u ndryshua me 31.03.2004 e-mail E Merkure nr.38


Disa shënime mbi katalogun
"IKONAT E BERATIT"
te autoreve Ylli Drishti dhe Leon Çika


Muzeu "Onufri" është një muze i rëndësishëm dhe o
rigjinal, një institucion i çmuar i vlerave të trashëgimisë së qytetit tonë. Në të përfaqësohet një nga periudhat më të ndritura të historisë së artit në Shqipëri që lidhet me emrat më të shquar, që shpesh ne i identifikojmë si "Shkolla e Beratit" dhe që përfaqsojnë një periudhë nga shek 16 deri 18. Konceptimi i tij në mjediset e katedrales "Fjetja e shën Mërisë", ka pasur si qëllim të ngrejë brenda mjediseve të një muzeu frymën që ka krijuar dhe ruajtur artin ikonografik në Shqipëri. Këtë kanë dashur të realizojnë autorët, të cilët që në hyrjen e katalogut nënvizojnë se " më e mbrekullueshmja është se në mënyrë të padukshme e ndien veten të privilegjuar, sepse ndodhesh njëkohësisht në Katedralen e një Mitropolie mbi dyshekullore, ku janë zhvilluar ceremoni të rëndësishme liturgjike dhe në mes të një koleksioni të rallë veprash arti, të një bukurie të veçantë e magjepse."
Në katalog jepet një informacion i plotë për traditën ikonografike dhe piktorë të tjerë shqiptarë, për temat, ikonat, objektet metalike për ikonostasin etj, që "… kanë privilegjin dhe krenarinë të jenë të dorës së parë", thonë autorët në tekstin historik. Ata duket se janë çliruar nga skrupuloziteti duke u dashuruar pas këtyre vlerave dhe e kanë paraqitur historinë e qytetit në një formë të thjeshtë dhe gjuhë të zgjedhur për t'iu drejtuar një grupi më të gjerë se sa specialistëve, vizitorëve, shqiptarë apo të huaj, të rastësishëm, të apasionuar, turistë, kureshtarë, etj. "…vizitorëve u jepen dy alternativa, së pari, të vizitojnë qytetin dhe kalanë si turistë, duke pasur mundësinë dhe të një vizite në Muzeun Kombëtar "Onufri", ku ata mund të takohen me gjithë mjeshtrat ikonografë, shqiptarë, së dyti, kanë alternativën të vizitojnë dhe disa nga perlat e arkitekturës dhe pikturës bizantine dhe pasbizantine që ndodhen brenda mureve të kalasë."
Publikisht është pranuar se ata që janë informuar seriozisht për historinë e vërtetë të qytetit, janë të pakët. Të shumtë përkundrazi janë ata që historia e qytetit përfshihet brenda kujtesës, e kufizuar nga eksperienca e tyre, sigurisht e zbukuruar me legjenda që merr nganjëherë formën e sindromit te një patriotizmi patologjik. Protagonizmi i këtyre të fundit, informacionet e ngjyrosura e deformojnë këtë histori sa brilante aq dhe tragjike. Brilante se këtu janë krijuar këta shembuj të jashtëzakonshëm të ikonografisë shqiptare dhe tragjike, sepse Berati tani nuk është as hija e zbehtë e "Verationit shumë të shkëlqyer", si e cilësonte Onufri në kishën e Apostujve në Kostur. Në mënyrë elegante në album na jepet mundësia e njohjes ne mënyrë të rrjedhshme e të përpiktë historia e dokumentuar e qytetit nga krijimi i tij deri në ditët e sotme. Paraqitja e saj na jep mundësinë të çlirohemi, të gjykojmë pavarsisht, ndoshta të hedhim argumete për hershmërinë e ndërtimit të disa monumenteve të kultit (xhamia e kuqe), apo të fillimit të konvertimit, meqë, siç thuhet ne "kronikën e Beratit", mercenarët turq janë të pranishëm në Berat që në 1335 të thirrur fillimisht nga Androniku i II e më pas nga princat arbër në grindjet mes tyre.
Albumi "IKONAT E BERATIT" është realizuar në një format të madh dhe lidhje serioze, duke u bërë botimi më lluksoz për vlerat ikonografike të këtij fondi. I gjithë materiali i përzgjedhur me sqimë paraqit jo vetëm përfaqësimin e vlerave dhe autorëve, por, nëpërmjet imazheve dhe fragmenteve të prera me kujdes, të jep mundësi të kërkosh emocionin dhe veçoritë e papërsëritshme, bukurinë, elegancën harmonike, dramaticitetin. Veçanërisht një punë të kujdesshme është bërë me fotot e realizuara me një dritë që imtësisht zbulon shkëlqimin e koloritit, manierat dhe teknikën e realizimit duke na bërë të ndërgjegjshëm për vlerat e jashtëzakonshme të këtyre veprave.
Autorët me librin e tyre kërkojnë gjithashtu të na kujtojnë se koncepti tradicional ballkanik, i cili limonton jetën intelektuale të provincës, është jo një cilësi thelbësore në qytetin e Beratit. Duan të tërheqin vëmendjen në mundësitë e përhershme dhe traditën e iluminuar që sidoqoftë të na krijojë atë siguri që të mos jemi aq modest.
"Gjithkush do të mahnitet dhe admirojë thesaret e këtij qyteti të jashtëzakonshëm e sigurisht do te kerkojë të rikthehet serish në Berat për t'u futur në magjinë e botës mesjetare", vërejnë autorët, zotërinjtë Ylli Drishti dhe Leon Çika diku në album.
Kryeveprat e Onufrit dhe piktorëve të tjerë të shquar, që përbëjnë fondin e çmuar të muzeut, nuk do të ishin objekt admirimi për ne sot, nuk do të ishin objekt i një Shqipërie tjetër të paraqitur në ekspozitat e kulturës shqiptare në Paris, Romë, Mynih, Ankona dhe Viçenca, pa kontributin e rëndësishëm të restauratorëve shqiptarë që me kompetencë kane arritur t'i nxjerrin në dritën e diellit me të gjithë shkelqimin e kohes kur u krijuan. Do ta forconte karakterin e këtij albumi përfshirja në të e të dhenave të objekteve të perzgjedhura dhe autorëve që i kanë restauruar ato.
Albumi "Ikonat e Beratit" është nje kontribut me vlerë, që i shtohet përpjekjeve për të shpërfaqur vlerat e çmuara që trashëgon qyteti, cilësitë e domosdoshme për ta integruar në komunitetin e madh të botes së qytetëruar.
Agron Polovina