Editorial nga Balil Gjini
Kultura: llokma e taksur për kurban
-Në botën që na rrethon jetojnë gjallesa të asishme, të cilat, porsa ndihen të kërcënuara nga qënie të përbindshme, sakrifikojnë një pjesë të trupit për t’ iu shpëtuar dhëmbëve të mynxyrshëm, pjesë të cilën e kanë tumirur ta taksin kur kanë qenë mëndjekthjellta: ibisët e lashtë linin në gojët e krokodilëve ca pupla prej bishtit, po kështu bëjnë dhe pëllumbat tek ua citosin gojën me pendë gjarpërinjve, kurse zhapiku i mureve i lë bishtin në dorë gjithkujt që rreket t’ i rrezikojë ekzistencën, a të zbavitet me të. Kultura shqiptare është llokma e hises të taksur si kurban për përbindëshin gëzofbardhë të politikës.
Ajo na shpërfaqet me dy pamje të ndryshme dhe të allasojta. E para është kultura kanakare e pushtetit, servile e shpatullangrohtë; e dyta është kultura që orvatet të jetë e pavarur dhe shí prej kësaj është e braktisur, munxavënë dhe e patënzonë. Për këtë mund të shikohet fare qashtër se si lulëzojnë e ardhangen disa televizione të lidhur me politikën dhe si fiken e shugaten ca të tjerë, si u lulëkuqojnë faqet disa gazetave e periodikëve e si po lëmeken ca të tjerë. Kur themi lulëzojnë e ardhangen kemi parasysh bërjen e një dore parash prej tyre, sepse, ç’ është e vërteta, niveli artistik i tyre është për iza të Perëndisë.
Në këtë vënd provincial, të begatë për qyfyre e marifete, ku në rrugë mund të të bjerë rasti fatlum të ndeshësh Protonjeriun, ashtu të motmoçëm e arkaik, të paprekur nga kultura dhe qytetërimi, politika është kosherja e mbushur me arrëza shiritverdha e shiritzeza, të cilat gumëzhojnë e kuturisin me tallamahamë, por që për çudi hojet e tyre i kanë mbushur (sigurisht jo vetë) plot me një mjaltë vishtulloz e të qelibartë. E pra ky vend, që e ka të shënjtë ndjenjën e çanakut dhe hajes, dhe që s’ ka si mos ta dijë nga e vjen e mira, ka kohë që në mokrat e hatashme të mjerimit s’ prodhohen më vetëm shkrimtarë(!), por edhe politikanë e deputetë. Bam, çdo ditë, çdo orë, pa u prëjtur fare!. Përveçmërisht ky i fundit ka krijuar një arketip aq popullor e aq të paqibërt, sa , Zoti të ruajt po dole në rrugë, se s’ ka humbameno, teknefez, a gjytyrym që mos të të flasë për ëndrrën e tij të mbrame për t’ u bërë deputet.
Dihet mirëfilli se në sistemet totalitare ëndrra e diktatorit është ajo e ngimjes dhe veleritjes. Në çdo 19 prill, ditën e datëlindjes së Adolf Hitlerit, gati pesëqind mijë vajza 12-15 vjeçare, të zhveshura cullak, të lara e të pastruara, bënin ritualin në palestra për të hyrë në rininë fashiste. Emrat e tyre i shkruanin në lista dhe ia dorëzonin Hitlerit në sini. Ishin pjesa e kurbanit që atdheu e sakrifikonte për përbindëshin. Në sistemet tranzitore, ku forca e dhuna zëvendëson kulturën, gjërat që s’ honepsen dot janë gjërat delikate e të brishta. Bash gjatë këtyre viteve tranzicion kultura është mbërthyer nga të dy këmbët si qengji manar dhe është hedhur në strofullën ku hungërin politika. Këtë e vërteton amullia e teatrove, shtëpive të kulturës, bibliotekave, kinemave. Kërkush nuk mund të thonë ç’ bëhet me to, cilët janë shuar e cilët frymojnë ende dhe a do ketë ndonjëherë statuse, ligje, e rregullore për to. E vetmja ide që na kujtohet ishte ajo e “kthimit në identitet”, një frazë fekstitëse ajo, por që rezultoi një krimb me tri unaza moderniteti në shpinë, sepse u pa bajagi bukur që s’ ishte fjala për një identitet artistik, por për një identitet ideologjik: atë të enverizmit.
Kultura kundrohet nga politika si trualli me rërë e shqopishte, një lloj eremie e yrti, i vlefshëm vetëm për syrgjynët. Kështu e kanë parë dhe vetë ministrat e kulturës. Arta Dade e këpuste lotin sa një sumbull jeleku kur la Ministrinë e jashtme, e quante veten të dënuar, kurse M.K.R.S-në një lloj gulagu. Kurse ministri i tanishëm është shembulli më demode se si një njeri që ka në sqetull një çantë me vegla elektriçisti, befas i duhet t’ i zbrazë ato dhe ta mbushë çantën me libra e projekte kulturore, se i është mbushur kaplloqja Nanos ta bëjë ministër.
