Editorial nga Balil Gjini
Shushunjat
dhe hermafroditizmi politik
-Para syve tanë nga sabahu i bruztë e gjer në akshamin e thellë, na vërtiten ca fjalë me flatra fluturash, që janë të lehta, pendë të lehta si balerina, krahëpërpëlitëse, me një push dhëmbshurak përmbi krahë, fjalë si integrim, europianizim, që dalin nga ekranet mjegullakaltër të TV-ve, nga shpellët e errëta të gojëve të politikanëve, apo makar qoftë edhe nga shkretëtira e gazeptë e gazetave. Herë të tjera këto fjalë shkërbejnë pamje, bëhen pasqyra të lëmuara e vizlluese, na marrin mëndjen e na pataksin, ne vemë duart tek sytë për të mos u verbuar prej dritës së tyre lëbyrëse, por që medet, ah, medet, s’ mundim (a s’ duam) të shohim se ato janë veç reflektime ujrash që vijnë prej kënetës sonë kolektive, të krijuar çikë e nga një çikë me mllefin, inatin dhe provincializmin tonë heroik. Është një kënetë e ëmbël, molisëse, sëmundjedashëse.
Pema mitike e akcilit prej nesh është lisi, kurse lisa të kënetës sonë janë kallamat palcëbosh e tyryfylë, që mund të priten , të bëhen xamare, longarë, e pipëza, të cilëve iu fryjnë për shtatë palë qejfe deputetët tanë në seancat parlamentare, në ato seanca që fillojnë me harenë e një vodevili dhe mbarojnë me grushte e rrëkeza gjaku, për ta bërë më të kuqe këmishën e Qemalit, d.m.th vetë vetë teserat e partisë të kullandrisura me bezen e saj .
Gjallesa mitike e moçaleve dhe kënetave është shushunja, ajo qënie e ngathët e përtace, e flligësht dhe pështirë, që s’ ka as palcë kurrizore, as unaza vertebrore, por që ka vetitë babëzitëse t’ i ngulë ventuzat e saj bash mu tek vena e gjakut, të thithë aty sa të bëhet tagar e karbuci, dhe plasë prej ëndjes. Zoti më ndjeftë, por shumë prej politikanëve tanë ia kanë imituar sindozot këtë cilësi, dhe i kanë ngulur buzët e tyre mu mbi venat e kaltra të ekonomisë së lëmekur shqiptare.
Por shushunjat janë hermafrodite, medemek deledashe, fjalë kjo që saora zgjon nga kujtesa femininë time, atë fëmini të sakatët, në sokakët e të cilës kalonte një vajzë dërdëngë e gallagane, që, teksa na hidhte një sy të vëngërt e të shpejtë tek vendi ku ne luanim dhe hanim mana të kuq, njëri nga shokët më qaset dhe më thotë se ajo është deledashe. Deledashe?!, e kupton, më ftillon, domethënë dhe “kështu” edhe “ashtu” dhe bënte ca gjeste të turpshme e zgërdhihej së qeshuri. E unë pastaj me sytë e gërdoqur, me fantazinë naïve, që përfyronte brenda çerdhes së dorës së saj të dy organet gjinore, që qeshnin, argaliseshin dhe luanin me njëri-tjetrin… e plot e plot molloisje të tjera.
Tek silloisem për të më kujtohen ca deputetë të Diktaturës të bërë demokratë nga halli e zorbelaja, ca gjinushër nën gënjeshtra e gjineshtra, e ca ruçër harbutër e makutër. Gjithnjë kam pandehur se për t’u tjetërsuar duhet të kapërcesh medoemos ylberin, atë simbol të marrëveshjes së Hyjit me Abrahamin, por ka edhe gjallasa të dala nga udha e Zotit, si vetë shushunjat, apo ca politikanë, të cilët, për t’ u tjetërsuar në ata që janë, s’ iu desh të kapërcenin harkun e ylberit, por harqet e ylberta të urave mediokre të Lanës. Njëri sosh është vetë Xhuveli, që i ka ngulur ventuzat mbi sfungjerin e karriges së ministrit, dhe s’ tundet për qamet të zi nga istikami, kurse tjetri ka një llagap që të ndërmend menynë e sabahut, paçen e kokës, një që nga i kandiduar i PS-së, bën një rrëshqitje shushunjore dhe kalon me LZHK-në.
