vitin 91, 92…2006. Janulla jetëgjatë do të jetë edhe në 2007, 2008 e me radhë. Pse s’ e tha të vërtetën kur duhej Paskali, ky historian me “abject”-ivitet? Pra këtu s’ bëhet fjalë për fatin e një djali dhe të një vajze, por për gjetje kleçkash e yçklash në jetën e akcilit që e vret lart, për shëmbje altarësh e ikonash dhe dalja tek tabani zanafillor: balta e ëmbël prej së cilës na kanë mbrujtur dhe na bën të ndjehemi të barabartë, bash pra tek kjo “e vërtetë” e rrejshme.
Duhet ta pranojmë hapur: kazani që gatoi çorbën rrepakuqe të komunizmit jo vetëm që s’ është flakur në humnerë, por gëlon e zien akoma; nuk është kuptuar se në vitin 90 fituan nacionalistët, ata që kërkonin kapitalizmin, ndaj komunistëve që mëtuan socializmin. Por vini re: humbësit kapardisen e sillen si fitimtarë, ndërkohë që fituesit s’ dinë ç’ të bëjnë me dafinat që po iu vyshken në dorë. Të gjithë filozofët, shkrimtarët, historucët e komunizmit, vazhdojnë të nderohen me të njëjtin adhurim e idolaltri, kurse, atyre, mehdi frashërve, abaz ermenjëve, mezi iu lirohet vëndi në sofër, vazhdohen të shikohen vëngër, si të jenë gjynahqarë që iu kanë zënë derën. Ministri i kulturës flet në 70 vjetorin e bibliotekës së Vlorës, dhe anash i rri busti i Shefqet Musarajt, “Epopeja… “ e të cilit ka qenë më e dëmshme se burgu i Spaçit dhe i Burrelit. Nëpër dasma e ziafete rruazat e vargut të këngës shkojnë birinxhi me rruazat e rakisë tradicionale: Enver Hoxha hane, hane,/ Nise luftënë me krale... Milot fryjnë bulçinjtë dhe i fryjnë zjarrit komunist. Është një tmerr ta mendosh: ka fituar demokracia në këtë vend, apo jo?
Duket sheshazi se shoqëria s’ e ka bërë lavazhon e toksikimit prej helmimit dhe të dy gishtat që duhet t’ i futë në fyt për të vjellë, i përdor me hare të madhe për tjetër punë. Duke folur në emër të lirisë, të të drejtave, barazisë, është goditur demokracia mu në ashtin e saj. T’ i lëmë dënglat e modën: populli s’ e ka shijën e lartë të bëjë dallimin. E si mund të trajtohen njëlloj si byroisti, si i burgosuri? Vallë, a nuk thotë Hobbes-i se njerzit më mirë të poshtërohen të gjithë njëlloj, se sa të respektohen në mënyrë të barabartë?... Veçimin e luftën kundër komunizmit duhet ta bëjë elita dhe organizmat e shtetit.
Kadareja ka qenë nga të fillimtët që ka kërkuar pastrimin moral të shoqërisë. Por, ja, del Paskali dhe një njeri tjetër me uniformë gri,( një polic i rregjimit të Hoxhës), që marrin lopatën në dorë, gërmojnë zallishten dhe ndryshojnë rrjedhën e ngjarjes: Renato, Janulla... (keqardhje të madhe për jetën e tyre të trishtë, që bash rregjimi i Dullës ua ka tjetërsuar) Por Miloja thotë se është i persekutuar, se është historian dhe s’ harron të shtojë atë fjalën tjetër ”abject”-iv. Historian zeza! Lere atë punë, për kokën tënde , o Milo! Me atë gjuhë, ku flitet vazhdimisht për rrëketë e gjakut të derdhur në Çermenikë e në Mokër, e që të sjellin ndër mënd romanin e një autori të ri, ku një vajzë përdhunohet mbi hartën e Shqipërisë dhe rrëketë e gjakut çurkojnë bash prej këtyre vendeve! Është një gjuhë që të këllet të keqtë me stilin e saj të koçantë, steriotip, tëpkë administrativ. Një gjuhë që...(Zot kursema më tej neverinë). Por ka edhe më keq: është një histori e rreme, me beteja të rreme, me dëshmorë të rremë, me mermerë të rremë ... Njëmijë herë më mirë të kesh qenë komunist, se sa të jesh i persekutuar i kësifarshëm.
Ka një anologji shëmbëllimesh e pasqyrimesh në të gjithë këtë tollovi.Thamë në fillim se mund të jetë Romeo e Zhulieta që ka tallazitur gjithë botën emocionale të lexuesve, ashtu siç mund të jenë kronikat e Janullatosit që, për analogji, i kanë çuar mediat tek Janulla. Kësaj analogjie s’ mund t’ i shpëtojë as artikullshkruesi, i cili e shikon Milon Pas kalit... Pas kujt kali, pyesni ju? Sigurisht jo kalit të Trojës, por kalit të enverizmit...

Balil Gjini

 

Lajmetari...gazeta nr. 159 Tetor 2006