| Balil Gjini | ||
| Nga “Çeta e profetëve” tek çeta e profanëve | ![]() |
|
| -Nga sabahu e gjer në aksham po
shohim se në Mëmëdheun tonë (këtë fjalë,
ngaqë ka plot kumbime të moçme epike, disa nga rasati
i politikanëve e shqiptojnë Mëmëdhia, kurse disa të
tjerë Mëmëdhjeu), po vegjeton i lumtur një lloj xhinsi
njerëzor, speciet e të cilit, anipse jetojnë midis plehrave,
karkaculjes, qelbit, shpërfilljes e neverisë, ka të vetëndjerin
e lartë të ëndërrojë të bëhen o ministra,
o deputetë. Kështu, ndryshe bëjnë bëm, sepse
ajo fjala e zbërdhylët “modesti” s’ është
pos tjetër veçse një fije leshi që s’ ngjit
në jakat e sqimës së tyre sipërane. Është
një epidemi e vërtetë, zanafilla e hullive të qumështit
me të cilat mëndet shkon larg tek tipologjia jonë aziatike,
tek koha e “Çetës së profetëve” të
Bogdanit, e mbase më tej. Vëreni gjithë sjelljen e ish-kryeministrit (ish, ish, ish!
, i trembte mëmëzotja ime pulat, imazh fëminie ky, i cili
–Zoti më ndjeftë!- e përqas qeverinë me një
trumbë të harraksur shpezëzh shtëpiakë). Joshës,
shpotitës, ngashnjyes inte-resant tavolinash, tregues i thukët
barcoletash, i gatshëm që tufën e luleve që i ka dhënë
Makbulja t’ia falë prostitutës më të parë
, ai shfaqet me pamjen përbuzëse të një artisti kozmopolit
që e ka bërë defosun atdheun për hir të trilleve
dhe tekave. Sikteriset një dreq e di se ku, pa ekskortë, s’
telefonon kërkënd, i pështyn vartësit në fytyrë
si t’ i ketë shërbëtorë; këto, dhe hynere
të tjera si këto, rrëfejnë se vetë emri i krishterë
i Fatos Nanos nuk është një telisman magjik që mund
ta shpëtonte atë nga veset aziatike: kamarrosja, fudullëku,
arro-ganca. Por nëse një artisti i shkojnë kozmopolitizmi
dhe moda e shpërfilljes, ngase rruga që ka zgjedhur është
e mëvetësishme dhe pasojat e saj janë krejt vetiake, një
kryeministër është ngjitur aq lart në saje të
votave dhe nuk i shkon plagjiatura, kurse sjellje të tilla e katandisin
në një artist dështak, pasojat e së cilës i vuan
populli. Gjestet dhe veprimet anadollake të politikanëve e kanë
zanafillën tek kultura jonë primitive, e tribale, tek mexhliset
e katundit, ku ende tirren hollë çështjet e mëdha,
tek kultet për prijësin dhe ka gjasa se fillojnë që
tek mërmërimat e rrëkezat e asaj nënës lehonë,
e cila i këndon djalit tek koka e djepit: “T’ u bëfsha
o bej, të marsha të ligat pasha!”. E udhës do të
ishte që këtë vend ta qeverisnin politikanë të
zakonshëm, pra as çeta profetësh (siç besohet),
dhe as çeta profanësh (siç janë); por vetë
kalbësira dhe plehu i dekadencës së vyrtyteve, përveçmërisht
në këtë kohë tranzicioni, sjellin në krye hije
të modës së moçme, apo fantazma të brejtura
nga mola, siç do të thoshte Levy-Strauss, të llojit të
Ruçit, apo Gjinushit. E gjithë retorika e tyre politike bie
erë ose aromë trëndeline, ose erë përç
cjapi (“Tepelenë të qofsha falë/, vij të të
shërbej si djalë!” –sllogani i Ruçit për
fushatën elektorale). Dhe s’ ke si të mos vësh re
se sa më shumë pasurohen ata vetë, aq më shumë
varfërohet sintaksa dhe leksiku i tyre. Është një
sintaksë e mynxyrshme që ta shpif e të kall të keqtë
me karcaculjen e saj. Fryma autoritare e Njëshit bën që
të gjithë vartësve t’ iu vizllojnë sytë
të lumtur prej servilosjes dhe na ka qëlluar të shikojmë
vetë hatanë: ministra fryçakë, të llojit të
Bashkim Finos, i përdorin me hare kilet e tepërta të dhjamit,
si hamenj të shefit, duke i krijuar në çdo provincë
ku shkon dyqind metra katrorë parajsë ( mbartin prej Tirane
kaloriferë, qilima, karrige etj). Është xheneti oriental
me shatërvane, bilbila, hyri. Për ta, po të ishte e mundur,
mund të shkohej më tej: ta palosnin atdheun si një shami
xhepi dhe t’ ia jepnin të fshinte hundët kryetari i tribusë,
medemek shefi i partisë. Klima e mercenarizmit dhe servilosjes, ai tym i vagullt lëvdatash,
miklimesh e joshjesh opiumike, ka yshtur instiktet e deliret e errëta
të pavetëdijes së shefit dhe sa për argument mund
të përmendim njërin asish, atë që këtillohet
sindromi i Kleopatrës. I gjithë teatraliteti i KPD-së,
