Opinion nga Balil Gjini
Dizdari, i fundmi i polifemasve  

Para do ditësh, bash mu në qendër të Tiranës, tek godina e shkrimtarëve, ka bërë vaki diçka e rrallë e lëbyrëse, e cila na shtërngon që fjalën Lidhje ta shqiptojmë Kalidhje, kurse përfytyrimin e vendit si kërthizë ta tëhuazojmë me një organ tjetër jo kaq fisnik, por të rrumbullaktë e oval, gjithsesi. Ngjarja është kjo: Limoz Dizdari iu ka përplasur derën në surrat mëtonjësve për fron dhe ka varur në buzët e derës një çelës të pataksshëm hapsanash.
I gjithë ky veprim nuk është thjesht një gjest nervoz njerëzor dhe aq. Jo. Është një rit. Është riti i Polifemit që, përpara se të rehatohet në guvë, i duhet të mbyllë me një shkëmb hyrjen e saj, për t’ u ndier i sigurt mes gjërave që përbëjnë mirëqënien dhe lumturinë e tij (sigurisht Polifemi s’ kishte si ta dinte se pas dymijë vjetësh do të lindëte një poet që do të quhej Patrice Delbourg, i cili do të thoshte: “Dy gjëra janë përveçmërisht të padobishme në ekzistencën njerëzore: prostati dhe ideja e lumturisë”). Këtë mirëqënie Polifemit ia dha Zeusi, i cili, në shkëmbim të saj e la vetëm me një sy, sepse vetëm kështu mund ta kishte më të bindur si shërbëtor dhe e la të çkëthej me dhëntë, deshtë, lëkurët dhe kakërdhitë e tyre. Gjesti i Dizdarit për të mbyllur derën është motamo gjesti xheloz i Polifemit për vathën e vet.
Dizdari e ka kthyer Lidhjen në Pallatin e Gërr-Mërrit, ku shumëkujt s’ po iu gjejnë veshët rehat prej sherreve e gërnjës
. Po përse (me se) luftojnë, vallë? Dy janë gjërat, të cilat duhet të çiten nga njëra-tjetra: a) Lidhja b) Godina e saj.
Lidhja?!... e qaftë kalidhja. Një fantazmë e moçme sillet rreth Tiranës plakë: fantazma e Lidhjes. Asaj iu sos fryma dhe ra si zog i shapravitur mu në pragun e pluralizmit dhe është e çuditshme ta mendosh, se, ndërsa shumë prej shkrimtarëve do të bëheshin nismëtarë të pluralizmit, vetë istitucioni, duke mbajtur plagët me dorë, do të vazhdonte të branisej çalë-çalë gjer në këto ditë, i veshur me petkat e zbërdhylura të Diktaturës, me frazeoligjinë, fjalorin dhe arketipet e asaj kohe të dreqtë! Po a ka patur ndonjëherë një organizëm të shkrimtarëve? Hëmmm,... e vështirë ta thuash. Ajo çka mëtohet si e tillë s’ ka qenë tjetër, pos një levë (hekuri) në duart e P.P.Sh. Lidhja e shkrimtarëve ka qenë institucioni i filtrimit politik të letërsisë, ajo që degradoi thelbin estetik të artit përmes krijimit të shkrimtarëve të kooperativave bujqësore, ka qenë gjykatatësja dhe prokurorja e artistëve. Gjer vonë, pas viteve ’80 ajo do të dënonte Koço Kostën për novelën “Ata të dy dhe të tjerët”. Po sa janë të tjerët më parë? E dimë se shumëkush mund të na përmëndë faktorët jashtë letrarë. Miq, Në Shqipërinë e Vurkollakut, ku kontrolloheshin dhe puplat zogjve, s’ mund të bëhej fjalë për një letërsi të mëvetësishme. Kurse tani, pikërisht ata që në vend të penës kanë patur shpatën e xhahilit, pra Xhelil Xhahilët, flasin për mbrojtjen që iu kanë bërë shkrimtarëve prej rrezikut që iu vinte nga... populli (!)
Historia e Lidhjes është një histori turpi e gjaku, privilegjet dhe të mirat e së cilës i gëzonte vetëm kasta e lidhur me Komitetin Qëndror, sifetet e Anastas Kondos me shokë, të cilëve iu lexohej mediokriteti mu në lulen e ballit. Bash aty fjala kulturë kishte këtë barasvlefshmëri: kulturë = kult + urë = ura e kultit, (kuptohet, të Diktatorit). Kësisoj, e ashtuquajtura Lidhje mban përgjegjësi për degradimin e semantikës së fjalës “shkrimtar”, krim ky po aq i rëndë sa dhe dënimet e pushkatimet e bëra prej saj. Një institucion i katandisur në këtë farë hukubeti, plot blana hijesh e blana gjaku, duhet t’ i lutesh Zotit mos të të bjerë në hise dhe ne çuditemi me të vërtetetë ç’ ju duhet shallanuri i Centaurit disa shkrimtarëve që vijnë nga persekutimi?
