| Editorial nga Balil Gjini | ||
| Atdheu: çmendina jonë e përbashkët | ![]() |
|
| -Në vëndin tim,
të shtrirë mbi hartë si një dorë e majtë lypsari,
ku gishti i madh rrëfen Karaburunin (simbolografi fatale që ka
përcaktuar dhe fatin e tij tragjik (!)…), mund të takosh
orë e çast gjithfarë yshtës e profetë të
rremë, medemek gjithfarë speckash të kuqe të mbushura
me ëndrra e jermi që nxjerrin avull taze, dhe që nxitojnë
t’ i zbrazin produktet me të cilat janë citosur tek tavolina
e kafenesë më të afërme, mund të takosh gjithfarë
delirantë e paranojakë që s’ i bëjnë kujt
dëm dhe, që, pavarësisht se nuk blegërijnë, e kanë
shpirtin të butë si shqerka të sheqerkta livadhi. Vend ku çdo marrëzi fsheh brenda guaskës perlën e vet, vend ku ligji shikohet si një dac i zi që ndjell ters, vend ku mund të ndeshësh në rrugë edhe njeriun që i ka plasur tëmbli mbi libra e defterë, por edhe atë, Tjetrin, i cili i ka përdorur viaskat e kallashnikovit si shkallë të brendshme, (qoftë edhe si ashensorë po deshët), për t’ u ngjitur kat e nga një kat në odatë e sipërme të godinës së pushtetit. Sigurisht, përderisa barku i pushkës, foleja e fishekëve, ka qenë mitra jonë e përbashkët nga e cila jemi fringëllitur fët e fët njeri pas tjetrit si një krehër fishekësh, gjest të cilin e kemi përjetësuar edhe me këngë: shqiptarin s’ e ka lindur lokja prej barkut/, por huta prej çarkut… Parrulla e partisë: “në kapitalizëm njeriu për njeriun është ujk”, e destinuar të gëlltitej gjatë çdo vahti buke së bashku me pjatën e groshëve dhe kokrrën e qepës, tashmë po vërehet se paska patur një veprim fatal: mishi i bashkëtingëlloreve të kësaj fraze të gjatë paska qënë më i keq se plasja (antraksi, medemek) dhe, anipse nga jashtë dukej i kuq (gojëliqtë thonë nga ndyshku që ndodhej midis kokalleve ), në të vërtetë ishte i zi ckorrë dhe kishte një veprim toksikues të mëvonshëm (bash si ato helmet me të cilat armiqtë donin të helmonin shokun Enver). Ky veprim duket tek mjekët, nëpunësit, sekserët e ambasadave dhe të universiteteve, si dhe një urdi e tërë njerëzish të tjerë, civilë, ushtarakë, e të nakatosur së bashku, të cilët, pasi e flakën si dobiçin në ferrë kufomën jetime të njerzillëkut, vendosën mbi fytyra maskat e indiferencës, shpërfilljes, zgërdheshjes. Dhe herëdokur, kur hëna është e plotë dhe fantazmat flenë, akcili prej nesh mund të shikojë shumë syresh se si ngrenë noçkën drejt qiellit, si lëshojnë një angullimë pikëlluese, dhe se si, ashtu si në filmin e Jack Nickelsonit, trupi iu mbushet me qime të zeza bishe. Dhe fillon sabati i shtrigave: doktorët nxjerrin hanxharët në sallat e operacioneve, nëpunësit ckërrmitin dhëmbët duke kërkuar gjak të ëmbël e të freskët jo kund tjetër, por mu në fytin e lëmuar të qengjit gjelbërosh të monedhës . Të ngjashmit e mi s’ janë qënie të përunjura si çdo rob zoti, por, përkundrazi, janë ose fidanë vertikalë, ose rrënjë boshtore egoizmi që kërkojnë medoemos tabanin zanafillor, qoftë poshtë në errësirat e thella të Tartarit (siç e parashikon Hobbes-i skëterrën, të pafundme), qoftë, lart, në qiejt e Amshimit, ku ka fronin Zoti. Zoti?!... Zot jemi vetë, ndaj Zotin e madh e shikojmë me një “z” të vockël mjerane, zaten edhe atë qelepir e ka, se po të duam ia heqim fare, ose