Këneta jonë e përbashkët është e qetë, e paqtë, e dystë, pa pretendime të mëdha e klas aristokratik; është banale, popullore, sua evgjitësh, që iu hap rrugën me temenara ngjashmarakëve të saj shushunjarë. Por provoni të trazoni pak ujrat e saj dhe do të lebetiteni: një kor i pashembullt gjallesash të tjetërfarta kuatin, cijatin, vikatin. Rasti më i freskët (nga poret e lëkurës së tij del ende avull i ngrohtë) është me Kadarenë. Ti!?... Ne… Si!?... Qysh!?… sepse gjallesat e kënetës duan atë barazi parazitare që e bën të tillë elementi në të cilin gjallojnë: lluca. Ato s’ e durojmë dot veçimin, të allasojtin, dhe ardhangen nga fryma e ngrohtë e vathës së kopesë. Në grykë iu ka ngecur fraza standart e viteve të para të komunizmit: “Poshtë kolltuku! Lart rrogozi…”
Shu-shu-një… shu-shu-një… E ndjeni apo jo?! Ka një rrëshqitje të gjarpërit përmbi gjethet e kallamishtes. Është një mërmërimë e përsëritur në mënyrë misterioze e okulte që çfryn nga vetë zgafellat dhe të çarat e Ferrit… zaten thonë se vetë ajo është lafsha e prerë e djallit gjatë synetllëkut, që është fringëllitur prej qiejve përmbi ujra. Shumë nga politikanët tanë e kanë bërë paktin me ferrin e diktaturës dhe erërat vronepsëse që fryjnë prej andej iu duken fllade pranvere.
Ka shushunjarritës e shushunjahedhës që i kaplojnë përqethje e mornica erotike tek mendojnë gjasën e mundëshme se mbase sot, e në mos sot, ku da dish, mbase nesër, do të gjendet akcila femër e kësaj bote jallane që do t’ iu kërkojë t’ ua hedhin shushunjat mu në ca vende të fshehta e të errëta, bash aty ku rrallë hyn drita e diellit.. E njëjta histeri erotike i kaplon disa nga deputetët tanë teksa përmendin en(ferr)izmin: mbulohen nga djersë të ftohta, gati-gati iu bie zali, dhe ajo kama e diktaturës së proletariatit, iu shndërrohen në një mjet argëtues pornografik, të blerë badiava në një nga seks-shopet e botës demokratike.
Rreth shtatëqind rasate e lloje të ndryshme shushunjash vegjetojnë e lëvrijnë në të gjitha moçalet e kënetat e globit. Kurse në këtë kënetën tonë politike jetojnë ku e ku më pak. Por shushunjat e politikës sonë e zevëndësojnë sasinë me cilësi. Sepse nëse shushunjat (që hallall iu qoftë) janë më sqimitare dhe pinë gjak të freskët qeniesh të gjalla, deputetët s’e kanë këtë klas e etikë vampirësh dhe për këtë mjafton të ndërmendim atë ish-deputeten që piu gjak të vdekurish.
Gjallesa parazitare, që jetojnë përmes gjakut të vënë me djersë të tjetrit, shushunjat venë e ngulin vezët poshtë gjetheve a luleve të kaltërta të zambakëve të kënetës, që allahile, janë përnjimend të bukur e ngashënjyes. Ne e dimë se shumë prej politikanëve tanë, bash si amvisat që marrin hua një dorë miell tek gjitonia, edhe ata marrin një grusht me epitete nga thesi i një fushe tjetër leksikore, dhe, me një patetikë letrare fëminore, e kundrojnë oborrin e periudhës demokratike si një parcelë me lule polenshumë. Por poshtë petaleve të këtyre luleve janë vezët pikaloshe të byroistëve, nga pritet të dalin ca Xhufër e Bubër kaçurrelë, dhe qënie të tilla që rrinë pas demokracisë siç rri miza Pas kalit.
Gjallesa pa kokë e pa tru, me dy zemra e një bark të mynxyrshëm, shushunjat ndihen bajagi mirë vetëm brenda moçalit, a kavanozit ku janë vendosur, brenda tij ata lëvrijnë me një elasticitet e fleksibilitet të habitshëm. Mu si deputetët tanë që atdheun na e kanë katandisur si një kavanoz qelqi, tashmë të izoluar e të mbyllur ndaj botës, vetëm me xhame trasparentë. Jashtë këtyre xhamave ata janë hiçkushër, apo qënie që vijnë nga Lindja dhe bien erë shushunjash të qelbura moçali. Por ka një ndryshim: shushunjat e njëmendëta vërtet thithin gjak, por brenda venave lëshojnë pështymën e tyre, e cila çosa here është shëruese, kurse pështyma e ca politikanëve është një lloj ballgami që duhet ta fshijmë nga fytyrat tona me mëngë prej mëngjesit të bruztë dhe gjer në akshamin e thellë…

Lajmetari...gazeta nr. 159 Tetor 2006