të gjitha gjestikulacionet, arratitë, shpërfilljet ndaj
vartësve të Nanos, kanë patur vetëm një qëllim:
natën, aty tek koka e krevatit, Ajo me A të madhe, nepërka
pikaloshe e... Nilit (medet që lumi i Tiranës quhet Lanë),
t’ i pëshpëriste tek veshi: je i madh shpirt!... Lexues
i mbrapshtë: ti e di fare mirë për çka po flas,
siç di dhe tjetrën: se ndonjëherë gjithë sipërfaqja
katrore e rruzullit mund të shkëmbehet fare badiava me ca centimetra
katrorë prej trupit femëror. Sindromit të Kleopatrës
i ka shërbyer i gjithë sportiviteti i ishkryeministrit, kulti
mashtrues i rinimit të përjetshëm dhe qasja pranë
vetes e ca ministrave e drejtorëve rioshë. Në të vërtetë
ata s’ shërbejnë për gjë tjetër përveçse
si pasqyra me korniza ovale, ku ai kundronte me hamëndje vetveten
e tëhuajzuar. Por kjo është një mesele më vete,
kurmin e së cilës ua beditim si kurban analistëve të
shumtë, atdheu i të cilëve është kthyer në
dy shtylla vertikale: Nano, Berisha. Dhe populli që ushqehet me tagji modelesh të gatshme, që
zhyt çdo ditë hundën në krundet e kismetit se, kushedi,
mos Zoti këtë herë ka taksur ndonjë gjë të
sojme për ta, tërr s’ ia bën syri për gjërat
e vogla: ujin, dritat e ndërprera, lekët e paguara nën
dorë në spitale, administrata. Jo. Ëndrra dhe zhgjëndrra
e çdo humbamenoje për t’ u bërë ministër,
a deputet, vjen jo vetëm nga fakti se këtu janë prishur
digat, pengojcat e frerët që iu vihen si zap veseve të
tilla, por edhe sepse politika është ajo materia e çuditshme,
e cila, humnerën semantike që ndan fjalën “ekzistencë”
nga fjala “jetesë”, mund ta mbushë brenda çastit
me bollëk, mirëqënie, para. Kësisoj puna e zakonshme
që duhej t’ iu sillte mirëqënien ajgëtohet me
neveri dhe Shqipëria është kthyer dora-dorës në
një Dembelhane, ku vegjetohet, luhet tavëll, a domino, ku të
rinj tridhjetë vjeçarë vrasin bletë në lulishten
me tërfile të qytetit, ngase iu duhen si karema për peshkim.
Dhe sigurisht pritet kismeti i madh: që postet të kthehen në
postiqe. Modeli është i gatshëm: në kohën e Enverit
çobani i Kurveleshit mirrej nga stani e gradohej gjeneral. Hija e godinës së politikës është e rëndë
dhe, në pafshi ndonjë ditë ca fije të verdha bari,
rritur mashalla, me pamje e dukje njerëzore, dijeni se janë
thjesht punonjës administrate, të katandisur në atë
farë derexheje nga frika e lënies së vëndeve të
punës në prag të ndërrimit të pushteteve. Sepse
nëse shteti s’ është gjë tjetër pos një
sistem garancish për individin, ky i fundit prej shtetit të
vet nuk sheh gjë tjetër përveçse ca mentesha, çiçive,
e burma, të flakura aty-këtu nëpër rrëpirat e
datave të mbrapshta historike. Por hija e rëndë e politikës
shtrihet edhe mbi artet, jetën kulturore, duke e gurgucur gjithçka
në sytha e burbuqe. Të jesh sot njeri i kulturës zere sikur
të ishe leproz, sepse në një pavion të sëmurësh
mendorë, i vetmi i çmendur është mjeku. -Ç’ bën gjithë ditën që mbyllesh si
kallogjer?- më thoshte një ditë një çoban që
kulloste cangadhet bash m’ u në lulishten e qytetit gjasme
dymijë e katërqind vjeçar (siç duan të thonë). Turmat dhe prijësi ushqejnë njëri tjetrin me llokma admirimi,
përunjieje e rixhaje. Çosa herë shpresohet më kot
tek progresi kohor. “Ne vuajmë të gjithë nga sëmundja
e finalizimit, thotë Ruzhdie. Mëtojmë t’ i ndajmë
gjërat në dhjetëvjeçarë, fillime, funde, kthime
mbrapsht, revolucione. Gjithçka vjen nga diku dhe shkon po diku.
Ndërsa në realitet ne gjendemi gjithmonë te mesi, në
mes.” Aq e vërtetë është kjo sa në vitet
‘20 deputetë të Parlamenit shqiptar ishin figura të
tilla si Gjergj Fishta, Patër Anton Harapi, Luigj Gurakuqi, Fan Noli,
Hil Mosi.... një çetë profetësh, para të cilëve
deputetët e sotëm duken si një çetë profanësh.
Por ne mbase na duhet politikani i zakonshëm, ai, i rëndomti,
mediokri, sardelja e vockël dhe jo balena e madhe, prej të cilit
lypset vetëm një gjë: të kryejë detyrën
e vet, medemek të punojë për mirëqënien e të
tjerëve... |
||
| Lajmetari...gazeta nr.106 05/09/2005 |
||