i vendosim përpara një “sh” që të patakset, pra një “z” piçiruke si tek fjala zog, zgjebe, zokopurë, zabërhan. Fërkoni sytë dhe shihni fjalorët, botimet e kostallarëve & kompani. Në këta vite tranzicioni trupi i shoqërisë u moleps me vemje e flutura dhe ata që e kanë për hise të kujdesen për të, pushtetarë e politikanë, as janë kthyer asaj ana, teksa dihet, mor aman biramam, se kjo shoqëri dhe dele po të ishte do të gjendej një laraskë që të ulej mbi kurrizin e saj dhe ta pastronte nga vemjet, kurse po të ishte dru, medoemos do t’ i vinte një qukapik vullnetar me vegla saniteti për të trokitur mbi lëvoret e trungjet të saj të krimbura. Në këtë baltë e gjanë morale ata që ndihen mirë janë hipopotamët e politikës, të cilët shullëhen sindozot në brigjet e mirëqënies, pa ua bëri syri tërr nga hallet e garametet e njerëzve, duke e përdorur noçkën e gjerë si skrep për të nuhuritur ndonjë koritë me krunde, kurse kurrizin e mashallashëm si samar për të hipur mbi të shefi, madje brengosen e i kanë zili devetë që s’ kanë një, por dy samarë. Është e tepërt të themi që në këtë kohë errësire krahasimi më i lehtë që të faneps për ta në tru është që mëndja e tyre nuk vlen as sa një bythë e denjë xixëllonje. Modeli? Ish-drejtori i KESH-it, fytyra e të cilit është i vetmi send llamburitës në këto netë terri. Cporthe të parëndësishëm brenda rropullive të ngrohta të shoqërisë, ata i merr partia në dorë dhe, pasi iu heq bajgat me të cilat janë mbushur, i vë tek buzët dhe iu fryn, duke iu dhënë formën e pacipë të disa balonave të stërgjatura, formë e cila do të bënte me turp çdo grua namuzqare të kasabave tona orientale. Pasi kanë lindur përmes këtij gjesti, ata bëhen fare flamë, fillojnë të shfaqen në vitrina TV-ësh, duke gurgulluar nga buzët përrenj ligjërimorë, brenda të cilave gjen gjithfarë çokallash e poplash, por kurrfarë gjëje të vlertë, makar qoftë dhe një cung të thatë për këtë dimër të ftohtë. Atdheun që na i kanë caktuar të tjerët me gisht (“ky është kismeti yt, qen, bir qeni!”) është i mbushur plot bestytni, magji dhe rituale, një klimë e mrekullueshme kjo për të ushqyer paranojat. Sa për engledisje, p.sh. po përmendim se në katundet tona, fshatari, pasi zhvesh penevrekët e bardhë dhe i bën një gjest me të prapmet e duarve gruas, gjest që ka kuptimin: ”Gremisu!... Tutje, moj, lanete!”, ulet cullak mbi tokën e punuar, duke i përdorur të ndënjurat si termometër për të matur zjarrminë e afshit dhe të dalldisë pllenuese të tokës Kësisoj, Frojdi, duke ftilluar tabutë primitive, shpjegon se në disa zona në Java, në kohën e pjekurisë së orizit, burri dhe gruaja vizitojnë netëve fushat e tyre dhe realizojnë kontakte seksuale, me qëllim që me shembullin e tyre të inkurajojnë pjellorinë e tokës. Por s’janë për t’ u zilepsur as qytetet tona: ja, p.sh, mu në urat e Lanës (s’ e mos vetëm tek to), zbresin burra me dyzet derhemë dinjitet, karfosur me kollare e papijonë dhe, mes fërgëllimave të kënaqësive që rrallë shijohen, zbrazin atë lëngun e valë, nën harkun triumfues të të cilit mund të shikosh të përunjura të gjitha ikonat e civilizimit të kryeqytetit tonë: universitetin, piramidën dhe,… Zot shyqyr(!), largoje të ligën dhe së paku shpëto nga kjo katastrofë kryeministrinë. Atdheu im pas 97 (ky vit është odaja me arkivolin e kuq në mes) me tarbietit e xanxat e tij të mbrapshta, iu dha munxët të gjitha atyre gjërave të vogla e të pambrojtura. U shkatërruan azile , qendra rehabilitimi, spitalë psikikë etj, dhe ashtu si tek tregimi i Çehovit, “Salla nr.6”, e ka kthyer vetveten në një pavion të madh çmendine, ku aromat më të sojme duhej të ishin ato të valiumit dhe të amitriptilinës. Kam parë një të çmendur që, pasi shkruante me gisht në hava hioroglife arabe, a një zot e di ç’ gjë tjetër, ulej pastaj dhe mbushte gropat e hapura për pemë, sepse druhej mos rrëzohej kush natën. Gjest që gjer më tash se kam vënë re tek asnjë njeri normal, për të mos thënë se këta të fundit hapin gropa vetëm kur duan t’ i bëjnë të keqen tjetrit. Merret me mend ç’ bëhet në këtë pavion: njerëz të zakonshëm, krejt të zakonshëm, shestojnë shkallët e epërme të lavdisë e pushtetit dhe vendosin të fluturojnë në qiejt e tyre parajsorë duke përdorur krahët prej dylli të iKarit, të ujdisura me copra deftesash e diplomash të rreme, të paguara cash në universitetit tona. Të tjerë akoma më të vegjël, cironka prroskash që kur i sheh të merr të qarët, bëjnë të gjitha përpjekjet për t’ u dukur se lënë pas vetes rrufulla rrufitëse, a thua janë balena oqeanesh. Në ëndrrat e tyre të përflurta, tek gënjeshtrat naive pa atë shtëllungë të zezë hileje nën sqetull, gjen të gjithë sinqeritetin e lakuriqtë, brutal, të egër, pa pudër e kremra kozmetikë qytetërimi. Dhe herëdokur të rrëmbushen sytë, të kaplojnë mornica patriotizmi dhe mendon (këtë here përnjimend) se është mirë edhe kështu, apo jo?! Është një marrëzi dhëmshurake dhe e sheqertë, ngase është e hapur kanatshëm e damalla fare. Dhe në s’ ia dalshin dot as kështu, atbotë nxjerrin nga milli kamën e argjendë të trimërisë, sepse ata trima s’ kanë qenë vetëm tani, por më herët, kur ishin fëmijë dhe përmbysnin djepin nga të qarët, madje qysh në zanafillë, në stridhet e etërve, ashtu kanë qenë: jo spermatozoidë në spermën e bardhë ngjitçe, por peshq halamprehtë që kanë çarë rrjetat e bardha të perzervativëve mes miliona të ngjashmëve dhe kanë ardhur me pamjen e gjergjelesalishme që kanë sot. Aferim e hallall iu qoftë! Dhe të gjithë ndihemi mirë brenda këtij statusi, duke shqyer rrobat e ngushta të çdo lloj përcaktueshmërie, por veçanërisht të brendshmet e kaltra të atij togfjalëshit:”Ç’ më duhet mua”. Dhe qysh në sabah, teksa ngrihemi duke u shtriqur, ia futim ca gogësimave dhe lusim qiellin ta bëjë më të mirë çmendinën tonë: Allah, o Jezu Krisht!...Në këtë baltë e gjanë morale ata që ndihen mirë janë hipopotamët e politikës, të cilët shullëhen sindozot në brigjet e mirëqënies, pa ua bëri syri tërr nga hallet e garametet e njerëzve, duke e përdorur noçkën e gjerë si skrep për të nuhuritur ndonjë koritë me krunde, kurse kurrizin e mashallashëm si samar për të hipur mbi të shefi, madje brengosen e i kanë zili devetë që s’ kanë një, por dy samarë. Është e tepërt të themi që në këtë kohë errësire krahasimi më i lehtë që të faneps për ta në tru është që mëndja e tyre nuk vlen as sa një bythë e denjë xixëllonje. Modeli? Ish-drejtori i KESH-it, fytyra e të cilit është i vetmi send llamburitës në këto netë terri. |
||
| Lajmetari...gazeta nr. 118. Nentor 2005 |
||