Klima e vrugut dhe mugullimit politik ka bërë që kultura të gurgucet brenda sythit, a burbuqes, pa mundur të hapet mirë ndaj vetes e botës, duke bërë të gëlojnë gjithfarë tipesh e sifetesh. Njëri prej tyre është tipi i atij që arti i shërben si preteks, si një hardhi, për t’ iu ngjitur e kacadredhur më mirë lisit të pushtetit, kurse tjetri është gjysëmshkrimtari e gjysëmpolitikani, medemek centauri përbindësh që rreket të shtirret njerëzor, duke vjedhur imazhin fisnik të një kali. Por ka edhe diçka tjetër, e cila ka të bëjë me degradimin dhe përçudnimin e vlerave: ne tashmë po shikojmë se si artistë të dikurshëm të diktaturës, të cilët kanë dhjetë-pesëmbëdhjetë që punojnë në mërgim si kuzhinierë, befas thërritin si gjenij e u jepen tituj e medalje. Sigurisht që kjo është e tepërt: arti është i pamëshirshëm dhe konkurenca e vërtetë është në Perëndim, aty ku ata, me gjithë keqadhjen, punojnë si pjatalarës. Artist o je, ose s’ je fare! Si në New York, si në Tiranë, apo në Firifistun!
Njeriu i artit dhe i kulturës, për shkak të gjëndjes së mjerueshme ekonomike, është lehtësisht i rekrutueshëm dhe i mercenarizuar. Shikoni ç’ ngjet tashmë në prag zgjedhesh në sheshet e qendrat e atyre që për rutinë vazhdojmë t’ i quajmë qytetet tona: ahengje, daulle, zurna e hoj-broj. Artistë që mbarten me makina e mikrobuzë prej Tiranës në provinca (në të vërtertë vetë Tirana është një provincë që s’ ke si ta kesh zili). Është një tallahamë që s’ i shkon fare mjerimit e karkaculjes. Dashi brirëmëdhenj i kulturës masive që bëhet kurban për këto ziafete është blerë me paratë e taksapaguesve, tymi i mishit të pjekur të tij do të ngjitet lart në Olimpin e politikës, ku rrinë zotat, kurse një pjesë tjetër do të ndahet si sadaka për fakirfukarenjtë në formën e ca llomkave gëzimi, të dhëna jo me listë, por badiava. Të kujtojnë motamo kohën e Enverit, kur tragjedia rrekej të fshihej me gëzimet fals që krijoheshin prej lëvizjeve amatore.
Është një gjëndje parake, primitive, së cilës, fatkeqësisht, i ndihin ndonjëherë dhe vetë artistët. I ndihin duke e tjetërsuar dinjitetin dhe duke i lënë një shteg hapur injorancës së kapadinjve kokëboshë e fodullëve, në xibërrimat e trurit të të cilëve mund të mbijnë gjithfarë bimë vegjetative (huthra, qepë, sallatë), por kursesi mendime e ide. Përfytyrojini me duart e futura në jelekët me qostek (qofshin dhe kostume allafrënga), tek i futin nja dy gogësima dhe në kokë u regëtin vetëm një ide: dreka e nesërme.
Është interesante të parafytyrojmë çdo të bëhet jo më me trupin e kulturës, por me pjesën e sakrifikuar, d.m.th me vetë bishtin e hardhucës. Bestytë dhe besimtarë naivë mendojnë se bishti i saj jeton mëvetësisht gjersa bëhet vetë hardhucë. E parafytyrojmë këtë hardhucë të tërhuzur e të ankthuar, ngase pareshtur i rri tek koka vegimi i dhëmbëve të përbindëshit. Imagjinoni tashmë këtë kulturë: televizione ku kulturë quhet arti i zhveshjes, motamo si në rrëfenjën e Ishtares që për të shkuar gjer në fund të Ferrit, aty ku rinte Erashkigali, i duhej të hiqte në çdo shkallë nga një rrobë prej trupit. Zonjushe të bukura, ferri ndonjëherë është Lart!
Ministra e deputetetë, për shkak të asaj rrëkeze mjalti që çurgon nga pushteti, kanë rrënjuar mu në rropullitë e kulturës shqiptare, duke e kthyer gjithçka në katandisje dhe vajmedtshmëri: një shtyp, atdheu i të cilët janë ato metra katrorë nga Parlamenti gjer tek kryeministria, e për rrjedhojë një tematikë kolektive e zbarët dhe e shkretëtirtë, e cila ta shpif e të kall të keqtë; shtëpi botuese që s’ duan t’ ia dinë fare për shitje librash, sepse të ardhurat i sigurojnë nga tenderat qeveritare dhe fondacionet; librarë që s’ ia kanë idenë për autorët dhe vlerat e librit ngaqë si rrezikon kush, sepse mungon konkurenca e vërtetë. Amulli e kaos i vërtetë në tregun e disqeve, CD-ive, mungesë thuajse e plotë e tregut për librin kosovar e maqedonas.
Pushteti mban të shtërnguar e karfosur gjithçka. Aq e vërtetë është kjo sa në një konkurs për të vënë në skenë një pjesë teatrale, ku konkuruan Shekspiri dhe një nga ata (l)ibretistët injorantë të teatrove tona, fitoi ky i dyti. Gjithë orvatjet për ta paraqitur këtë gjëndje si një grip të lehtë tranzicional janë të kota, sepse e dimë zanafilli se Parlamenti grek i Perikliut, rrumbull dy mijë vjet më parë, ishte ku e ku më demokrat se ky i yni, teksa vetë e shoqja e tij kishte një sallon letrar ku merrte pjesë edhe Sokrati me Anaksagorën. Atëhere? Atëhere, çfarë?!... Shqipëria mbetet po ajo: vëndi i dy rasate njerëzish: i hallemëdhenjve dhe i halemëdhenjve...
Balil Gjini


Lajmetari...gazeta nr.93/6/05/2005