| Editorial nga Balil Gjini | ||
| Argatë me mëditje të së keqes | ![]() |
|
| -Tashmë që partia
socialiste e ka humbur pushtetin, mbi muret e rrënuar të lavdisë
së saj, nëpër plasa dhe mazgalla, mund të kundrohen
fare qashtër ca cfruktha të verdhë, a të zinj, që
zvarriten hatashëm mbi gëlqeren e bardhë, me bishtin e helikoptertë
të ngritur havadan, të gatshëm që, ashtu siç
e do rituali, në s’ arrifshin dot të pickojnë atë
që e kanë bërë nijet, atëhere defosun qoftë,…t’
i japin fund kësaj pune duke pickuar vetveten. Vallë, ku kanë
qënë gjer pak më parë dhe cila ishte ajo rytbe që
i bëri të krejnë kokën tani? E ku tjetër veçse
në skutat e qosheve të pushtetit, mes llomijeve e zgjyrës
së tij. Arketipi më i akreptë është i citosur skaj
më skaj me arrogancë, vetëndjerje dhe erëza dafinash. Ka pesëmbëdhjetë vjet që ndonjeri syresh branis pas vetes hijen e kufomës së dashurisë së fillimtë për P.D , hije që kutërbon e vroneps dynjanë, kurse atij vetë i është bërë shemra e zezë, vurkollaku që ngrihet dhe i bërbëlit tek veshi mërmirima sharrjesh, mërish, inatesh. I gjithë realiteti i tanishëm i duket i ngrirë, i pandryshuar, i ndërtuar si me një lloj pelteje marrë hua në vitin 97, a thua vetë ai ka pirë ujë prej shtëmbës me ujë vdekjeve të përrallës së famshme. Foljet e shkrimeve të tyre të mërzitshme (në paç ngenë e durimin t’ iu prekësh fundin) nuk janë ato sanitaret me përparëse të bardha që shërbejnë të përunjura në korrideroret e mënyrës dëftore, a kushtore. Jo… ato shtrijnë hapin ushtarak në urdhëroren e fortë dhe pika e çuditjes, e ngulur në tokën plehmajme të ligjërimit, shkërben më së miri skeptrin e mbretit. Edhe kur përdorin ndonjë nga ato foljet lëkuramëndafsha si “demokratizoj”, ne e shohim ashiqare se si kjo fjalë vesh rrobat e zborit, rrëshqet në baltë, ngrihet prapë në këmbë dhe, pasi rrëkellën nja dy gllënjka prej pagurit partizan, niset sërishmi e djersitur për udhë… për udhë, të luftojë bajlozin e zi që na pllakosur tek dera dhe që, haje o ujk, ka vetëm një emër: Sali Berisha. Kockat e lëbardhura të shkrimeve të mëparshme, tashmë pa palcë e yndyrë, argatët e të keqes i marrin dhe i hedhin rishtazi të kazan për të gatuar të nesërmen të njëjtin çorbë të pangjërueshme. Kështu sot, mot... pesëmbëdhjetë vjet me radhë. Është një çorbë e zbarët ushtarësh që ta shpif e të ndjell nakati. Thuhet se i gjithë zhgani i tyre ka një teknikë djallëzore. Në të vërtetë ata t’ i marrin të keqen djallit, sepse ai ka ku e ku më tepër klas e sqimë estetike në mbrujtjen e të keqes, kurse ata janë të drejtpërdrejtë e banalë. Teknika e tyre artizane mëton që çdo gjë e sotme të futet në gypin e lentes së aparatit të projeksionit dhe të hidhet e të shfaqet si një film bardhë e zi në muret e vitit 1997, i zmadhuar dhe i tjetërsuar, në një shkallë 1 :1000. Kësisoj nëse ngjarja e sotme është një larvë fluture e mbështjellë në fshikëz, në aparatin e tyre del një elefant putragjerë, feçkëmynxyrrës, e peshëllahtarshëm. Boja e shkrimeve të tyre është sajuar nga bloza e djegjieve dhe shkrumbit të 97 dhe prej majës së saj pikojnë ca fjalë me flatra të zeza, si: burg, diktaturë, tiran, Hamas… Skeletet halore të këtyre fjalëve, të zhveshura nga të luspat vizlluese metaforike, janë veshur me lecka, iu janë vendosur kongjij poshtë buzëve, dhe, pastaj janë vendosur si dordolecë sorrash mes kashtës mërzishumë të paragrafëve të shkrimeve. Sigurisht. Sepse