E shkuara e Lidhjes është vetëm njëra anë e saj, ana me terr, dhe ne s’ kemi pse të mos themi: të zgjidhet Lidhja! Ana tjetër, ana e rrahur nga dielli, është më radikale, sepse ka të bëjë me thelbin e qënies së shkrimtarit. E pra, shkrimtari është qënie e tjetërfartë, atij s’ ia streks mideja të jetuarit në shumësin kolegjial, siç thoshte Grasi. Ai është institucion më vete dhe rrugën e komunikimit me të ngjashmit e gjen po vetë. Tashmë tek ne janë përvijuar sheshazi disa grupime, me gazetat, revistat, TV-të, pse jo dhe shtëpitë e tyre botuese. Ne s’ kemi pse të mos iu themi “mirëseardhët!” fenomeneve të tilla, anipse disa nga akseset për t’ u realizuar plotësisht si shkrimtar, gjenden shpesh të bllokuara. Si aksese të tilla mund të përmendim mungesën e tregut për të shitur librin si mall, reklamat për të, e drejta e komunikimit me jashtë, politikat masiviste të shtetit, etj. Po shkaku i mungesës së tyre s’ ka pse të na bëjë ta kërkojmë shpëtimin tek një fantazmë. “Ti drejtohesh të shkuarës, thotë Foucault, don të thotë t’ i japësh asaj jetë në të ardhmen”. Kësisoj gjithë patetika për të folur në emër të të gjithëve (e cila është dhe arsyeja e këtij shkrimi), për interesa të mëdha, për të drejta trashëgimie, e gadra-budra të tjera, kthehet në një leckë demode e cila bllokon ingranazhet e sistemit të ekonomisë së tregut që vetë e zgjodhëm.
Fantazma për të cilën folëm ka një godinë ku ngrys ditët e vegjeton. Kjo godinë është e bukur, konkrete, ngashënjyese dhe s’ ka se si mos të shtjerrë në një ngasje gati erotike, jo vetëm Dizdarin, por edhe ne vetë. E drejta për ta patur atë pronë, por jo mantenutë, është një e drejtë njerëzore. Çështja është se mëtimet për të duhet të jenë të hapta, të qarta, ligjore. Ç’ mund të bëhet me të?! Zgjidhjet janë nga më të shumtat:të dalë në ankand, t’ iu jepet në përdorim grupimeve të ndryshme kulturologjike, apo qoftë dhe të shndërrohet në një muze të krimeve të komunizmit, muze që i mungon këtij vëndi.
Sa për Dizdarin, prej kohësh silloisem e mollis me vete se, vallaha, çfarë ka bërë ky Limozi, cilave gjëra iu ka vënë nishan e yll në ballë (syri i Ciklopit), që, Zoti mos e dhëntë, vetë unë ta kem kryetar, (anipse eshtrat e shkrimeve të mia të përkora s’ mbushin dot as pulqerin i një dore dhe i kam taksës kryetarët)? Dhe s’ më bie në hatër kurgjë tjetër përveç faktit se ka grisur dyzetë palë opinga në harcat dhe cfakat e Delvinës gjatë fushatave politike të Nanos, a Metës. Sa për atë këngën që flet për gjethet e dafinës, të cilën e ka thurrur në rini, duhet thënë se gjethet e saj tashmë janë tharrë dhe me to nuk ujdiset dot jo vetëm një kurorë lavdie, por as edhe një kurorë varri.
Të bindur se Dizdari e ka në gen ndjesinë e turmës dhe vathës së Polifemit, është i lejuar të krijojë çfarëdo Lidhje e shoqata shkrimtarësh. Por me një kusht të vogël: Fjala e burbujtë duhet të ketë një përcaktor të vogël mbrapa: Lidhja e shkrimtarëve socrealistë, apo Lidhja e shkrimtarëve pa vepra letrare... Sa për Lidhjen e vjetër, ta flejë mëdjen: ajo, siç thoshte Marksi (!), e përmbushi misionin e vet: lindi si tragjedi, vdiq si farsë...
BALIL GJINI


Shënim
Përmendja e fjalës sazexhinj në shkrimin “Fantazma e një vandaku me shkarpa” me autor Balil Gjinin nuk ka të bëjë me asnjë nga instrumentistët e nderuar të qytetit të Beratit.
Autori i shkrimit



 

Lajmetari...gazeta nr. 89 prill.2005