paragrafet e tyre s’ janë gjë tjetër veçse dëngje me kashtë dhe rrallë mund të kesh rastin fatlum të gjesh mes tyre ndonjë kallëz gruri. Kjo për arsyen foshnjore se ata i përfytyrojnë njerëzit me një kope demash të tredhur parmënde. Kur themi njerzit kemi parasysh kallaballëkun votues, pra atë thnegëli veteranësh socialistë që mërzejnë të lumtur poshtë hijes së listë të fjalës “shok”, apo hijes së panjtë të fjalës “shoqe”. Por për ta këto fjalë janë fetat e bukës së lyer me gjalp të zi që iu vijnë rrotull, i çupi-tin me majën e lapsit, iu marrin erë dhe i shijojnë me ëndje me majën e gjuhës. Por nëse argatët me mëditje të së keqes shohin vetëm gabimet e Berishës në aparatin e tyre të zgjyrosur, ne të tjerët shohim gjëra edhe më makabre: shohim deputetë socialistë me urë zjarri në duar për të djegur bashki, hipoteka, të gjitha zyrat e shtetit; shohim njerëz të djegur, shohim vendin tonë të kthyer në yrt e kërnallë vetëm e vetëm që zhgani i tyre të vinte në pushtet në vitin 97. Dhe e dimë mirëfilli se kritikueset më të mëdhenj të demokracisë, kanë qenë më së shumti adhuruesit shijehollë të diktaturës. Të them të vërtetën shkrimet e të kësifarshme nuk m’ i streks mideja, sepse, anipse agresive, më duken si fast-foode të gatuar nxitimthi, ndaj jam orvatur t’ i kundroj çastshëm dhe t’ i harroj frymëvalë . Por s’ kam mundur ta bëj këtë gjë. S’ kam mundur sepse mbrapa më ka ndjekur si një rrufe sferike e qeshura cinike e tyre, gëzimi i mbrapshtë i Memistofelit për paktin e bërë me djallin. Jam silloisur dhe kam ftilluar me vete se vallë përse një gazetar, që lypsej të ishte profesionist, e katandis veten gjer në këtë fare derexheje sa të bëhet tellall i socialistëve e katranosës i demokratëve? Nga paranoja, naiviteti, apo që të sigurojë me dinjitetin e shitur një vend në qeverinë që mund të vijë pas disa vitesh. Apo ngase, siç thotë Aron, se ka njerëz që bëhen revolucionarë nga urrejtja për botën, nga dëshira për të shkaktuar katastrofa. Sepse vetë dhuna josh, magjeps, në vend që të zmbrapsë. Sa ishin socialistët në pushtet, ne i kemi parë gjuhëkafshuar, pa thënë asnjë fjalë për zanëçaushët, gjolekëmalajt, e gjithë sorollopin e tyre qesharak prej revolucionarësh tmerrësisht të vonuar. Nuk thonë as për deputetët e sotëm, të cilët, të paaftë të interpretojnë realitet e reja mbeten skllevër të klisheve dhe imazheve të mëparshme, duke u bërë më shumë se qesharakë. Kësisoj kruajtja e kurrizit pas shkopit të gomës së gardistëve nga ana e tyre (e ç’ mund të jetë tjetër?) bëhet vetëm që argatët me mëditje ta amplifikojnë e tjetërsojnë në aparatin e tyre të projeksionit. Por të mos keqkuptohemi: këtu s’ është fjala për të mbrojtur qeverinë nga gabimet. Absolutisht. Është fjala për zellin ndaj të keqes, vrerin helmues. Fakti që ndonjëri syresh ka punuar në gazetën e parë opozitare shqiptare tashmë mund kundrohet thjesht si një rastësi fatlume, e cila nuk arriti t’ ia ndryshonte rasatin. Thënë ndryshe: ai s’ e dinte se gjësendi që i kish zenë derën dhe ai po i binte me shkelma, ishte vetë fati i tij. Së fundmi, duhet të themi se ky vend i rraskapitur, i mërzitur dhe i vrerosur nga diktaturat dhe administratorët delenxhinj s’ ka më nevojë për cfruktha që e mbledhin vrerin e helmit çikë e nga një çikë një dreq e di se ku, por ka nevojë për pak baltë..., pak baltë ndërtimtare në sqepin e dallëndyshes... |
||
| Lajmetari...gazeta nr. 134.Prill 2006 |
||